Mbresat e përziera të Ballkanit

Nga Tanja Fajon

 

Së fundmi u ktheva nga një vizitë një-javore në Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi. Vizitova Sarajevën dhe – përveç takimeve të shumta – mora pjesë në konferencën mbi një çështje interesante: ndikimi i imazhit publik të Bosnje-Hercegovinës në rritjen dhe zhvillim ekonomik të vendit.

Duke vazhduar në Banja Luka, mora pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, BE Kafe, ku ne – së bashku me studentët dhe profesionistët e rinj – diskutuam përfitimet e anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në BE dhe u përpoqëm të vlerësojmë rrugën europiane të Bosnjës deri më tani.

Në Beograd, si pjesë e Delegacionit të Parlamentit Europian me Serbinë, u takova me kryeministrin, ministrin e jashtëm, kryetarin e parlamentit dhe disa liderë të tjerë.

Çdo herë që kthehem në Bosnje më impresionon. Është një vend kaq i bukur, me shumëllojshmëri kulturore, gjuhësore dhe fetare, me një potencial të madh për t’u bërë një nga destinacionet më popullore të Europës, por ende vazhdon të ndërmarrë hapa pas, në krahasim me përpara.

Duket se kjo ‘Bukuroshja pa tualet”. “Lindja e Perëndimit”, “Vendi i gjakut dhe mjaltit” siç quhet figurativisht Bosnja, nuk ka reshtur së promovuari interesat tre kombeve të veta konstitutive në vend të përpjekjes për të përmbushur interesat e shtetasve të saj.

Dua të shoh një Bosnje ku të rinjtë ëndërrojnë të gjejnë një punë në Sarajevë, Banja Luka apo Tuzla, jo një vend ku të rinjtë konsiderojnë suksesin në termat e largimit nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Dua të shoh liderët e Bosnjës të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë për njerëzit e tyre dhe të vënë interesat e përbashkëta përpara atyre individuale. Liderët që përpiqen të bëjnë progres të vërtetë, jo të ruajnë status quo-në. Drita e gjelbër e dhënë së fundmi për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit është sigurisht një hap në drejtimin e duhur, por punë serioze mbetet për t’u bërë në rrugën drejt BE.

Në Serbi m’u krijua ideja se qeveria është shumë e përkushtuar të marrë rrugën për në BE: reforma po kryhen, po miratohen ligje, po bëhet procesi i shqyrtimi të BE, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën kanë marrë tjetër shtysë.

Ende, shumë detyra mbeten për t’u përmbushur: për mua, sfida më e madhe është sigurimi që sundimi i ligjit të respektohet dhe ligjet të zbatohen siç duhet, jo të qëndrojnë vetëm si fjalë në letër.

Duke ardhur nga bota e gazetarisë, unë besoj fort se një demokraci e shëndetshme  dhe funksionale mund të arrihet vetëm përmes një media që funksionon mirë, ku liria e shprehjes dhe transparenca e zotërimit të medias janë drejtuese të raportimi të medias.

Për ta përmbyllur, mbetem optimiste, duke e parë gotën gjysmë-plot dhe duke besuar se kohë më të mira do të vijnë për Bosnjën dhe Serbinë. Historia e kohëve të fundit të këtyre dy vendeve ishte e errët, por e ardhmja është e ndritur. Shënjoftë 20-vjetori i masakrës së Srebrenicës – që do të përkujtohet edhe në Parlamentin Europian – fundin e hidhërimit në rajon, duke hapur rrugë për ditë më të mira brenda familjes së BE-së.

SHKARKO APP