Lutemi pak transparencë me grekun

Ligji i Luftës është ndër më qesharakët që edhe nëse vazhdon e rri në fuqi, i bën turp fqinjëve tanë dhe nuk mund të na e shesin si lëshim pasi në mos është shenjë ligësie, është tregues budallallëku…

Nga Dritan Hila

Politika e jashtme e Edi Ramës ka një lloj përqasjeje me okultizmin e tenderave që shpërndan lart e poshtë. Përjetuam takimin e dytë të ministrave të jashtëm Bushati dhe Kotzias dhe ajo që kemi marrë vesh nga deklaratat e tyre për shtyp janë vetëm fjalë të përgjithshme për frymë mirëkuptimi që duhet të kemi. Ndërkohë duke ditur që diplomacia greke nuk është ajo që bën hapa mbrapa; që nëse ka probleme ato nuk i ka shkaktuar pala shqiptare, dhe kjo nuk ka lidhje me autolezionizëm kombëtar por rrefugjatët dhe të vrarët janë nga ana jonë, atëhere i bie që grekët e Kotzias kanë bërë hapa mbrapa. Por në fakt ajo që shikojmë është një rifillim i gërmimeve për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë të vrarë në konfliktin italo-grek të viteve ’40 dhe asnjë lajm për problematikat e tjera.

Ndërkohë çështjet e akumuluara nga të dy vendet nuk janë 70 vjeçare, por fillojnë me krijimin e shtetit shqiptar. Problematika me Greqinë nisin me mosfirmosjen nga fqinji jugor i Protokollit të Firences që njeh kufijtë e shtetit shqiptar. Ky po që është problem. Pastaj vazhdon me çështjen e piramidave, të bashkëadministrimit të lumenjve, çështaj e genoncidit çam dhe pastaj vihet te varrezat greke të cilat më shumë se problem humanitar janë cilësuar politik. Dhe pala greke nuk ka asnjë dyshim për këtë. Vetë Karolios Papulias kur ishte ministër i jashtëm i Greqisë, në vizitën e tij në vitin 1987 i konsideroi të rënët e palës greke si të rënë në tokën e tyre. Ndaj ato varreza nuk mund të ekzistojnë në formën që janë. Përndryshe janë një zbythje e Shqipërisë dhe jo çështje mirëkuptimi.

Ndërkohë Ligji i Luftës është ndër më qesharakët që edhe nëse vazhdon e rri në fuqi, i bën turp fqinjëve tanë dhe nuk mund të na e shesin si lëshim pasi në mos është shenjë ligësie, është tregues budallallëku.

Argumentimi nga maxhoranca socialiste se ishin të detyruar të zbatonin ligjin e miratuar nga qeveria Berisha pasi “askush nuk e kishte hedhur në gjyq këtë ligj, ndaj ishin i detyruar ta zbatonte” ishte foshnjarake. Vetë qeveria e sotme shqiptare mund ta hidhte në gjyq këtë ligj. Ashtu siç kanë nge të merren me gjyqet e atyre që pushojnë nga puna, duhet të gjenin kohë edhe të merreshin me këtë problem. Aq më tepër që ka qenë kalë beteje i socialistëve ndaj kundërshtarit të tyre dhe argument për shitjen që i kishte bërë atdheut qeveria paraardhëse.

Ndërkohë suksesi i bisedimeve nuk duket se shoqërohet me ngritjen e grupeve të punës për çështjet që janë pezull. Asnjë zotim nga pala greke për nënshkrimin e protokollit të Firences apo për gjithë gjërat e tjera që janë pezull, sidomos atë të lumenjve, ndërkohë që çështja hidrike do jetë një problem i madh i dekadave të ardhshme. Ajo që ka lëvizur mirë duket se është axhenda greke e cila me vendosjen e dy varrezave jo vetëm që nuk shuan një problem por vendos një piketë për një problematikë të re, është një piketë e re e Vorioepirit.

Edhe për vetë procedurën e zhvarrosjes duket se ka një farë mefshtësie. Por ky nuk është problem shqiptar, përderisa ata nuk plaçkisin ershtrat e shtetasve tanë. Problemi është tek heshtja. Dhe duke ardhur në një nivel më të lartë, në takimin e Davosit që do mbahet në Zvicër të enjten mes kryeministrit Rama dhe atij grek Tsipras, nuk ka asnjë informacion. Është e vërtetë që diplomacia nuk është profesion që ushtrohet nën dritën e prozhektorëve, por një minimum transparence është i nevojshëm. Ndërkohë Edi Rama i cili është në tërheqje në të gjitha frontet, në diplomaci ka një bilanc katastrofik. Në të gjitha takimet e tij ka prodhuar barcaleta që filluan me Serbinë dhe po përfundojnë në përrallat patriotike me Maqedoninë. Edhe marrëveshjet me Greqinë nuk janë bilanc fitoreje por lëshimet që bëhen gjithmonë nga udhëheqësit shqiptarë kur janë në zbythje. Ndaj edhe në këtë rast, nëse nuk na dëshmohet se çfarë kanë marrë në shkëmbim nga pala greke për çështjen e varrezave, atëhere këtu nuk kemi të bëjmë as me zbutje klime dypalëshe dhe as me fitore. Është pazari i rradhës që bën çdo autokrat shqiptar që jargavitet pas pushtetit dhe pasurisë. Dritare.net

SHKARKO APP