Me fuqi publike dhe pa pushtet politik!

Dr. Jorgji Kote

Nga Jorgji KOTE –

Më 17 Dhjetor iu dha lamtumira e fundit ish Presidentit 95 vjeçar Valéry Giscard d’Estaing, modernizues i shquar i shtetit francez; si europianist “24 karat” do të nderohet më 2 Shkurt 2021 dhe nga Parlamenti Europian. Ndërkohë, një prej pasardhësve të tij, N. Sarkozy ndodhet në beteja gjyqësore; në SHBA, ish Presidentët Bush, Clinton dhe Obama “pushtuan” faqet e para të shtypit dhe ekranet televizivë në botë  me gatishmërinë për të bërë të parët vaksinën anti  COVID – 19. Ndërsa në Shqipëri vazhdon “dilema hamletiane”- të jetë apo të mos jetë më deputet Ish Kryeministri Berisha, kur ish kundërshtari i tij i majtë ka kohë që  “ ka rënë squk”.

Këta shembuj  tregojnë se veprimtaria e liderëve në vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare pas largimit nga postet më të larta zyrtare, sidomos për ata që Zoti u fal jetë të gjatë vazhdon të jetë aspekt tërheqës, edukativ  dhe me jehonë të gjerë politike, mediatike dhe publike. Por, më mirë, le të ndalemi te rastet më të spikatura të Presidentëve të zgjedhur dhe Kryeministrave, të cilët, pavarësisht përkatësive partiake, janë bërë  figura bashkuese në vendet e tyre dhe në skenën ndërkombëtare.

Në SHBA, ish-Presidenti 96 vjeçar Jimmy Carter ( 1977 – 1981) mban rekordin për jetëgjatësinë e aktivitetit gati 40 vjet pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Në fakt, është bërë më i famshëm pas largimit nga posti presidencial; në krye të Fondacionit “ Carter” ka shërbyer si ndërmjetësues dhe negociator në shumë kriza dhe konflikte në botë – Bosnie – Hercegovinë, Rwanda, Indi, Pakistan dhe Korenë e Veriut; në vitin 2002 u laurua si Nobelist i  Paqes. Po në këtë moshë është dhe Ish Sekretari legjendar amerikan i Shtetit, Dr. Henri Kisinger më (1973 – 1977) ai që çeli epokën e re SHBA-Kinë më 1972, themeluesi i “ shuttle diplomaci ( diplomacia e  ec e jakeve) Vazhdon të jetë pikë e madhe referimi për politikën e jashtme, duke përfshirë best seller ” Diplomacia”. Iu dha Nobeli për Paqe më 1973 për ndalimin e Luftës në Vietnam. Në këtë kurs të nderuar dhe aktivë janë  dhe ish-Presidentët Clinton dhe Obama. Vlen të theksohet dhe tradita që kanë krijuar ish presidentët amerikanë, që jo vetëm të mos komentojnë  apo kritikojnë parardhësit, por dhe të bëhen miq “për kokë” me ish – kundërshtarët e tyre politikë. Kështu, G.W.Bush e konsideron Clinton “ vëlla me nënë tjetër” kurse vajza e tij i drejtohet atij “ xhaxha Billi”

Në Francë siç u përmend në hyrje, del në pah ish-presidenti Valéry Giscard d’Estaing ( 1974 – 1981). Veç të tjerash, dhe si ish Eurodeputet, në vitin 2004 ai ishte bashkëkryetar i Komisionit për Kushtetutën Evropiane, që dështoi pas JO-së së Holandës, Danimarkës  dhe Francës së tij. Autor i disa romaneve dhe librave. Shoku dhe miku më i ngushtë i tij deri në vdekje, Ish – Kancelari Helmut Schmidt ( 1974 – 1982)  jep ndoshta  shembullin më të spikatur deri sa u nda nga jeta në Dhjetor 2015 në moshën 97 vjeçare. Krahas ekspertizës elitare në fusha kardinale të politikës, Europës, ekonomisë, financave, etj ai shquhej për oratorinë, anglishten e përkryer, si pianist, piktor, etj.  Gjatë 34 viteve të post – Kancelarisë, Schmidt shkroi  30 libra mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Deri disa javë përpara vdekjes  ishte “superstar” televiziv i ndjekur me admirim në intervista të shpeshta për përgjigjet shteruese, konçize, të sakta dhe me doza humori.  Kisinger, shoku i tij i ngushtë në ceremoninë e 90 vjetorit të lindjes e konsideroi Schmidt si “ politikanin më të mençur të botës” kurse publiku gjerman si “ Kancelarin e zemrave”

