Lufta e ftohtë mes opozitarëve për kthimin në Kuvend
Nga Mero Baze
Të paktën tre aleatët kryesorë të Luzlim Bashës, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi dhe Agron Duka, janë pro futjes në Kuvend sa më shpejt, për tu ballafaquar me reformën zgjedhore, i cili është interes jetik i tyre.
Në daljet e tyre të fundit publike, ata kanë theksuar nevojën të kthehen në Kuvend, pasi Lulzim Basha po i shamnget jo vetëm publikisht, por dhe në tryezën e opozitës, pyetjes themelore, se çfarë duhet bërë me reformën zgjedhore.
Për aleatët e PD, reforma zgjedhore është interes themelor, pasi ata përmes saj, sigurojnë mbijetesën në politikë. Por për Lulzim Bashën, reforma zgjedhore është po ashtu interes themelor, që të mos bëhet, pasi ai vetëm me këtë sistem zgjedhor siguron pushtet brenda opozitës pasi ka në dorë listat e deputetëve.
Nga mënyra se si Basha ka vepruar me spastrimet brenda PD, ndodhi që në zgjedhjet e 2017, ai përdori aleatët duke u dhënë vende të sigurta në listën e PD dhe zboi kundërshtarët e vet nga partia. Për këtë shkak aleatët ia falën mos përfshirjen në ndryshimet e sistemit zgjedhor.
Tani është koha kur aleatët e tij ndjehen të kërcënuar nga ky sistem dhe nuk shikojnë asnjë arsye që Basha mes tyre dhe njerëzve që ka besnik brenda në PD, të zgjedh këta.
Është kjo arsyeja që Mediu, Shehi, apo Duka, kërkojnë doemos një përgjigje të qartë për reformën zgjedhore ndërsa Dulja dhe Ndoka janë të interesuar për këtë sistem që është, pasi ata kanë keqkuptimin që përfaqësojnë komunitete me identitet fetar apo etnik. Ndoka pretendon se përfaqëson katolikët në veri, kurse Dulja pretendon se përfaqëson pakicën greke në jug, gjë që është provar që nuk është e vërtetë. Por duke mos pasur rrugë tjetër ata shpresojnë se Basha do t’i mbajë si përfaqësues të këtyre komuniteteve.
Ndërsa Mediu, Duka e Shehi, nuk kanë parti identitare, por elektorat të krijuar në bazë lidhjesh personale dhe lidhjeve në pushtet, elektorat i cili shpërbëhet nëse nuk e garanton përmës një sistemi zgjedhor që ta ruan përfaqësimin.
Për këtë arsye zërat për kthimin në Kuvend, janë realë dhe burojnë nga nevoja jetike, që aleatët e Bashës të marrin pjesë në tryezën e reformës zgjedhore, e cila nga ana tjetër është e vetmja arsye, përse Basha po rri jashtë Kuvendit.
Arsyet e tjera pastaj, ai i gjen rrugës, që nga protestat e Unazës së re, deri tek kjo gjëma e kërcënimit të Salianit me snajper. Arsyeja reale është që Basha nuk do të ndeshet me reformën zgjedhore dhe aleatët e tij duan patjetër një përgjigje për këtë. Dhe besoj se ata nuk do kenë shans ta marrin kurrë atë përgjigje, pasi Basha do t’i mbajë nga pas deri në mesnatën e famshme të listave.
Pastaj dhe këta do ti bashkohen atyre që Basha i hoqi mesnatën e 18 majit.