Luan Rama: Pesha e dinjitetit dhe Ridvan Mura si shembull…
Nga Luan Rama
Portret:
PESHA E DINJITETIT
DHE RIDVAN MURA SI SHEMBULL …
Raporti i njeriut me dinjitetin ka qenë e mbetet gjithnjë një çeshtje që edhe pse e trajtuar në shumë plane e prej kohësh, provokon debat e shërben për të sjellë në vëmendje definicione, përcaktime e qendrime shpeshherë diverse.
Secilin prej nesh jeta e ka vënë në provën e dinjitetit, e po aq, edhe në përballje me karaktere që dinjitetin e kanë ose jo një vlerë të qenësishme të qenies së tyre.
Pa synuar ndonjë sprovë për trajtesë filozofike e psikologjike të dinjitetit dhe vlerës që ai i jep njeriut, po sjell përmes rradhëve të këtij shkrimi vetëm një shembull prej një njeriu modest e shumë fisnik, madhështia e të cilit shpërfaqet përmes dinjitetit të karakterit të tij, pa u luhatur aspak, edhe pse gjendet në rrethana shumë të vështirë, teksa prej disa muajsh po lufton të fitojë betejën për jetën me një sëmundje shumë të rëndë.
I lutem të më ndjejë mikut tim të mirë Ridvan që po e përveçoj ndër ata qindra qytetare dhe qytetarë të Vlorës me të cila pata fatin të njihem dhe të punoj gjatë fushatës së zgjedhjeve, por meritën për këtë përzgjedhje e ka pesha e dinjitetit të Ridvanit që erdhi dhe u shpalos si një shembull unik, krejtësisht i veçantë dhe i papërsëritshëm.
Ndaj unë nuk kam asnjë meritë në gjithë sa po shkruaj, pasi thjeshtë dhe vetëm po përcjell për lexuesit atë që Ridvan Mura bëri me shpirt dhe zemër prej spitalit në Itali ku gjendet duke luftuar për jetën, por edhe duke luftuar përkrah meje në fushatën tonë të përbashkët për zgjedhjet e 25 prillit.
Në këtë qasje krejt njerëzore nuk kam asnjë grishje ta përdor emrin e mikut tim të vyer si referencë përqasjeje me ca mjeranë kokëboshë dhe me karaktere të letyrtë që paburrërinë e kanë shenjën e tyre të identitetit, por me ndjenjën e nderimit më të madh për fisnikërinë e tij dhe për shembullin e madh, dua të evidentoj se çfarë vlere i jep njeriut pesha e dinjitetit.
Me Ridvan Murën u njoha në fillimshtatorin e vitit të kaluar ndërsa po punoja në Vlorë për ringritjen e strukturave të LSI-së atje. Dhe që me takimin e parë, ai m’u imponua me sjelljen e tij të fisme dhe fisnikërinë e fjalës plot mençuri.
Pa e kuptuar, natyrshëm, pa zhurmë e fjalëpak, ai m’u bë i domosdoshëm aq sa kur qëllonte ndonjë ditë që nuk e takoja, ndjehesha bosh, ndjehesha i vetmuar.
Mirëpo, ja që sëmundja e rëndë dhe e pabesë u fut në mes dhe i imponoi Ridvanit një luftë në dy fronte; në spital me sëmundjen dhe nga spitali bashkë me mua dhe me gjithë veprimtarët e LSI-së, kundër atyre që i kishim kundër.
Luftën e parë, atë me sëmundjen Ridvani nuk e zgjodhi vetë.
Por zgjodhi ta sfidojë e të mos i nënshtrohet, zgjodhi të mos i trembet, por duke luftur kundër saj në emër të dashurisë për jetën.
Ndërsa, luftës së dytë, asaj për zgjedhjet Ridvani nuk i iku.
Nuk i iku në emër të dinjitetit, edhe pse të gjithë iu lutëm të merrej me shëndetin e të mbante larg emocionet dhe stresin e zgjedhjeve.
Pothuaj çdo natë në orarin tonë të komunikimit, Ridvani më pyeste për fushatën, për problemet, për veprimtaritë që zhvillonim. Dhe më dërgonte emra njerëzish influentë dhe numrat e tyre të telefonit pa harruar edhe porosinë; merri në telefon, takoji!
Unë nuk e di se ku e gjente gjithë atë forcë Ridvan Mura i mirë që asnjë ditë nuk m’u nda edhe gjatë zgjedhjeve, nuk e di se çfarë e shtynte deri në kufijtë e të paimagjinueshmes, por ama një gjë e mësova dhe nuk do ta harroj gjithë jetën; pesha e dinjitetit e bën njeriun të dallueshëm prej frymorëve të tjerë dhe i jep forcë të atillë që të dijë të dëshmojë karakter dhe ndershmëri, edhe kur është në kushtet e vështirësive ekstreme.
Ridvan Mura e vazhdon betejën e tij për jetën si një sfidant besimplotë, i bindur dhe i vendosur të fitojë.
Betejën nuk e ka të lehtë, por ai do ta fitojë me forcën e karakterit, me kurajon që të jep dashuria për jetën dhe shembulli i madh i babait për fëmijët, i bashkëshortit për bashkëshorten.
Fati e ka vënë atë përballë luftës më të vështirë, ndaj duhet ta fitojë. Dhe do ta fitojë!
Sepse Ridvan Mura është një shembull, është modeli, është referenca e peshës së dinjitetit në jetën e njeriut.
PESHA E DINJITETIT
DHE RIDVAN MURA SI SHEMBULL …Raporti i njeriut me dinjitetin ka qenë e mbetet gjithnjë…
Posted by Luan Rama on Wednesday, May 5, 2021