Në Britaninë e Madhe, ka një “ digë gjigande” – Kryeministri Winston  Çhurçill, i cili, megjithë veprimtarinë e tyre aktive  pas largimit nga pushteti, i le në hije Thatcher dhe Tony Blair. Në Itali shquhet Prof. Romano Prodi, Ish- Kryeministër ( 1996- 1998 dhe 2004 – 2006) dhe ish President i Komisionit Europian (1999 – 2004) Aktiv me prononcime, debate publike, i nderuar dhe respektuar për thjeshtësinë ( dhe sot në moshën 80 vjeçare del me biçikletë) dijet, urtësinë dhe mençurinë politike. Ndërsa Finlanda  krenohet me ish-presidentin e saj të urtë Martti Ahtisaari, i cili u bë i njohur ndërkombëtarisht si ndërmjetësues në shumë rajone të botës, dhe sidomos në Kosovë me Planin e tij të famshëm që çoi drejt pavarësisë dhe që u ligjërua dhe nga GJND. Më 2008 u laurua me Nobel për Paqe. Në Austri shquhet ish Kancelari  ( 1986 – 1997) Franz Vranitzki. Vetëm një muaj pas dorëheqjes së tij, u caktua i Dërguar i Posaçëm i OSBE-së për zgjidhjen e krizës së  piramidave në Shqipëri duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me aftësitë e tij shumëplanëshe. Ndonëse 90 vjeç vijon të mbështesë PSD-në që e ka udhëhequr për dy dekada, me konsulencë bankare dhe veprimtari bamirësie.

Në këtë plejadë elitare, shquhen dhe gra lidere të politikës në rrafsh kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Krahas zonjave amerikane Albright dhe Clinton tejet aktive në shumë fronte, tepër të respektuara janë kudo veçanërisht Gro Harlem Brundtland, ish-Kryeministrja norvegjeze ( 1981 – 1988 dhe 1990 – 1996) dhe ish-Drejtore e OBSH-së bashkë me ish – Presidenten e Irlandës ( 1990 – 1997) dhe Komisionere e OKB- së, Mary Robinson; ato vazhdojnë të spikatin me rolin dhe lidershipin e tyre sidomos në fushën e barazisë gjinore, promovimit të vajzave/ grave, mbrojtjes të të drejtave të njeriut, etj. Bashkë me liderët e përmendur më lart dhe të tjerë si antarë, ato drejtojnë Grupin “Global Elders” të krijuar më 2007 nga emblematiku Nelson Mandela, kur sapo kishte mbushur 89 vjeç! Ideja me fjalët e tij ishte bashkimi i 1000 viteve përvojë lidershipi të 15 pjestarëve të tij për të ndihmuar me diplomacinë e tyre private, si një lloj “Këshilli të Urtësh” në adresimin e sfidave të mëdha planetare. Ky forum ishte paraprirë nga Këshilli Global Ndërveprues, i krijuar më 1983 me mbi 40 ish – Presidentë dhe ish-Kryeministra.

Nga Komisioni Evropian veçohet ish Presidenti unikal 96 vjeçar Jacques Delors. Gjatë 10 vjetëve në krye të tij ( 1985 – 1995) u realizuan pothuajse të gjitha traktatet dhe dokumentat themelore të suksesshme të BE-së dhe zgjerimi i saj me 15 antarë. Më 2015 u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Evropës” i dyti pas Monet dhe përpara Kohl.  Deri vonë ka kryesuar qendra, institucione të ndryshme, Bordin e Kolegjit të famshëm të Evropës në Bruzh, etj.

Në Evropën Qëndrore dhe Lindore, në këtë katalog nderi bën pjesë ish-presidenti i Çekisë ( 1989 – 2003), shkrimtari, aktivisti i shoqërisë civile dhe disidenti anti-komunist Vaclav Havel. Konsiderohet si president i veçantë filozof dhe atipik;  Milan Kundera e ka krahasuar jetën e Havel me një “ vepër arti” Këtë staturë, megjithë gjendjen e rënduar shëndetësore që e shoqëroi deri në fund të jetës më 2011 e ngriti dhe më lart pas largimit nga Kështjella presidenciale. Aktiv kudo, në SHBA me ligjëratat në universitete elitare, autor dramash, esesh, aktivist kundër shkeljes të të drejtave të njeriut, etj. Ndërkohë, e kundërta ka ndodhur në disa vende të tjera të ish-lindjes dhe në Ballkan; kështu, në Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Bullgari e Rumani, Ish Kryeministra dëgjohen kryesisht për  skandale, afera, burgime, etj. Të tjerë janë mbyllur në “kullat” e tyre private “ pa nam dhe pa nishan”

Edhe në Shqipëri ende nuk po krijohet tradita pozitive. Dy liderët e  njohur “ historikë” dhe pas shumë vitesh nga largimi i tyre nuk janë bërë dot figura bashkuese as te partitë e tyre. Ndonëse me tituj shkencorë, ndryshe nga homologêt e tyre që sapo ikin nga pushteti shkruajnë librin e jetës, Berisha dhe Nano  nuk e kanë shkruar ende një të tillë!!!!. Ndryshe qëndron puna me ish Prof. Dr. Aleksandër Meksi, i cili vazhdon të kontribuojë si qytetar, intelektual, publicist  dhe me përvojën si ish Kryeministër. Më tej, ia lemë lexuesit të gjykojë nisur dhe nga shembujt e përmendur më lart.

SHKARKO APP