Lu.. Basha

Nga Sokol Balla

Eshtë shumë interesant qëndrimi amerikan lidhur me aferën CEZ. Ambasadori i ri Amerikan Lu ka vazhduar qëndrimin e dy paraardhesve të tij lidhur me dekriminalizimin. por Lu ka shkuar edhe më tej. Larg retorikës mediatike dhe politike, ka shtyrë krahët e ndryshme të politikës drejt aksionit, me të njëjtin pasion që kishte dikur i ndjeri Limprecht. Me dy ndryshime të vogla: e para nuk ndan me Limprecht shijet dhe dobësitë estetike që kishte i ndjeri, dhe ndryshe nga ai, Lu nuk duket të ketë skrupujt e zakonshëm të kryediplomatëve amerikanë që zakonisht kanë masakruar krerët e opozitës dhe kanë flirtuar hapur me kryeministrat e momentit.

Kjo duket edhe më qartë tek qëndrimi i tyre për aferën CEZ. ‎Në një dalje të vetëkërkuar, më shumë sesa të kërkuar, zëdhënësi i ambasadës Ryan Roberts tha pak ditë më parë: “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë në përpjekje per te ngritur kapacitetet dhe efektshmerine e tyre. Nëpërmjet zyrës së OPDAT, Ambasada ofron këshilla ekspertësh, promovon reforma dhe nxit veprime të ndjekjes penale kundër korrupsionit. Policia dhe prokuroret shqiptare jane te vetmit pergjegjes per te drejtuar hetime ne lidhje me çeshtje qe ndikojne popullin shqiptar dhe institucionet e tij.”

Gazetarët politikë që për fat të keq tashmë nuk ndjekin as zhvillimet e një ditë më parë, nxituan ta quajnë këtë deklaratë si “fshirje që SHBA i bën deklaratave për përfshirje amerikane në hetim”. Por çfarë ndodhi nja dy ditë më vonë?

 

Ambasadori Lu vizitoi selinë e PD. Basha doli dhe mori përsipër një gënjeshtër: ai tha se Lu ishte takuar me të. Në fakt Lu ishte takuar me Halimin. Por ambasada nuk e përgënjështroi Bashën, përtej entuziasmit infantil të gazetarëve politikë për skupin e radhës. Në fakt takimi i Lu me Halimin dhe jo me Bashën, tregon se tashmë selia e PD është vënë totalisht në përdorim të amerikanëve, nën vështrimin e shqetësuar të Doktorit. Ja pse.

 

E para: Sepse Lu shkoi në zyrën e Halimit dhe fiks një ditë më vonë, nga kjo zyrë doli projektligji që lejon hetuesit e huaj të përfshihen në hetimet e brendshme. Pra pas këtij zhvillimi del se deklarata e zëdhënësit Roberts tashmë ka qënë një paralajmërim, se me t’u bërë e mundur ligjërisht, SHBA do jetë e gatshme të përfshihet ne hetimet e brendshme. Sic treguan në rastin e videos Meta Prifti, ata hetojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të padiskriminuar. Dhe hetimi i aferës Cez, rrezikon njëlloj si Metën, ashtu edhe Berishën dhe një grup ish ministrash të tij. Bile ShBA janë kaq të sigurt për këtë, sa hetuesin e FBI e kane sjellë në Tiranë, një javë më parë.

 

E dyta: ky projektligj i PD është fillimi i fundit të karrieres së Adriatik Llallës si kryeprokuror. Llalla ka marëdhënie jo të mira me mazhorancën, por ka edhe një raport të përkeqësuar në rritje me ndërkombëtarët e vecanërisht ambasadorin Lu, i cili thuajse hapur ka lënë të kuptohet, se zëvendësimi i Llallës nuk do përbënte një problem për amerikanët, nëse kryhet në kuadër te Reformës në Drejtësi. E vecanta e projektligjit të PD, është se partia që e zgjodhi Llallën në këtë post, tashmë pranon se ai nuk bën më për këtë detyrë dhe se nuk mund ta hetojë cështjen e CEZ. Dhe këtu sigurisht Meta dhe Doktori janë të shqetësuar, pasi ata të dy kanë qënë dhe janë mbrojtësit e tij më të mëdhenj. Meta sipas dëshmive të Doshit e kishte “partner in crime” Llallën në aferën e tij, ndërsa Berisha as kur denoncoi gjithë prokurorinë kur u arrestua Fullani, nuk e sulmoi kryeprokurorin. Dhe e mbrojti ama nominalisht Llallën duke e justifikuar se ai “kishte qënë jashtë shtetit në momentin e arrestimit”.

 

Por përse Basha ka vënë totalisht në përdorim amerikan selinë e PD dhe zyrën ligjore të saj, duke rrezikuar edhe përplasjen e tij të parë me Berishën? Duket se pikësëpari ai kërkon të riparojë marëdhëniet e dëmtuara pa afat me amerikanët, pas qëndrimit të tij amorf, të mefshët dhe burracak për armët kimike, kur e drodhi tre herë në tre javë dhe duke tentuar në fund të bënte edhe Heroin.

Së dyti me projektligjin, ai i tregoi amerikanëve se nesër mund të jetë një partner i mirë në pushtet dhe me sakrifikimin e Llallës jep edhe një provë se Berisha nuk ka më atë ndikim në të tashmën që ka patur në të shkuarën e Bashës në politikë. Me këto levizje Basha nis edhe skemën e tij kundër Berishës, i mbrojtur prapa kurrizit të amerikanëve, por edhe me mbrojtjen e një miku të papritur: Edi Ramës.

Duket se që nga shtatori i vitit të shkuar Basha ka nisur një proces që tenton të bindë Ramën ta pranojë atë si partner politik. Rama e vuajti këtë tetë vjet në opozitë, kur Berisha dinak dhe arrogant, për tetë vjet rresht konsideroi ose Nanon ose Metën si përfaqësues legjitimë të të majtës.

Rama e nisi keshtu karrierën si kryeministër duke sfiduar, dhe tallur Bashën dhe shënjestruar Doktorin si kreun real të PD. Por duket se gjërat kanë ndryshuar. Reforma në drejtësi, ajo kushtetuese dhe ajo elektorale, duket se kanë afruar dy drejtuesit e lartë politikë, në pikën, që sot PS e pranon Bashën (edhe nën trysninë amerikane) si partner politik megjithëse kundërshtar.

Kurban për këtë, duket do jenë disa. I pari Llalla, por më vonë, edhe Meta apo Berisha. Duket se Lu i cili u akuzua se do ishte i dashur me PD, në fakt po sillet sikur PD e ka thjesht një aksesor lehtësisht të përdorueshëm për të realizuar disa reforma të thella dhe pastruar skenën politike shqiptare nga korrupsioni, krimi, blerja e pushtetit.

Basha e pranon me kënaqësi këtë përdorim. Pasi vetëm kështu mund të tregojë se ai ka një kurriz të vetin politik dhe se mazokizmi i tij përballë Berishës dhe familjes, nuk ishte gjë tjetër vecse një makiavelizëm perfid, për të arritur jo me meritë, në majat e pushtetit.

(Javanews.al)

SHKARKO APP