Lufta e Ballkanit me pandeminë

Placeholder Image

Janusz Bugajski

Asnjë vend nuk ka imunitet ndaj pandemisë së coronavirusit, por rajonet më të varfëra me sisteme të pamjaftueshme të kujdesit shëndetësor dhe planifikim të dobët do të jenë më të prekurat në planin afatgjatë. Edhe pse në Ballkan, epidemia, deri më tani, është përhapur në mënyrë të kufizuar, një valë infeksionesh parashikohet të përfshijë rajonin derisa një përqindje e konsiderueshme e popullsisë të mund të krijojë imunitet.

Mbi 4,000 raste infektimi të regjistruara dhe mbi 70 vdekje të lidhura me virusin janë zyrtarizuar deri më tani në të gjithë gadishullin Ballkanik dhe numri po rritet. Pavarësisht paralajmërimeve të mjekëve, jo të gjithë udhëheqësit politikë e kuptuan që në fillim se sa serioz ishte kërcënimi dhe të paktë kanë qenë ata që ishin të gatshëm të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre partiake gjatë krizës.

Kosova, ku kryeministri dhe presidenti dështuan të linin mënjanë dallimet e tyre, teksa kërcënimi i pandemisë u përshkallëzua, është shembulli më i qartë i kësaj. Qeveria jetëshkurtër e kryeministrit Albin Kurti humbi votimin e mosbesimi në parlament dhe vendi tani do përballet me muaj të tjerë trazirash politike.

Zgjedhjet e mundshme në një kohë krize kombëtare jo vetëm do të bëjnë të pamundur një përgjigje të bashkërenduar ndaj pandemisë, por do të dëmtojnë edhe më tej besimin e publikut tek politikanët dhe institucionet e Kosovës. Kjo do t’i japë fuqi kundërshtarëve të Kosovës (që do mbrojnë) se vendi nuk ka qeveri legjitime. Kjo gjithashtu mund të ringjallë edhe marrëveshjen e përfolur mes Thaçit dhe Vuçiçit për shkëmbim territoresh.

Kufizimet dhe izolimet kanë qenë joproporcionale në mbarë rajonin dhe kanë ngritur dyshimet, ashtu si në Shqipëri, se qeveria po përdor masa urgjente kundër pandemisë për të bllokuar opozitën politike dhe forcuar kontrollin e saj mbi institucionet kombëtare. Një ligj që u propozua në Kroaci dhe i cili i jep mundësinë autoriteteve të monitorojnë pajisjet e komunikimit të personave që janë në vetë-izolim ka zemëruar publikun.

Çdo qeveri duhet të ketë një mesazh të qartë në luftën kundër virusit dhe të lejojë ekspertët shëndetësorë dhe epidemiologët të shpjegojnë faktet pa njëanshmëri politike. Gjithashtu, qeveritë duhet të jetë konsistente në vendosjen e kufizimeve. Pa informacion të saktë, të vërtetë dhe të përditësuar, publiku ndihet i hutuar e madje edhe më i frikësuar. Dhe frika nga pandemitë mund të shkaktojë konflikte politike, sociale dhe etnike.

Një fluks i ri i mundshëm refugjatësh nga Siria i kombinuar me një shpërthim pandemik mund të provokojë dhunë në mjaft shtete. Kjo do të përkeqësohet nga gjasat që Europianët Perëndimorë nuk do të strehojnë më refugjatë dhe ata do të mbeten në Ballkan. Perspektiva e një valë të re refugjatësh nga Lindja e Mesme mund të jetë (arsyeja) që gjithashtu ka bindur Berlinin dhe Parisin që të bashkëpunojnë më ngushtë me shtetet tranzit dhe më në fund të lejojnë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë negociatat e pranimit në BE.

Ndikimi ekonomik i virusit mund të jetë shkatërrues jo vetëm për punonjësit dhe kompanitë, por edhe për buxhetet shtetërore. Çdo qeveri duhet të implementojë një paketë gjithëpërfshirëse shpëtimi për popullin në kohë të ngadalësimit ekonomik për të parandaluar konfliktet e mundshme sociale. Ballkani mund të presë një rënie të madhe ekonomike përmes rënies së PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto), deficite më të larta buxhetore, investime të tkurrura dhe rritje të papunësisë. Fillimi i bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të mundësojë që të dy vendet të hyjnë në Fondin e Solidaritetit të BE-së për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë në luftën kundër ndikimeve të virusit. Sidoqoftë, meqë ekonomitë e BE-së gjithashtu do përballen me tkurrje për shkak të pandemisë, rajoni nuk do të ketë përfitime të konsiderueshme ekonomike në kohë të shkurtër.

Pretendimet që BE nuk i ka ndihmuar vendet e Ballkanit që t’I bëjnë ballë virusit janë të pavërteta. Pretendime të tilla i japin Kinës mundësinë që duke dërguar ndihma në disa shtete europiane të përmirësojë imazhin e saj të dëmtuar pasi nuk tregoi për kërcënimin prej virusit. Pasi presidenti Vuçiç deklaroi se anëtarët e BE-së nuk e kanë ndihmuar Serbinë me pajisje mjekësore, BE miratoi 7.5 milion euro për Beogradin për të luftuar krizën dhe nisi avionë me ngarkesa për të dërguar furnizimet e nevojshme. Në rastin e Shqipërisë, mbetet e paqartë nëse vendet jashtë BE-së, përfshirë Turqinë, do të ofrojnë në të vërtetë ndonjë pajisje, pavarësisht premtimeve fillestare.

Frika në rritje për një ofensivë kineze për shtënien në dorë të ekonomisë në Europë mund të ulet për shkak të frikës nga pandemia. Pekini mund të gjendet në një pozitë më të dobët ekonomike për të zhvilluar Nismën e Brezit dhe Rrugës (BRI) përgjatë Euro-azisë apo programin e tij 17 + 1 me vendet e Europës Juglindore. Për më tepër, vendet pritëse mund të jenë më pak të gatshme të lidhin kontrata ekonomike të paparashikueshme me Kinën. Sidoqoftë, këto nuk do të kenë ndonjë dobi për shtetet më të varfra europiane që kishin hedhur sytë nga Kina për investime të reja dhe kanë alternativa të kufizuara. Stuhia ekonomike nuk ka ardhur ende.
Dita

SHKARKO APP