Mazhorancës i firojnë 200 mijë vota

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një model statistikor që kam ndërtuar me të dhënat e zgjedhjeve të viteve 2009, 2011, 2013, si dhe të sondazheve që kam zhvilluar në 3 muajt e fundit, më rezulton se:

– Për kandidatët e “së majtës” janë gati të votojnë sot rreth 800 mijë votues (nga 1 milion që votuan për partitë e koalicionit “të majtë” në qershor 2013)

– Për kandidatët e “së djathtës” janë gati të votojnë rreth 650 mijë votues (nga 680 që votuan për partitë e koalicionit “të djathtë” në qershor 2013).

– Rreth 340 mijë votues janë të pavendosur

– Rreth 380 mijë votues janë të vendosur të mos votojnë.

Firoja e mazhorancës vjen kryesisht nga votuesit e PS-së dhe partive të vogla “të majta”, si PSD, PDS etj., ndërsa firoja e opozitës vjen kryesisht nga votuesit e partive të vogla të djathta si PDIU, PR, etj.

Duke analizuar konfigurimin e votave të 2009-ës, 2011-ës dhe 2013-ës në 61 bashkitë e krijuara me ndarjen e re territoriale, rezulton se kandidatët e opozitës mund të kenë shans të fitojnë në 20 prej tyre. Në këto 20 bashki bëjnë pjesë Bulqiza, Mirdita, Durrsi, Malesia e Madhe, Kruja, Lezha, Shijaku, Mati, Fush-Arrëzi, Devolli, Shkodra, Vau-Dejës, Vora, Dibra, Klosi, Kuksi, Hasi, Kamza, Kurbini, Pusteci, dhe Tropoja. Kuptohet që këtu bëhet fjalë për shans në letër, sepse gara në terren do të varet nga kandidatët që do të nxjerrë secila palë në secilën prej këtyre bashkive.

Tirana përbën një rast të veçantë, sepse nga sondazhet që kam kryer në kryeqytet, më rezulton se 33% e votuesve janë gati të votojnë për një kandidat të pavarur nga partitë kryesore. Në qoftë se një i tillë do të kandidonte në Tiranë, gara do të bëhej vërtet e paparashikueshme… 

SHKARKO APP