Lubonja: Skizofrenia shqiptare dhe Edi Rama në “La 7”

Intervista e kryeministrit shqiptar Edi Rama në televizionin italian "La 7" në Shqipëri prodhoi në njërën anë një lloj entusiazmi naiv patriotik, ndërsa në anën tjetër përplasje politike për një ngjarje të para 18 viteve. Edhe publicistin Fatos Lubonja nuk e ka lënë indiferent kjo intervistë e kryeministrit, por në një opinion në të përditshmen Panoram, ai e ka trajtuar atë si pjesë të një fenomeni më të gjerë që po përhapet çdo ditë e më shumë. është fjala për atë që Lubonja e quan skizofrenia shqiptare, e cila bën që shqiptarët që mallkojnë përditë realitetin e vështirë ku jetojnë dhe që lumturohen kur mediat e huaja ua servirin Shqipërinë e tyre si një copë parajse. Në këtë tentativë për të mashtruar opionionin publik nëpërmjet pasqyrës që ofrojnë kryesisht mediat italiane, e shikon Lubonja edhe intervistën e fundit të Edi Ramës, i cili vendin që para një viti e gjysëm e definonte si më të mjerë të Europës, sot e pikturon si tokën e premtuar edhe për italianët. Një skizofreni e qëllimshme, mendon Lubonja në këtë rast, "sepse gatimi i këtij imazhi të rremë të Shqipërisë nuk vjen direkt nga kuzhinat mediatike italiane, por nga kuzhinat e Tiranës në bashkëpunim me një gazetari të keqe italiane (ndoshta edhe me ambasadën italiane). Ky manipulim nëpërmjet mbulimit të Shqipërisë reale me gjethen e fikut të vizatuar nga mediet e huaja koincidon me ardhjen e qeverisë së re në pushtet me në krye një mjeshtër të manipulimit mediatik, siç është Edi Rama, i cili ka një aparat propagandistik (sot e quajnë network) që punon dhe shpërblehet për këtë punë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe qëllimi i kësaj pune, siç e thashë, nuk është sjellja e investimeve, por manipulimi i njerëzve, trullosja në mos mpirja e sensit të tyre të realitetit, e sensit të tyre kritik", shkruan Lubonja.

Më poshtë shkrimi i tij botuar në gazetën Panorama.

 

Para disa kohësh kam botuar një artikull, ku midis të tjerash kam shkruar edhe për skizofreninë shqiptare. I mëshoja idesë se shqiptarët vazhdojnë edhe sot, si në kohën e propagandës komuniste, të jetojnë në mënyrë skizofrenike në dy botë: njëra ajo e mburrjes me heronjtë e figurat e tyre të lavdishme dhe tjetra ajo e mallkimit të gjendjes së tyre të mjeruar, që rezulton e shkaktuar nga po këta figura. Në atë shkrim e kisha fjalën për heronjtë e UÇK-së, që po e qeverisnin Kosovën kundër shqiptarëve. Mora shumë sulme në atë kohë, që më akuzonin si antishqiptar deri në atë shkallë sa po i shaja shqiptarët si të sëmurë psikikë. Në fakt, përdorimi i termit skizofreni nuk ka vetëm kuptimin psikiatrik, por edhe një kuptim tjetër: si bashkekzistencë elementesh inkompatibël apo kontradiktorë në një gjendje, në një libër, në një politikë, shkrim, fjalim apo mendim. Është një term që përdoret për ta shprehur edhe më me forcë atë që me fjalë më të buta mund të quhet kontradiktë, inkoherencë.

