Mazniku: Artan Fuga thotë marrëzira, i ka marrë koka erë

 

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Mazniku, në në intervistë për Mustafa Nanon, shpjegon reformën e arsimit të lartë.

Ai thotë se profesorët që e kundërshtojnë këtë reformë, mes të cilëve edhe Artan Fuga, flasin marrëzira.

Mazniku, lexova sot në “Panorama” një shkrim tuajin polemik. S'ju kisha parë asnjëherë aq të inatosur. Thoshit për Artan Fugën se "i ka marrë koka erë"…

Në fakt, në respekt për Profesorin, "marrja koka erë", është një version i mirë i ngjarjes. Pasi pandershmëria akademike, është më e rëndë sesa "marrja e kokës erë". Kjo mund t'i ndodhë gjithkujt. Pandershmëria akademike, të thënit të pavërteta, të ngriturit panik, është keqpërdorim i titullit. Unë nuk besoj dot se kemi të bëjmë me këtë të dytën, ndaj dhe preferoj të parën.

Nuk di pse kisha menduar se ju keni pasur respekt për prof. Artan Fugën. Kam menduar gabim?

Unë kam patur dhe ende kam respekt për profesor Fugën. Është një aset i madh i vendit. Por kjo nuk mund e nuk duhet të jetë justifikim për të thënë marrëzira. Marrëzirat e thëna nga Profesorët, dhe njerëzit që gëzojnë respektin e të tjerëve janë më të dëmshmet. Ndaj dhe ndjeva që duhet të reagoj për respekt ndaj publikut.

 Ok, le të futemi në thela. Reforma juaj në arsimin e lartë ka provokuar një diskutim publik si rrallë më parë. Pse ndodh kjo? Ndodh ngaqë reforma në arsimin e lartë është e rëndësishme, ndodh ngaqë nakatosen interesa të rëndësishme (siç thonë disa), ndodh ngaqë reforma prek interesa e cënon një status quo të caktuar, apo ndodh ngaqë reforma po bëhet keq (siç thonë të tjerë, kundërshtarët e reformës, mes të cilëve është edhe Fuga)?

 

Ndodh për të gjitha arsyet që ju thoni. Së pari, ne synonim që nga fillimi që kjo reformë të bëhej me një debat të madh publik. E kemi ndërtuar posaçërisht procesin në këtë mënyrë. Morëm një vit e pak kohë, për t'i dhënë kohën kujtdo që të shprehet për këtë çështje, ndryshe nga më parë kur zakonisht ndryshimet e ligjit merreshin vesh në seancën plenare të paralmentit. Së dyti, kjo është padyshim një çështje që prek shumë njerëz, dhe për fat të mirë, njerëz që kanë zë në shoqëri. Së treti kjo është një reformë tërësore, që e ndryshon thelbësisht sistemin në të gjitha elementët e tij, ndaj dhe vetë magnituda e ndryshimit zgjon debat

Unë kam ndjekur debatin që është zhvilluar, shpjegimet tuaja, kundërshtimet e bëra. Ndoqa dhe shkrimet e Fugës e tuajin sot në “Panorama”. Kam intervistuar, gjithashtu, para ca kohësh Dhurata Shehrin për këtë punë në “ResPublica”. Sipas jush, kundërshtarët e reformës, mes të cilëve ka emra që respektohen nga publiku, pse janë duke e ngritur zërin? Nuk ka asgjë të drejtë në petendimet e tyre?

 

Në vite ka pasur një kërkesë të vazhdueshme për rritje të autonomisë së universiteteve. Debati bëhet për gjetjen e një balance të drejtë mes lirisë dhe përgjegjësisë. Në stadin ku ndodhemi, universitetet kanë nivel të ulët lirie, por edhe nivel të ulët përgjegjësie publike. Nëpërmjet reformës, ne jemi shprehur të gatshëm për të çuar drejt universitetit një nivel shumë të lartë të lirisë. Por kjo vjen e shoqëruar natyrshëm edhe me përgjegjësinë përkatëse.

Mendimi juaj: Kjo reformë rrit autonominë e universiteteve, apo është e fokusuar tek kjo që ju e quani "rritje të përgjegjësisë në drejtimin e universiteteve"?

