Lorenc Vangjeli: Edi Rama, mes mëkatit të ligjit dhe detyrës së moralit

Nga Lorenc Vangjeli –

Në demokraci, drejtuesit politikë nuk kanë për detyrë që të bëjnë krenarë zgjedhësit e tyre. Ata janë të detyruar të veprojnë e sillen në mënyrën që zgjedhësit të mos turpërohen prej tyre. Kush ka parasysh një ide të tillë, do ta kishte shmangur debatin gjysëm qesharak e të përciptë, por formalisht të saktë, për arrestin e mundshëm në kohë të hershme të Edi Ramës në Itali.

Ose në rastin më të mirë, do ta përdorte këtë histori si një dëshmi të rradhës të faktit dhe aktit ulëritës që provon sjelljen tralala të klasës politike shqiptare, e cila përballë problemeve të çdo natyre, si rregull, sillet me mendjelehtësi, hile dhe hipokrizinë e provuar të marrëdhënies mes kalit që shërben dhe lumit të kapërcyer. Duke përqafuar zgjedhje të pjesshme për nevoja të çastit, zgjidhje të pjeshsme për hir të çastit dhe duke harruar gjithçka sapo kalon çasti i hallit.

Në përpjekje për t’u shpjeguar dhe në tentativën për të mbajtur distancë higjenike ndaj dafinave që as vetë nuk i mendonte në këtë formë e në këtë masë, për dërgatën e mjekëve shqiptarë në Itali, Edi Rama përmendi një episod vetjak. Një ndodhi të fillimit të viteve 90-të, po në Itali, por pa dëshmitarë. Atëherë ishte ai vetë një i ikur nga Shqipëria dhe kundërshtar i qeverisjes së kohës. Ai flet për një polic italian që trajton keq një shqiptare shtatzanë në aeroport dhe thotë se ndërhyrja e tij në ndihmë ntë bashkatdhetares u shoqërua me arrest. Problem përkthimi, ngut gazetari, lapsus autori, e vërtetë apo jo, trill publicistik apo kujtesë dramatike, kjo nuk ka pikën e rëndësisë sepse të vërtetat e hidhura, vuajtjet e privimet e emigracionit shqiptar, sidomos në fillimet e tij, janë të jashtëzakonshme dhe e tejkalojnë shumë edhe fantazinë më të çartur.

Debati që pasoi në Tiranë, me opozitën që kujtoi se arresti i mundëshëm i Ramës në Itali e bën kryeministrin subjekt të ligjit të dekriminalizimit dhe reagimi i vetë Ramës që zgjodhi të sillet me bezdinë e shpullës ndaj mushkonjave, edhe pse thirri vetë Zotin në apel, dëshmuan edhe njëherë që në Tiranë, tjetër kund vetëtin, e krejt tjetër kund bubullin. Tjetër kund ndodh fërkimi e tjetër kund merret shpërblimi. Ky episod i rrëfyer nga Rama, vlen të kujtohet në një kohë të qetë për të kujtuar nevojën për një raport krejt tjetër mes qeverisjes dhe të qeverisurve. Mes të shkuarës dhe të tashmës. Mes frikës ndaj një rreziku dhe masave që merren ndaj tij.

Dhe mbi të gjitha, me raportin mes diagnozën dhe kurës që jepet për kurim. Ligji për dekriminalizimin dhe subjektet e tij janë në një marrëdhënie të panatyrshme e të padrejtë. Ligji nuk i jep përgjigjen e duhur një shqetësimi të jashtëzakonshëm: depërtimit të elementëve me të shkuar kriminale në politikë në përgjithësi, në të gjitha nivelet. Ai është një gabim fenomenal i të gjitha palëve që u përfshinë në hartimin e tij dhe e vetmja dobi që ka sjellë është filtri modest për të penguar këtë depërtim. Por ai nuk është i duhuri: filtri do të duhet të përdorej për vetë njerëzit që bëjnë lista, pra, pikërisht për ata që mund të sjellin të padëshiruarit në të gjitha nivelet e jetës publike.

Sikur të supozohet se Rama është shoqëruar dikur në një stacion policor italian për të dhënë shpjegime, sikur të supozohet se aty i kanë thënë që do t’i marrin shenjat e gishtave, se ai ka shkelur ligjet italiane, se duhet të ndëshkohet për ndërhyrjen që i bëri policit italian dhe mbi të gjitha, fakti i provuar se ai nuk e ka reflektuar këtë episod në formularin e dekriminalizimit, pra sikur të kishte ndodhur skenari më i keq i mundshëm që do ta dëshironin urryesit e Ramës, cili do të ishte raporti i nesërm i kryeministrit përballë ligjit dhe moralit.

Do të ishte fajtor dhe subjekt i ligjit të dekriminalizimit nëse do të kishte kundërshtuar policin italian apo do të ishte mëkatar njerëzor nëse do të kishte zgjedhur të bënte “qytetarin” model përballë një polici që trajtonte keq një shqipotare fatkeqe shtatzanë? Cili do të ishte më i pranueshëm për shoqërinë shqiptare: kryeministri steril i së shkuarës apo qytetari i ndershëm i të djeshmes. Ligji zgjedh të parin, nevoja, morali dhe e drejta, me të drejtë do të zgjidhnin të dytin.

Edhe nëse nuk është i vërtetë episodi, edhe nëse kujtesa apo nevoja bën ndonjë lapsus, edhe nëse nuk ka asnjë shans të merret vesh se çfarë ka ndodhur në ato vite të largëta, zgjidhja e kësaj dileme nuk ka asnjë dilemë. Eshtë vështirë që në këtë humbjemendjeje në kohën e Coronavirusit të ketë gjykim të qetë për gjëra të tilla, por shpresa se pandemia ka dhënë një shans të artë për të reflektuar më thellë dhe për të mos ju dorëzuar rendjes drejt çastit dhe që i bindet vetëm nevojës së çastit tashmë është reale.

Pandemia shpjegon përkohshmërinë e gjithçkaje dhe vetë politika është gjithmonë e më tepër shenjë, edhe kur nuk qëllon dot në shenjë. Sot ajo ka marrë një provë që budallenjtë me imunitet nuk janë asnjëherë të dobishëm, se ata janë gjithmonë të përkohshëm dhe pavarësisht shkëlqimit, parave, depërtimit në majë të shoqërisë, janë vetëm ca krijesa të mjera përballë profesionistëve. Të cilët sot kanë veshur bluzën e bardhë të mjekut dhe dje kanë pasur portretet e inxhinierëve. Mbetet vetëm të shpresohet që mbas shkundjes nga tërmeti dhe makthit të pandemisë, politika të kuptojë të rilindë vetveten. Dhe të ndërtojë identikitetin e saj të duarve të pastra e të varet vetëm në kravata e kredo morale. Pa qenë të detyruar të bëjnë krenarë zgjedhësit e tyre, por të kushtëzuar nga ndalesa për të mos bërë zgjedhësit që të turpërohen me ta.

Lexoni edhe…

Rriten shifra. 304 numri i të prekurve nga koronavirusi, 27 raste të reja në 24 orë

Nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00 të gjithë në shtëpi

Vasili: Edi Rama shiko Gjermaninë dhe bëj testime

“Zëri Amerikës”: Ja si penetron dhe sulmon koronavirusi organizmin e njeriut

Basha: Paketa financiare të zgjerohet! Urgjentisht të bëhet testimi masiv!

Shqiptarët mbahen ”peng në rrugë”/Reagon Meta, Basha dhe Rama

SHKARKO APP