Rasti po më jepet që ta sqaroj edhe një herë termin që kam përdorur. Ndërkohë që vendi njohu përmbytjen më të paparë në historinë e vet, për shkak të abuzimeve të rënda njëzetvjeçare me territorin, ndërkohë që në Shqipëri ka shpërthyer krimi sheshit duke arritur të vërë eksplozivë deri në biznesin e familjes së ministrit të Brendshëm, ndërkohë që kriza ekonomike është shpalosur rëndshëm, e lidhur edhe me krizën në Greqi dhe Itali, ndërkohë që shumë shqiptarë po ikin si kurrë më parë në vitet e fundit, në mediet shqiptare pashë të adhurohet një shkrim i Roberto Savjanos “Kjo nuk është më Shqipëria e nënshtrimit”, marrë nga “Espresso”, ku shkrimtari i “Gomorra”-s përsëriste lajtmotivin e një kënge, që ka disa kohë që këndohet në mediet italiane. Sipas kësaj kënge, Shqipëria ka ndryshuar, aq sa tashmë nuk kemi më fenomenin e ikjes, por atë të ardhjes jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të italianëve. Dhe ajo që më la pa gojë edhe më shumë sesa Shqipëria e përshkruar nga Savjano, ishte reagimi i shqiptarëve në rrjetet sociale. Thuajse të gjithë ishin të lumtur që jashtë shtetit flitet mirë për vendin e tyre, se Kryeministri i kishte përfaqësuar ata denjësisht, aq më tepër sikur ishin bindur edhe vetë se kjo ishte e vërteta. Thoshe me vete: janë apo nuk janë këta që ankohen pa fund për gjendjen në Shqipëri?

Ja për këtë lloj skizofrenie e kisha fjalën.

 

* * *

A është kjo skizofreni një gjë e natyrshme apo një sëmundje kulturore? Sipas meje, deri në një pikë është e natyrshme për sa kohë si qenie njerëzore jemi të shtrënguar të jetojmë shumë kontradikta, ndër të cilat një nga më të fortat është pikërisht ajo midis reales dhe ideales, midis dëshirave të pamata që kemi dhe mundësive të kufizuara për t’i realizuar ato. Por pikërisht për të njohur diferencat midis këtyre dhe për të gjetur mënyrën se si t’i jetojmë në mënyrë sa më të shëndetshme këto kontradikta, na shërben inteligjenca jonë, edukimi, kultura; Na shërben edhe politika, edhe gazetaria. Kurse mua më rezulton se një kulturë perverse e politikës dhe e gazetarisë kërkon t’i (keq)përdorë këto kontradikta njerëzore. Duke shfrytëzuar dobësinë e njerëzve që, edhe kur ndihen keq, duan vetëvlerësim për t’u ndier mirë dhe faktin se shqiptarët e kërkojnë këtë veçanërisht nga të huajt, ndaj të cilëve kemi kompleks inferioriteti, politika shqiptare tenton të manipulojë njerëzit nëpërmjet medieve të huaja. Këtë e bën duke ua shitur atyre realitetin që jetojmë si parajsë dhe pastaj duke na i kthyer shkrimet dhe reportazhet e tyre si pasqyrën ku duhet të shohim veten. Dhe kjo për të legjitimuar pushtetin e autorëve të kësaj parajse në fakt skëterre. Shqiptarët që s’kanë pavarësi mendimi mbeten kështu të sugjestionuar nga autoriteti i të huajve e shohin vendin si parajsë dhe si skëterrë njëherësh. Një pjesë e mirë kalojnë nga njëra gjendje në tjetrën, nga njëra botë në tjetrën pa arritur të kuptojnë se ku qëndron mashtrimi dhe cilët janë mashtruesit.

 

* * *

Ky manipulim, veçanërisht me medien italiane, ka ca kohë që ka filluar rëndshëm. Para disa kohësh kur isha në Bari, më erdhën dy gazetarë dhe më bënë pyetjen pohim: na e shpjego pak të lutem këtë mrekullinë shqiptare; tani nuk janë më shqiptarët që ikin nga Shqipëria, por italianët që vijnë në Shqipëri. Kuptohet, mbeta i befasuar. M’u kujtua një film i Amelios që ka bërë para ndonja dy-tre vjetësh që mbyllet me personazhin që shkon e gjen punë në Shqipëri dhe u thashë se e paskan marrë fiksionin e Amelios, që synon të ironizojë gjendjen në Itali, si realitet. Por jo shumë kohë më vonë pashë një faqe të tërë të “La Republica”-s me këtë temë, që intervistonte edhe një shqiptar të suksesshëm që është rikthyer në Shqipëri dhe ka hapur një call center. Nuk vonoi shumë dhe një gazetare e “Rai 2” më erdhi një ditë në shtëpi dhe më tha se kishte ardhur të paraqiste Shqipërinë ku po kthehen jo vetëm shqiptarët, por po vijnë edhe italianët. Kur i kërkova të më thoshte se cilat ishin këto bizneset italiane që paskan ardhur e po e lulëzuakan Shqipërinë, nuk diti të më thotë si rast më të suksesshëm sesa call center-in e famshëm. Po pse të duket punë për njeriun puna në një call center? – i thashë, ku të rinjtë shqiptarë futen si pulat në inkubator për 8 orë duke bërë telefonata idiote për të marrë 200–300 euro në muaj?

