Majko për Agollin: I vetmi që ftova në dasëm
Ata që patën fatin ta njohin nga afër, do të kishin dashur që koha të kthehej pas dhe të ripërsërisnin edhe njëherë bisedat e gjata mbushur plot humor por mbi të gjitha me humanizëm. Në dyvjetorin e vdekjes së Dritëro Agollit, Ministri për Diasporën, Pandeli Majko shkruan për Dritëroin që njohu ai, për atë burrë flokëbardhë, që mosha nuk i ndihej. Majko shpalos kujtimet me nostalgji, që nga koha kur u flisnin të rinjve në Qytetin Studenti apo rimëkëmbja e të majtës. Ndërkaq, ai nuk harron t’i dërgojë një letër edhe shoqes së jetës së Dritëroit, Sadijes, që sot vazhdon ende të jetojë me të, ulet ku ulej ai dhe çdo çast i duket se ai do shfaqet aty, i bardhë. Kujtimet e Pandeli Majkos dhe shumë të tjerëve do të jenë pjesë e një botimi të veçantë kushtuar poetit, shkrimtarit, gazetarit, politikanit dhe njeriut, Dritëro Agolli.
PANDELI MAJKO
PËR DRITËROIN
Dritëro Agollin e njihja nga librat e tij kur e takova për herë të parë… Do shkonim me Fatos Nanon në Qytetin Studenti dhe të vetmin “kusht” si organizatorë të takimit, bashkë me shokët, i vendosëm për të ardhur me Dritëroin.
“Vetëm atë e pranojnë studentët!…”, u thamë shkurt drejtuesve të Partisë Socialiste, që sapo kishte ndryshuar emrin nga Partia e Punës. Nga një takim, i cili filloi i ngrirë për arsye që kuptohen, falë ndërhyrjeve të Dritëroit ai u kthye në një takim të çlirët. Me humorin e tij të hollë filluan të oshtinin të qeshurat e studentëve të Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike. Ai ishte konvikti ku kishte filluar Lëvizja e Dhjetorit Pas takimit, Dritëroi u nda nga ne i prekur. Kur e përcollëm, veç lëshoi fjalën “Djem!…”. Një lavdërim që veç ai dinte të ta thoshte ashtu, me një rrokje.
Më pas, koha më vendosi në krah të shkrimtarit dhe politikanit më të veçantë të periudhës së pas viteve ‘90 në Kuvendin e Shqipërisë. Dallimi i tij nga të tjerët ishte mënyra njerëzore se si ai e trajtonte politikën. Fjala e tij në Kuvend dëgjohej me respekt të veçantë. Shpesh, pas heshtjes së rëndë të fjalës që lëshonte në sallë, nuk mungonte as “kripa” e ironisë, që shkaktonte buzëqeshje edhe te kundërshtarët e tij më të ashpër në kuvend.
Koka e bardhë e Dritëroit në radhën e parë të sallës, në krahun ku vendosej grupi socialist në Kuvend, ishte si një “termometër”. Nëse ajo ulej, do të thoshte që situata ishte e ngarkuar dhe debati do të ishte i vështirë. Ai nuk vinte me diskutime të bëra gati në Kuvend. Dhe kur kishte shkruar diçka më parë do ta rishkruante atë në sallë me shkrimin karakteristik. Nga larg mund t’ia shikoje korrigjimet mbi atë që shkruante. Supet i tundeshin kur shkruante në sallë. Edhe kur nuk shkruante, do të “shkarraviste” diçka. “Komshiu” i tij, Et’hem Ruka, ia mblidhte rregullisht ato. Ne, deputetët më të rinj çuditeshim, kur Et’hemi na thoshte se ato “letra” më vonë do të duheshin.
Dritëroi na ishte i afërt. Kjo afërsi ishte kaq e natyrshme sa e harronim diferencën e moshës. Kjo ishte mjeshtëria e tij njerëzore, të cilën ai e kishte të natyrshme.
Kur u martova, Dritëroi ishte i vetmi nga “të vjetrit” e partisë i ftuar në darkën e dasmës sime, që shtrova për miqtë e brezit tim të Forumit të Rinisë Eurosocialiste. Koka e tij e bardhë me thinja nuk na bënte përshtypje. Ai ishte me “rebelët” e rinj të partisë. Ai ishte shok dhe Dritëro!
Na këshillonte në mënyrën e tij për “çarqet” e politikës jo vetëm jashtë partisë, por edhe brenda saj. Të ziheshe me Dritëroin ishte një mundim i madh, se ai nuk të jepte shkak. Por, kur të kthehej kundër… duhet të gjeje vend e të futeshe se ai të bënte të “njohur” me talljen e tij.
