Marshimi për mbetjet e importit revolucion për vendin

Nga Sazan Guri.

Në dukje mund na ngjaj si marshim i thjeshtë, por mund të ngelet dhe të quhet marshim historik, sepse ishte marshimi i dytë për çështje sociale, ku qytetari nuk shkon për ideal politik, por për atë social.

Do të mbetet marshim historik, sepse i tregon politikës që më parë se të vendosësh duhet të ulesh me qytetarët.

Do të jetë marshim për tu mbajtur mend, sepse mund të hedh themelet e në lëvizje reale ‘Shqipëria zero mbetje në vend’, jo më me anë të një aksioni të pastrojmë shqipërinë për një ditë, por me anë të një filosofie të pastrojmë shqipërinë për çdo vit.

Do të jetë lëvizje, jo thjesht, për të ndaluar mbetjet nga jashtë, por për t’u marrë me mbetjet e tua brenda.

Duhet të jetë lëvizje, jo thjesht, të mos hidhen mbetje në rrugë, por të sistemohen ato të diferencuara, nëpër kosha plastik me kapacitet prej 1,7m3, të mbyllur, një për 1000 banorë, në vende jo të dukshme, me rreze shpërndarje prej 200m të sistemuara në katet përdhe të pallateve ose të rrethuar në zonat kopësht e publike të tyre, të përcaktuar enkas për mbetje të thata (plastik, letër, karton kanace,) dhe një tjetër për mbetje të njoma (organike). Dhe një tjetër më i vogël për mbetje elektronike.

Do jetë një lëvizje për mbetjet spitalore më vehte, për mbetjet inerte në kazanë shumë më të mëdhenj më vehte. Veç tyre duhet të ketë kosha të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme, nga 0,8m3 deri edhe në 0,2m3 me distanca respektivisht 60-700m dhe 100-200m.

Duhet jetë një lëvizje, që mbetjet të mos jenë marrëdhënie e Kryetarit të Bashkisë me kompanitë, ku historikisht kanë marrë pjesën. O ka biznes që i bën privati kësi punësh, o asnjë biznes tjetër, ndërkohë që Bashkia kontrollon, ndryshe nga sot që Bashkia bën politika të menaxhimit të mbetjeve, hyn në biznes me privatin dhe kërkon ta kontrolloj atë e vetveten. Si është zgjidhur menaxhimi i energjisë, i rrugëve, etj. Bashkia i ndërton këto biznese?!. Është Axhencia e Prokurimeve Publike-APP që shpall një tender të caktuar, dhe Ministritë apo bashkitë mund të jenë institucionet e kontrollit, duke qenë se janë të linjës dhe përfituesit direkt nga aktiviteti përkatës.

Duhet të jetë një lëvizje për mbetje zero, ku mbasi të mblidhen 100% nëpër familje e rrugë e aktivitete ekonomike të shkojnë në gropë ekologjike dhe jo në vendflakje, apo në buzë lumi, në rrëpirë mali e përroi, ku shqipëria me 3000 fshatrat e lagjet e saj ka po aq dampa, më sakt vendhedhje.

Duhet të jetë një lëvizje për mbetje zero, ku mbasi të shkojë në gropë ekologjike, si ajo e Sharrës, të trajtohet dhe jo gjoja të mbulohet, ku ujrat e helmëta i dalin nga poshtë dhe gazet e dëmshëm i fluturojnë nga sipër.

Duhet të jetë një lëvizje që të formojë koncept të shëndoshë mbi mbetjet, jo duke e quajtur si deri më sot sipas zhargonit popullor plehëra, por mall që ka ende shumë energji për të dhënë, ka ende fuqi puntore brenda, ka ende lëndë të parë natyrore, ka ende kosto për të nxjerrë prej saj, se ndryshe nuk na del ky planet, që deri më sot e kemi shfrytëzuar me koificient 1,2 ose 120% nga 0,1-0,2 ose 10-20% që duhet ta përdornim.

Duhet të jetë një lëvizje që mbasi të bëjë mbetjet e vendit zero, mbasi të sigurojë infrastrukturën e kontrollit, të flasë e të ulet me politikën, me vendimmarrësit dhe me kompanitë e biznesit, se cila mbetje ‘mall’ apo produkt që na jep produkt tjetër, na bënë hair për vendin.

Duhet të jetë një lëvizje që të përcaktojë nevojën e një djegësi kombëtar modern termik për nevoja të pashmangshme të vendit, si për rastet mbetje të djegshme, farmaucetike, spitalore, proteinike me origjinë shtazore, etj.

Duhet të jetë një lëvizje që mendimin për mbetjen ta kthejë në filosofi për shkolla, për konferenca, për libra, për kontrollorë, për politika mbi politikën e menaxhimit dhe trajtimit të integruar të tyre, dhe jo të vazhdojmë deri më sot, një grup politizon, një tjetër lobon, një grup kundërshton, një tjetër arsyeton e pjek të ardhmen, por ndjehet i vetmuar, sepse shumica e të papunëve, e pabuksave dhe të pafeve gjejnë rastin të shfrejnë, sikur e duan këtë atdhe. Të varfërve në mendje e në shpirt, edhe kur iu çon dritën, prap i verbon. Kësisoj duan kohën e tyre.

SHKARKO APP