Është normale, madje simpatike që ka italianë që nuk e shohin Shqipërisë me sy racist, siç është vështrimi që ende mbizotëron në Itali. Por edhe këtyre gazetarëve u kërkohet një sens realiteti, nuk u lejohet që të mashtrojnë bashkëqytetarët e tyre, pa e ditur, ndoshta, se po përdoren edhe për të mashtruar shqiptarët.

 

* * *

Dalja e Ramës në “La 7”, në një emision që tentonte të paraqiste Shqipërinë si parajsën e italianëve, ishte për mua një pikë kulminante e një politike të tillë skizofrenike. Sepse duke e dëgjuar nuk mund të mos mendoje për skizofreninë shqiptare: ishte i njëjti njeri që para jo më shumë se një viti e gjysmë ka bërë përshkrimet më të zymta të gjendjes së Shqipërisë: mjerim, varfëri, papunësi, korrupsion, padrejtësi, klientelizëm, sistem që korrupton edhe gjermanët jo shqiptarët, çfarë nuk ka thënë. Duhet të jesh budalla të mendosh se Shqipëria u kthye në parajsë për italianët në këtë një vit e gjysmë kur janë ndërprerë thuajse edhe investimet për shkak se më parë duhen paguar borxhet – siç ka thënë edhe vetë Kryeministri. Dhe ai i famshmi që ka hapur call center nuk ka ardhur në kohën e Ramës, por në kohën që Rama mallkonte. Edhe Amelio në atë kohë e ka bërë filmin. Por, për çudi, as opozita nuk reagoi për këtë. Nuk i kërkoi Kryeministrit as llogari se pse nuk ul bythën të punojë në zyrë, por e shohim gjithë kohën në ajër duke fluturuar jashtë për të promovuar Shqipërinë si vepër artistike të tij, ndërkohë që ajo është më keq se kurrë. Sepse të gjithë duhet të jemi të lumtur për imazhin e Shqipërisë në botë. Dhe kush thotë se nuk është kështu, shpejt e paraqesin si antishqiptar. Ja kjo është skizofrenia.

 

* * *

Dikush mund të thotë se Kryeministri e ka bërë këtë për të tërhequr investitorë italianë. Unë nuk mendoj se një italian mund të vendosë të vijë në Shqipëri nga një emision televiziv. Ai mund të vijë të investojë pasi ta shkelë terrenin; dhe, në mos qoftë mafioz- siç kanë qenë për fat të keq mjaft italianë që kanë investuar në Shqipëri- do ta mendojë dy herë investimin në një vend, ku përditë vihet tritol dhe grabiten banka.

Që t’i bie shkurt, unë jam bindur se gatimi i këtij imazhi të rremë të Shqipërisë nuk vjen direkt nga kuzhinat mediatike italiane, por nga kuzhinat e Tiranës në bashkëpunim me një gazetari të keqe italiane (ndoshta edhe me ambasadën italiane). Ky manipulim nëpërmjet mbulimit të Shqipërisë reale me gjethen e fikut të vizatuar nga mediet e huaja koincidon me ardhjen e qeverisë së re në pushtet me në krye një mjeshtër të manipulimit mediatik, siç është Edi Rama, i cili ka një aparat propagandistik (sot e quajnë network) që punon dhe shpërblehet për këtë punë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe qëllimi i kësaj pune, siç e thashë, nuk është sjellja e investimeve, por manipulimi i njerëzve, trullosja në mos mpirja e sensit të tyre të realitetit, e sensit të tyre kritik. Sepse kjo punë i shërben pushtetit jo vetëm për të rritur prestigjin dhe autoritetin e tij mbi shqiptarët, por edhe për të delegjitimuar kritikën e brendshme që është edhe kështu shumë e dobët për shkak të një opozite të diskredituar dhe të një medie dhe shoqërie civile më së shumti klientelë e pushtetit.

SHKARKO APP