Loja e mbyllur me kandidatët për kryetarë bashkie
Nga Mustafa Nano.
– Hë, çfarë thuhet? Cilin do vini kandidat në Tiranë? – e pyeta para ca ditësh një eksponent të rëndësishëm të PS-së.
– Ende nuk dihet – m’u përgjigj ai.
– Po cilët janë emrat në garë? – vijova unë.
Ai ngriti supet.
– Po këta emrat, për të cilët flitet e përflitet, kush i nxjerr? – ia bëra unë, duke iu referuar thashethemnajës metropolitane mbi kandidatë të llojllojshëm, shpesh edhe të çuditshëm.
– Është loja e atij të gjatit – më tha ai.
– Po cili është beniamini i tij? Cilin do caktojë në fund fare? – pyeta unë.
– Askush nuk e di – ia bëri njeriu i rëndësishëm i udhëheqjes së Partisë Socialiste.
Dhe afërmendsh, kjo “askush nuk e di” është njësoj me pohimin “e di vetëm ai”. Madje, duhet thënë Ai, me “A” të madhe, siç thuhet për Atë, Zotin që është lart në qiell.
Duhet të jetë eksituese kjo fuqi që kanë kryetarët e partive në prag fushatash elektorale. Tani, këtë fuqi Ata e kanë në çdo rrethanë, por në prag zgjedhjesh kjo fuqi bie në sy më shumë. Duhet të jetë edhe argëtuese kjo fuqi. Për Ata, kuptohet. Ja, kjo loja me emrat që hidhen për diskutim i argëton pa masë, me siguri. Sidomos, kur bëhet fjalë për Tiranën. Ata i hedhin si pa dashje, dhe pastaj tërhiqen në zyrë, mes të vetëve, ndoshta dhe vetëm fare dhe shijojnë estradën që luhet. Vërejnë reagimin e “kandidatëve”, apo edhe të atyre që e kishin menduar veten si kandidatë, që kishin besuar se ishin kanakarë të Atij, e që krejt papritur nuk figurojnë në “listën e Tij”. Këta të fundit kanë tamahun e madh dhe për rrjedhojë janë në nevojë (nuk ka njeri më në nevojë sesa ai që ka tamahun e madh; tamahqarët janë nevojtarët më të mëdhenj në këtë botë, shumë më të mëdhenj sesa ata që heqin për të gjetur një copë bukë). E është spektakël më vete të shohësh sjelljen e një tamahqari kësodore, i cili çfarë nuk shpik për t’u futur në rrezen e shikimit të Atij, boss-it pra. Ky i fundit hap gazetat apo televizorin dhe ndjek lojën e tyre nga larg. Ata i përcjellin mesazhe të koduara, metaforike, ku nevoja me demek është e fshehur, por Ai e kupton. Se mos vetëm ai! Të gjithë e kuptojnë, pasi metaforat janë të trasha, të vrazhda, të papërpunuara dhe kjo nuk ndodh ngaqë kandidatët nuk dinë të jenë nazikë e elegantë. Jo, ata dinë të jenë të tillë, por puna është se nuk mund të presësh të jetë elegant një njeri që ngutet, një njeri që përndiqet prej fiksimit se ky është rasti i artë i jetës e se ky rast mund t’i ikë nga duart.
Dhe Ata e shohin këtë lojë, e cila shpeshherë përcillet edhe në zyrën e Tyre, ku “kandidatët” hyjnë e dalin kinse për punë të tjera, ndonjëherë për t’u shtirur se për çdo gjë të kësaj bote janë të merakosur, por jo, kurrë, asnjë çikë, për kandidimin e tyre për kreun e Bashkisë së Tiranës, mirëpo boss-i e di se misioni i tyre është të lexojnë pamjen e Tij, gjestikulacionin e Tij, frazat që i dalin nga goja, grimasat, mënyrën e shikimit, etj., etj. Këtij i thonë pushtet, apo jo? Nuk është çudi që entiteti omnipotent, omniscient andomnipresent, Ai i njëmendëti, të provojë pak xhelozi në këtë rrethanë. Se nuk është se ka ndonjë ndryshim mes Tij e mes Këtyre Zotërve në tokë. I vetmi ndryshim është se Krijuesi i ka njerëzit në dorë në botën e përtejme, edhe të përjetshme, për të cilën nuk jemi 100% të sigurt se ekziston, ndërsa Këta tanët i kanë njerëzit në dorë këtu, në botën tokësore, për të cilën nuk kemi dyshime që ekziston. Madje, prova e qartë, më e qarta, se kjo bota tokësore ekziston, është pushteti “hyjnor” që kanë ca e ca. Ky lloj pushteti është gjëja më e prekshme në këtë botë. Më e prekshme sesa dhembja fizike.