 

Kjo reformë rrit në mënyrë eksponenciale autonominë universitare. Vetë universitetet tani mund të vendosin për numrin e studentëve, kriteret për përzgjedhjen e tyre, dhe vetë përzgjedhjen e studentëve. Vendosin për numrin e stafit akademik që do të marrin, nivelin e pagës. Vendosin vetë për promovimin akademik, duke dhënë vetë titujt akademikë. Bëjnë plane zhvillimi strategjik, plane buxheti afatmesëm, buxhetet afatshkurtra.

 Ju latë të kuptohet se ju vetë, ndoshta dhe ju si Ministri, jeni me idenë se stafet akademike nëpër universitetet tona publike janë në një nivel të tillë që nuk mund t'u jepet shumë liri për drejtimin e universiteteve, pasi kjo shoqërohet me papërgjegjshmëri. Ju kam kuptuar gabim?

 

Po, më keni kuptuar gabim. Unë besoj shumë fort se universitetet në balancën e shëndetshme mes lirisë dhe përgjegjshmërisë do të evoluojnë në institucionet e ekselencës që gjithe shoqëria dëshiron të ketë. Ky ndryshim është i dhimbshëm si gjithë ndryshimet e mëdha. Por është e vetmja mënyrë sesi mund të sjellim një sistem që e ka mundësinë të vetërregullohet dhe të sjellë ofertën e shërbimit publik cilësor

 

Dhurata Shehri në bisedën që pata me të më thoshte: “Le të na thotë Ministria një model universitar të një vendi normal demokratik të ngjashëm me modelin që synon të krijojë kjo reformë, dhe ne do biem dakord”. Ndërsa në shkrimin tuaj të sotëm pashë se ju pretendonit që reforma u referohet e ndjek modelet më të përparuara të Europës. Si shpjegohet kjo mospërputhje…?

 

Ka disa modele – Anglia, Portugalia, Hollanda, Suedia, Danimarka, Estonia. Kemi parë me dhjetëra sisteme, dhe kemi diskutuar me specialistë nga shumë vende. Padyshim që sistemi që propozojmë është bazuar në eksperiencën më të mirë të vendeve të zhvilluara.

 

Mazniku, kam parë që ju keni qenë publikisht ndër njerëzit më aktivë në mbrojtje të kësaj reforme. S'ju kam parë asnjë herë të luftoni me kaq pasion për një kauzë, ndonëse keni mbrojtur dhe kauza të tjera, qysh prej kohëve të bujshme të MJAFT-it. Pyetja ime: Jeni ju autori i kësaj reforme?

 

Kjo është reforma e Komisionit të ngritur nga Kryeministri, e Ministrisë së Arsimit, dhe e pavarur tashmë nga Këshilli i Ministrave. Unë luftoj se jam i bindur se është rruga më e mirë për zhvillimin e Arsimit të Lartë dhe se gjithmonë kam besuar që e vetmja mënyrë për zhvillimin e vendit është duke zhvilluar arsimin.

Duket që besoni fort në këtë që po bëni. Besoni se kjo reformë do të japë frute? Një pyetje e fundit: Nëse kjo refromë miratohet nga parlamenti kështu si ju e mendoni, kur mendoni se do të japë frutet e veta? Sa vite do duheshin për t'ia parë "hairin"?

 

Reforma është ndërtuar që të fillojë ta japë frytet e para mënjëherë, por edhe të ketë mundësinë që të thellohet në faza. Sistemi i Arsimit të Lartë ndryshon ngadalë dhe frytet e mirëfillta do t'i ndjejmë pas disa kohësh. Por ndërkohë, qysh në vitin e ri akademik, do ndihen elementët e parë të ndryshimit, si liria më e madhe në insitucion, mundësitë më të mëdha për të paguar më mirë stafin akademik, përzgjedhja më e kujdesshme dhe e drejtë e studentëve, pjesëmarrja në më shumë projekte ndërkombëtare, mundësi më të mëdha për financim infrastrukturor në universitete. Zbatimi i reformës është një sfidë e madhe për të gjithë, për universitetet, për Ministrinë, për agjencitë zbatuese. Por pas disa vitesh, kur të kthejmë kokën pas, edhe më skeptikët do të binden se kemi ecur në rrugë të mbarë.

SHKARKO APP