**
… Po ktheheshim nga Patosi në fushatën e referendumit të vitit 1994 me një nga makinat “Land Rover” e bardha të Partisë Socialiste (njiheshin si të tillë në mbarë vendin). Ishim të kënaqur nga pjesëmarrja e rinisë në mitingjet tona. Qëndruam në një nga “kioskat” e sapohapura buzë deti në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Mbase ajo ngrysje e bukur buzë detit, mbase kënaqësia e asaj që po shikonte me të majtën, e cila po ringrihej, ai foli pak më shumë se zakonisht. U hap një bisedë për Byronë Politike dhe komunizmin. Dritëroi nuk shante njeri, por dinte ta tregonte të vërtetën e vet.
Në një moment të bisedës e pyeta: “Dritëro, pse nuk i shkruan këto?”. Heshti, duke thithur fort e cigaren dhe me sytë nga deti, tha me qetësi: “Kanë fëmijë…!”.
Dritëroi na mësoi të ishim njerëz dhe pastaj politikanë. Nuk e pëlqente mohimin e së kaluarës si njeri. Tek ai, edukata e fshatit dhe tradita ishin “martuar” me dijen dhe perëndimin, të cilin ai e njihte bashkë me të metat. Ishte simbol i brezit të tij që humbën “betejën”, por jo luftën..
Ai ishte shpirti i asaj që çdo i majtë e përjetonte. Dy strofat e “Traditës”, të shkruara në vitin 1993, janë mënyra e të menduarit për cilindo që vendosi të quhej i majtë ne tranzicionin e ashpër shqiptar…
“Në Mars e grisi çarçafin e qiellit era,
Siç grisin erërat shpesh në Ballkan,
Mori përpara lisa dhe ferra,
Dhe reve u ngjiti katran.
Në çast kjo gjëmë e llahtarshme më gjeti
Diku në varreza në frikë e trishtim,
E çmendura erë kockat gati m’i shqepi,
U kapa pas gurit të varrit të gjyshit tim…”
Gjatë Luftës së Kosovës, në zyrën e Kryeministrit, në momentet më të vështira të negociatave të Rambujesë, telefonata e tij ishte si vazhdim i një bisede të lënë përgjysmë. Dritëro Agolli ishte miku im.
Kur u plak, i rrallova takimet me të. Marrëdhënia jonë u kthye në një miqësi pa shumë fjalë. Takimet ishin veç një kujtesë për ta pohuar atë. Plakja e Dritëroit m’u duk një “pabesi” e kohës, por jo e tij. E konsideroja shok, kurse ai… Ai u plak para syve të mi. Nga komunikimi i natyrshëm kisha “harruar” dallimin e moshës me të. Nuk dija si t’ia thosha se e doja të ishte si më parë. Të ishte ai Dritëro, të cilin njihja unë, dhe jo ai që pleqëria po ma “largonte” me butësi… Tani nuk është më. Tani ai është një memorial, ku koha kapet që mos “shqepet”. Kujtimi është i fundmi detyrim që kemi për njeriun, i cili meritoi emrin që mbajti.
Dritëro… faleminderit që jetove, jo vetëm për vete.
LETËR SADIJES…
Pasi e mbarova së shkruari dedikimin për Dritëroin, pavarësisht se ora ishte afër mesnatës, ia tregova atë, me një lloj padurimi, gruas sime për ta lexuar… Ajo e lexoi dhe duke parë nga unë e ankthi im, e prekur, bëri veç komentin “Sot, mos shkruaj më…!”.
Pasi e rilexova të nesërmen, kuptova se shkrimi duhet të kishte një “nesër”. Gruaja ka njëqind mënyra për ta kujtuar këtë të fundit. Në atë çfarë shkruajta duhet të kujtoja se miqësia jonë me Dritëroin kishte edhe një të përbashkët. Të dy ishim “dhëndër” Shkodre. Kjo e fundit, është një fjali e “çuditshme”, pasi nuk është diskutuar si temë miqësie me Dritëroin ose siç do ta thoshte ai, “këtë punë”. Ky pohim kishte qenë aty, në heshtje, si pjesë e marrëdhënies sonë miqësore. E dashur Sadije! Dritëroi nuk është midis nesh! Por, ai, për shumë arsye është me ne, edhe pse ti e kujton në mënyrën tënde kaq njerëzore. Ka gjëra, të cilat gratë e Shkodrës dinë t’i thonë pak më ndryshe se gratë e tjera.
Dritëroi shkrihej duke qeshur kur kujtonte britmat e tua në një rast, kur një mi i vogël kishte hyrë në shtëpi. E ëma e tij që nuk kuptonte thirrjet e tua me aksentin shkodran dhe kërkonte ndihmën e tij si “përkthyes”…
Sot, je ti e dashur Sadije që “përkthen” Dritëroin. Mungesa e tij, me ty, ka kuptim.
Një “nesër” si ty, paçin të gjithë burrat, si Dritëroi.