Mal Berisha: Suksese Kryetarit Mishto dhe VATRËS në udhëtimin e saj historik, tashmë, mëse 105 vjeçar!

(Nëm foto: Gjatë promovimit të librit të Ambasadorit Mal Berisha: “Charles Teleford Erickson- Jeta dhe Vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri” nga Federata Vatra. Maj 2013)

Ditët e fundit, Federata Pan-Shqiptare “VATRA” mbajti kuvendin e saj në Nju York i cili zgjodhi Z. Dritan Mishto si kryetarin e saj të ri. Një ngjarje e tillë është përshëndetur nga Ambasadori Mal Berisha, i cili është anëtarë nderi i kësaj Federate dhe një emër i shquar për kontributin e tij të vazhdueshëm ndaj saj.  “Si anëtar nderi i Vatrës, kam kënaqësinë dhe nderin të përshëndes z. Mishto dhe ti uroj nga zemra: Suksese në përmbushjen me sukses të kësaj detyre kaq të rëndësishme patriotike!,” u shpreh diplomati shkrimtari, publicisti dhe analisti i çështjeve politike, Z. Mal Berisha në një postim zyrtar në Facebook.

Më tej, ai vlerëson kontributin e kryetarëve të Federatës që në kohërat e hershme dhe rolin e VATRËS për Shqipërinë dhe Shqiptarët kudo ku ata gjenden. “VATRËN e kanë drejtuar burra të mëdhenj të kombit tonë. Ata e drejtuan VATRËN dhe VATRA vetë i rriti dhe i futi ata në histori. Jo vetëm korifejtë e VATRËS, Noli e Konica, por edhe dy kryetarët e fundit, njëri pas tjetrit, ingj. Agim Karagjozi dhe Dr. Gjon Buçaj i dhanë emër VATRËS ashtu sikundër Vatra iu dha emër atyre”,- shton diplomati.

Dritan Mishto, Kryetari i ri i Federates VATRA

Ai nënvizon se “Edhe z. Dritan Mishto, do të sjellë gjak të ri në VATËR, anëtarësi dhe frymë të re. “Përvoja e Z. Mishto në punët e shtetit shqiptar si diplomat është një vlerë e shtuar për këtë organizatë kaq prestigjioze. Në këtë aspekt VATRA dhe Mishto kanë çfarë t’i japin njëri tjetrit. I uroj suksese Kryetarit Mishto dhe VATRËS në udhëtimin e saj historik, tashmë, mëse 105 vjeçar!,” përfundon mendimin e tij Mal Berisha. Roli i diplomatit Mal Berisha në Federatën VATRA ka qënë gjithnjë spikatës. Në një nga intervistat e fundit për shtypin shqiptar, ish-kryetari i VATRËS, Dr. Gjon Buçaj nënvizon fort kontributin e Mal Berishës si një njeri që me veprat e tij mbi figura të shquara si Charles Telford Erickson dhe Herman Bernstein ka ngritur lart imazhin e Shqipërisë. Në maj të 2013, Federata VATRA promovoi librin e diplomatit Mal Berisha – “Charles Telford Erickson, jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri”.  Në këtë aktivitet morën pjesë shumë personalitete midis të cilëve edhe ish Konsulli i Përgjithshëm i R.SH në NY, Dritan Mishto.

SHKARKO APP