Lubonja: A fshehu operacioni antidrogë, kokat e trafikut?

Në një shkrim të kësaj të hëne, lidhur me dilemat e operacionit antidrogë, publicisti Fatos Lubonja ka kërkuar ta shikojë këtë ngjarje përtej scoop-it mediatik të arrestimit të nipit të Enver Hoxhës. Në gazetën "Panorama" ai ngre një sërë pikëpyetjesh që kanë tërhequr këto ditë vëmendjen e publikut.

 

Duke u nisur nga dilema nëse një operacion i tillë duhet parë si një hap drejt pastrimit të shoqërisë dhe politikës apo jo?- ai vazhdon…  “Pikëpyetja e parë është se si ka mundësi që kjo fabrikë– më e madhja në Ballkan– qenka ngritur pikërisht në kohën kur është kjo maxhorancë në pushtet, madje një maxhorancë që i ka shpallur luftë botërisht drogës. Kësaj i shtohet edhe pyetja nëse është e vërtetë se rrjeti e ka kryer aktivitetin më parë jashtë, siç thuhet në disa media, dhe fakti që tani vendosën ta zgjerojnë në Shqipëri, a nuk të bën të dyshosh se kanë pasur një garanci më të madhe, pikërisht pse janë afër apo edhe sponsorë të kësaj maxhorance– siç pretendon edhe opozita?

 

U shtohen këtyre pyetjeve edhe disa informacione lidhjesh farefisnore, miqësore apo të biznesit të një pjese të këtyre njerëzve me pushtetarë socialistë. Shtohet gjithashtu edhe një pyetje, që është ngritur së fundmi: në një kohë që Policia dhe Prokuroria mburren që kanë mbajtur sekretin, si shpjegohet që kanë ndërhyrë që të nesërmen e ditës kur është zbuluar laboratori (13 janar), ndërkohë që ta do mendja se për të zbuluar bashkëpunëtorët e rrjetit në dogana e kufi apo edhe pritësit në Gjermani do të duhej të ndiqej i gjithë trafiku? A mos vallë ndërhyrja me kaq shpejtësi është bërë për të mbuluar gjurmët e kokave më të rëndësishme”?

 

Këto janë pikëpyetjet që shtron Lubonja, përgjigjen e të cilave ai e pret nga mënyra se si do të hetohet kjo ngjarje. Pikërisht për këtë ai e konsideron si një rast pozitiv e të rëndësishëm që duhet ndjekur me vëmendje.

SHKARKO APP