E përfytyroj sesa të pafuqishëm ndihen njerëzit e anëtarët e partisë ndaj një pushteti të tillë. Duhet të jetë fyese kjo situatë për të gjithë ata që janë futur në një parti me idenë, a shpresën, se mund të ndikojnë sadopak në vendimmarrje. Kjo situatë është fyese edhe për një arsye tjetër. Shikoni, kryetarët e partive tona do të kenë pushtet se s’bën, e gjithmonë, pasi kulti i politikës, i pushtetit, i qeverisë, i autoritetit, është i pakonkurrueshëm këtyre anëve. Këtë pushtet të udhëheqësve tanë ne e pranojmë që të gjithë si të ishte një mandat divin, siç pranohej, e mbështetej, autoriteti i mbretit në kohët e mbretërive absolute. Në këto rrethana, këta tanët mund të ndërtonin fare mirë një tërësi rregullash, me fjalë të tjera një statut, që do të legjitimonte këtë fuqi të tyren brenda partisë. E do ishin të justifikuar edhe prej faktit që zgjedhësit shqiptarë, të parë si një corpus, kanë dhënë prova se janë të korruptuar e të korruptueshëm. Kjo është njësoj e vërtetë edhe për anëtarët e partive, sa herë që këtyre të fundit u duhet të luajnë rolin e zgjedhësit në procesin e vendimmarrjes brenda partisë apo në procese elektorale nacionale. Janë këta zgjedhës që kanë prodhuar kryetarë të fortë të degëve të partive në rrethe, deputetë banditë, kryetarë bashkie/komune që janë të hurit e të litarit etj., etj. Mirëpo jo, ata nuk e bëjnë këtë gjë. Përkundrazi, statutet ata i ndërtojnë në një frymë demokratike. Ke qejf t’i lexosh statutet e partive shqiptare. Mirëpo, ç’e do! I ndërtojnë për t’i dhunuar. E kështu nuk zgjedhin rrugën e ushtrimit të një pushteti të pakufishëm, por legjitim. Përkundrazi, zgjedhin rrugën e uzurpimit të këtij pushteti, nëpërmjet dhunimit të rregullave të lojës. Nuk kuptohet pse u shijon kështu.
E meqë jemi këtu, e dini se çfarë thonë statutet e partive për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kreun e bashkive? Pasazhet e këtyre statuteve lidhur me këtë proces ishin publikuar në “Shqipin” e djeshëm, në krye të faqes 5. Po ua risjell këto pasazhe statutore. Në nenin 4, pikën 6 të statutit të PS-së thuhet se “për çdo detyrë përfaqësuese politike në emër të partisë zhvillohet proces komunikimi transparent dhe i bazuar në kritere të njohura”. Ndërsa në nenin 16, pikën 7 thuhet se “organizata socialiste e bashkisë propozon listën e kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Bashkisë … dhe administron e shqyrton kandidaturat për kryetar të bashkisë të ardhura nga organizata socialiste dhe propozon kandidatët për kryetar të njësisë vendore përkatëse”.
Në statutin e PD-së, në nenin 34, pikën 1, thuhet se “kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin lokal konsultohen nga gjithë anëtarësia e PD-së”. Fantastike, apo jo?
Siç shihet, këto statute janë ndërtuar në respekt të parimeve të demokracisë. Sikur t’u vihej veshi këtyre statuteve, ne tani do të ishim duke përjetuar, komentuar e analizuar një lojë, një proces e një ushtrim të hatashëm demokracie. Mirëpo, jemi duke përjetuar të kundërtën. Po bëhet loja më e mbyllur që mund të përfytyrohet. I gjithë procesi është në fare pak duar. Të tjerët janë dorëzuar. Dhe bëjnë sehir.
"Shqip"