Masa emergjente për emigrantët
Qeveria greke në një mbledhje të drejtuar nga kryeministri grek Aleksis Cipras, në kuadrin e dyndjeve të shumta të refugjatëve kryesisht nga Siria dhe vende të tjera vendosi të shtrojë në nivel europian problemin e rritjes së fluksit të emigrantëve dhe të kërkojë, ndërmjet të tjerash, shpërndarjen e përpjestueshme të refugjatëve në gjithë vendet e Bashkimit Europian. Gjithashtu u vendos që refugjatëve sirianë, që përfitojnë azil, t’u jepen menjëherë dokumentet e nevojshme. “Problemi i refugjatëve është një problem ndërkombëtar dhe jo një problem grek. Kërkon seriozitet, gjakftohtësi dhe mbi të gjitha, humanizëm”, theksohet në një komunikatë të zëdhënësit të qeverisë, pas mbledhjes. Në takim u theksua se kohët e fundit po vërehet një fluks në rritje i refugjatëve për shkaqe që kanë të bëjnë me situatën vazhdimisht të përkeqësuar në Siri, por edhe në rajone të tjera. Kjo konfirmohet edhe nga fakti se pikërisht në të njëjtën periudhë shënohet një rritje energjike e fluksit dhe drejt Italisë. Nga konstatimet e para, siç vlerësojnë në qeveri, rezulton se motivi i shumicës dërrmuese të këtyre njerëzve nuk është gjendja e keqe ekonomike, se sa rreziku për jetën.
Qeveria vendosi:
– Transportimin e refugjatëve të sapoardhur nga ishujt në qendra pritjeje në Greqinë kontinentale dhe ndarja aty në refugjatë dhe emigrantë.
– Refugjatëve sirianë që përfitojnë azil do t’u jepen menjëherë gjithë dokumentet e nevojshme.
– U miratua një plan për krijimin e hapësirave të posaçme të akomodimit, ku do të kryhen edhe gjithë ekzaminimet e domosdoshme mjekësore dhe do të respektohen gjithë rregullat e higjienës dhe të sigurisë.
– Në prag të samitit të BE dhe takimeve të ministrave përkatës, qeveria do të bëjë gjithë veprimet e nevojshme, me qëllim që të trajtohen në kuadër të solidaritetit europian flukset e refugjatëve dhe emigrantëve drejt Europës dhe të ketë një shpërndarje të përpjestueshme të këtyre flukseve në gjithë vendet e Bashkimit Europian.
Në mbledhjen që u zhvillua nën drejtimin e kryeministrit Aleksis Cipras merrnin pjesë ministri i brendshëm Nikos Vutsis, ministri alternat i mbrojtjes së qytetarit Janis Panusis, ministri alternat i marinës Theodoris Dhritsas, ministrja alternate e emigracionit Tasia Hristodhulopulu, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.