Më arrestoni edhe mua, t’i bëj shoqëri Tupes në burg!
Nga Agron Gjekmarkaj –
Sapo doli lajmi qe profesori dhe përkthyesi i njohur Edmond Tupe është proceduar nga policia si zaptues i hapësirës publike, u duk si shaka nga ato që shpërthejnë në rrjet në raste si kjo.
Protesta e studentëve, e cila i ka zënë në befasi të gjithë me risitë e veta nuk zhbëhet me metodat e vjetra të reagimit të politikës dhe të shtetit. Ajo u ka dhënë shah mat faktorëve të përdalë të kësaj shoqërie.
Thelbi i saj është mungesa e perspektivës dhe dinjitetit në një vend të sunduar nga kasta ku 7-8 politikanë e po kaq biznesmenë me rrethet e tyre kanë marrë peng vendin, përfaqësimin dhe standardet.
Vetë ligji i Arsimit të Lartë u bë për interesa klienteliste në shërbim të plotë të atyre që u thahet gjuha tu lëpi këpucët e çdo Kryeministri. Por policia dhe prokuroria nuk reagon kurrë ndaj tyre. As nuk pritet të reagojë. Ato e kanë gjetur armikun. Ai është Edmond Tupe, 75 vjeç, përkthyes brilant e po kaq i tillë si pedagog e publicist. Profesori doli në rrugë dhe mbështeti studentët.
Ai është akuzuar si zaptues i hapësirës publike. Në fakt ai është shumë më tepër se kaq! Ai ka qenë shef komisariati kur mbartej kanabis në kurriz dhe kur kërcënohej Xhisiela. Ai është përfshirë me gjasë në trafik kokaine të fshehur mes fjalorësh kur përkthente kodet e fshehta të Babales të mbetqefur.
Tupja ka faje të rënda për ato koncensionet në mjekësi duke yshtur si djall Beqen dhe Manastirliun sidomos për këto të fundit 20 milionë euro për kilometër rruge. Frankofoni në fjalë duhet hetuar në vend të qeverisë dhe Damjan Gjiknurit për ato 30 milionët euro që i dhanë asaj firmës fantazmë me 1 mijë lek te vjetra në arkë e që ja hoqën me dhembje në shpirt kur një emision televiziv e zbuloi gjëmën!
Meqë ra fjala një pyetje për Damjanin? Sa jetë ke Damjan? Sa mijëra vjet do jetosh që të duhen kaq allishverishe dhe kaq kurajë për t’i mbrojtur? Gruaja e ministrit i puthte këmbët një delenxhiu nga India që hiqet si shenjtor megjithëse i dënuar në Gjermani për mashtrim, Ministri le t’ja puthë Ramës për t’i mbijetuar këtij skandali të turpshëm.
Por edhe për këto Edmond Tupja e ka fajin. I duhet zbutur shpina qerratait, duhet bërë terbiet. Ai si koleg i frengjishtes me Kumbaron duhet të ketë dorë në planet për shembjen e Teatrit dhe tek Veliera e Dakos në Durrës. Në burg, në hapsana, aty e ke vendin. Faje të rënda ka mbi kurriz.
Në këtë dekadencë, në këtë shthurje, në këtë panik që protesta e studentëve ka venë Qeverinë, ajo e gjora po sillet me keq se byroja politike vitit 1990, Rama me keq se Ramiz Alia e shumë më tepër qesharak në gjeste.
Ende pak kush ka kurajë të besojë procedimin e profesor Tupes. Mes marrëzisë dhe qesharakes vërtitet ky fakt. Kryeministër trego dhembët, përçaj e sundo, bëj ç’të duash, po je deri këtu, mos bjer më poshtë se lal Hekri (Hekuran Isai).
Më procedoni edhe mua se dje kam qenë në protestë dhe sot kam kaluar nga bulevardi para Kryeministrisë. Që t’i bëj shoqëri Tupes në burg!