Magjia e zezë politike

Nga Dritan Shano-
Mendoj se politikat që synojnë rritjen ekonomike përmes rritjes së konsumit kanë dështuar në Shqipëri. Të njohura ndryshe si politika të krahut të kërkesës ato shohin shtetin të luajë Zotin në ekonomi përmes politikave fiskale dhe atyre monetare (rrit taksa, ul e ngri norma interesi, rrit shpenzimet qeveritare etj.) Ato nuk kanë sjellë rritje ekonomike të përkthyer në mirëqenie – rritja ka qenë sasiore, por jo cilësore – dhe po ashtu rritjen e konsumit e udhëheq qeveria më shumë se individët dhe operatorët e tjerë ekonomikë. Ky model rritje tek ne ka nxitur autoritarizmin dhe varësinë e njerëzve nga shteti, ndërsa ka rindezur emigracionin masiv.
Realiteti Ekonomik
Mendoj se modeli i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë duhet të anojë e të mbështetet më fort nga rritja e prodhimit, të bazohet në politika të krahut të ofertës (derregullim, ulje taksash, investim në arsim dhe VET, infrastruktura, ul taksat, treg pune më fleksibël). Shqipëria sot nuk prodhon thuajse asgjë, ndërsa sfida është që jo vetëm të prodhojë por të jetë më produktive dhe konkurruese. Me këtë model rritje qeveria fillon t’i shërbejë ekonomisë, jo të jetë Zoti i saj, dhe shanset që rritja të jetë më shumë cilësore sesa sasiore janë më të mëdha. Administrata duhet shfryrë dhe shpenzimet qeveritare ulen duke i prioritizuar dhe bërë ato transparente. Kjo nuk ndodh me urdhër të peshkut, brenda një dite. Natyrisht, përqafimi i këtij modeli të rritjes ekonomike i bazuar tek rritja e prodhimit, duhet të jetë i sinqertë; ai nuk mund të paraprihet nga politika që rrisin koston e biznesit.

SHKARKO APP