Llogaritë e qeverisë me BE dhe kriza si alibi e Ramës për dështimin e negociatave

Nga Qamil Xhani -Rreth një vit më parë kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij deklaruan gjithë pompozitet se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian miratoi çeljen e negociatave për Shqipërinë. Kur gjithë mediat i kujtonin qeverisë se BE nuk kish çelur negociata, por i kish lënë një vit afat për të plotësuar kushtet, ato trajtoheshin me epitetin “kazan”. Ndërsa kur kjo çështje ngrihej nga opozita, mazhoranca e cilësonte si antikombëtare. Një vit më pas Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Kristian Danielson, deklaroi dje në Tiranë pikërisht atë që media dhe opozita ka kohë që e thonë. Negociatat jo vetëm që nuk janë hapur kur e deklaronte qeveria, por gjasat që janë që edhe këtë vit Shqipëria të mos plotësojë kërkesat e Bashkimit Europian. Argumentet janë të njohura dhe lidhen me gjithë problematikën e Shqipërisë si korrupsioni, krimi i organizuar, të drejtat e njeriut dhe sigurisht klima politike. Këto probleme iu bën të ditura dje Edi Ramës nga zyrtari i Bashkimit Europian gjatë takimit që zhvilloi në Tiranë. “Një bisedë shumë e hapur me kryeministrin Edi Rama për situatën aktuale politike dhe reformat. Shqipëria duhet të vazhdojë përparimin në të gjitha fushat e reformave, dhe në veçanti luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të na bindur në qershor, kur Shtetet Anëtare të BE do të shqyrtojnë përparimin”,- deklaroi në një postim në tëitter zyrtari i BE. Në reagimin e parë që Danielson bëri gjatë vizitës në Tiranë, bie në sy se qeverisë shqiptare i janë bërë të qarta dy kërkesa që ka BE ndaj saj, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit.

Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit janë dy kritere të panegociueshme të BE, të cilat janë edhe pjesë e shqetësimeve që ka ngritur prej kohësh opozita dhe për të cilat ka djegur mandatet dhe po proteston. Ndërkohë mazhoranca me dinakëri paraqet te ndërkombëtarët dhe te mediat e huaja një situatë ndryshe. Ajo thotë se është opozita që po krijon mungesë besimi te partnerët e huaj dhe mund të mos japin statusin në BE për fajin e opozitës që po krijon tension.Kjo fushatë duket se ka dhënë efekt dhe të disa diplomatë që këto ditë shohin të “alarmuar” protestat e opozitës si dëmtuese të imazhit të Shqipërisë dhe nuk thonë asnjë fjalë për faktin se këto vite nuk ka asnjë dënim të zyrtarë të lartë për korrupsion. Nuk po flasin për kanabizimin e vendit nga qeveria e PS. Sigurisht kriza politike në Shqipëri është një problem për ndërkombëtarët dhe recetat që ata japin janë dialog mes palëve dhe sigurisht kërkesa e përhershme që stabiliteti është më i rëndësishëm se proceset e tjera. Por veç gjuhës diplomatike në fund bilanci për integrimin nuk i kërkohet opozitës, por qeverisë. Dhe dje Drejtori për Zgjerimin në BE, që është dhe njeriu kyç për raportin për Shqipërinë, foli qartë kur kërkoi nga qeveria luftë kundër korrupsionit dhe krimit. Në fund, pavarësisht kritikave që opozita ka marrë këto ditë nga një pjesë e ndërkombëtarëve, lufta kundër krimit, hetimi i korrupsionit dhe zgjedhjet e lira janë arsyet që kanë nxjerrë në rrugë opozitën dhe çuan deri në djegien e mandateve. Pikërisht blerja e votave nga bandat kriminale ka deformuar rezultatin e zgjedhjeve, duke krijuar një qeveri e cila ngrihet mbi damarët e krimit të organizuar.
Ndërkombëtarët kanë filluar të kuptojnë se problemi është qeveria, por diplomacia ecën ngadalë e jo si vrapi i protestave të opozitës. Rëndësi ka ndërkombëtarizimi i krizës politike mori dhenë e duhet që kryeministri Rama të ulet për zgjidhjen e krizës duke larguar autorin e krizës, që është pikërisht ai, Edi Rama.
Qamil Xhani

SHKARKO APP