Me këmbë të mbarë

                              

Nga Hyskë Borobojka                       

Letër e Hyskë Borobojkës drejtuar kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës për t’i  uruar drejtimin e bashkisë me këmbë të mbarë si dhe për t’i treguar disa dukuri jo fort të këndshme, që i përjetojmë çdo ditë ne qytetarët.

I shumënderuari kryetar i ri i bashkisë së madhe të kryeqytetit. Të uroj për fitoren e madhe në zgjedhjet vendore si dhe për detyrën e re me këmbë të mbarë në krye të bashkisë. M’u bë zemra mal e kam besim të patundur se do t’ia ndërrosh faqen kryeqytetit tonë. U gëzova e u bëra me krahë kur mësova se do ta filloni punën e re me pastërtinë e Tiranës. Të them të drejtën, se nga më del fjala do të më dalë shpirti, ky sektor ishte lënë në ditë të hallit, për t’u qarë me dyzet palë lotë. Ashtu si e përcaktove dhe vetë, zoti kryetar, kishte mbetur jetim. Tirana ka shumë blloqe banesash e lagje dhe nuk e di nga do ta filloni më parë. Por unë po të rrëfej, ç’më shohin sytë e më dëgjojnë veshët këtu në bllokun e pallateve “Agimi” të lagjes pesë. Ç’të them e ç’të rrëfej më parë, jemi për të qarë.  Plehrat e mbeturinat i vendosim nëpër qese dhe i hedhim në kazanët që janë tre a katër të radhitur. Por, pa u larguar mirë prej tyre vijnë një tabor me biçikleta, karroca e qerre, që rrëmojnë në ta, i nxjerrin plehrat jashtw në rrugë dhe i lënë si lopa bajgën. Këtë marifet s’e bëjnë një herë e dy, por disa herë në ditë, nga mëngjesi në mbrëmje. Sa ikën njëri vijnë tjetri për të vazhduar ritualin e zakonshëm. Plehrat e shpërndara kundërmojnë një erë të keqe, aq sa për të mbrojtur mukozat e hundëve duhet të jesh i pajisur me maska kundragaz, si ato që përdornim qëmoti në zboret ushtarake për t’u mbrojtur nga helmet që mund të hidhte armiku. Le pastaj kur vjen lukunia e qenve rrugaçë për të “kullotur” në to, si kafshët e egra mishngrënëse ne pyll, kur gjejnë ndonjë kërmë. Zoti na ruajtët pa pësuar ndonjë infeksion sa të zëmë spitalin apo varrezat private në Paskuqan.

Edhe një shqetësim të madh kemi këtu në bllokun tonë. Në rrugën që mban emrin e nderuar “Vaso Pasha”, është një klub i veçantë, që s’besoj të ketë shok, jo në Tiranë, por në asnjë qytet të vendit. Klubi ka një tabelë të madhe, me dy stema, që s’merret vesh cilës “mbretëri” i përkasin. Me na ccmendin gjithw natën. Mbase do të thuash, i nderuari kryetar, se me këta qejfllinj, merret policia e rendit e jo bashkia. E di, por më janë bërë gishtat me kallo së rëni numrit “129”. Ai viran, herë s’kthen xhevap, herë të përgjigjet me “parafabrikate”: “Si mund t’u ndihmojmë, zoti qytetar?! E mbajtëm shënim vërejtjen tuaj e do dërgojmë patrullën të marrë masat e duhura”. Ndonjëri të “sqaron” se ata janë ligjëruar nga bashkia. Dhe përfundimi: Ku ishe? Hiçgjëkundi! Ç’bërë? Hiçgjë! Fjalë të mirë e gur në tastë.

Për këtë shqetësim që na le pa mbyllur sy e për disa dukuri të tjera të shëmtuara, i kam bërë dy letra publikë ish-kryetarit të bashkisë. Mos vallë janë edhe këto vendime jashtë rregullave e ligjeve si disa vendime të tjera?! Por me që ai gjithnjë ka qenë i zënë me punët e bashkisë e të partisë, si ai që donte të mbante dy kunguj nën sqetull,(e s’mbajti dot asnjë) s’do t’i ketë leçitur fare. Mbase edhe mund t’i ketë lexuar (për këtë s’e ve dorën në zjarr) por jam i sigurtë, nga një vesh i kanë hyrë e nga tjetri i kanë dalë. E di se Tirana ka shumë blloqe e lagje, por kam besim të patundur, se do të merrni masat e duhura, që ne kusurmëdhjetë të flemë rehat e të mos bëjmë roje nate.

Dëshira ime e madhe, i shumënderuari kryetar, ishte të vija vetë në zyrën tuaj, t’u shtrëngoja dorën për fitoren spektakolare e tu uroja detyrën me faqe të bardhë. Por sa dola nga shtëpia dhe hodha këmbën e djathtë në rrugë, më dolën përpara ca pengesa, që i thanë stop dëshirës time. Të fluturoja sipër tyre më mungonin krahët. Në rrugë s’kaloja dot nga autokolona e makinave, që ecnin me shpejtësinë e erës, sikur bënin gara shpejtësie. Do më thuash të kaloja në vijat e bardha, kur semafori në shtyllë ka lëshuar dritën jeshile Ashtu është, po kush ma nxirrte frikën. Janë disa “trima” timonierë makinash, që i ngatërrojnë ngjyrat. Të kuqen e marrin për jeshile e këtë të fundit për të kuqe dhe mund ta pësosh prej tyre, të shkosh si qeni në vreshtë. Të kalosh në trotuar si gjithë bota e qytetëruar, krahun e majtë të tij e kanë zaptuar tavolinat e karriget e lokaleve e meazalla se të hapin rrugë. Të majtin e kanë marrë me tapi, shitësit ambulantë të fruta-perimeve, të veshmbathjeve, madje edhe librave të vjetra e të reja, të radhitura gjatë trotuarit si ushtarët në rreshtore. Në mes nuk qarkullojnë vetëm biçikletat, por edhe motorët me shpejtësi, që të mos u ftohen picat e sufllaqet që shpërndajnë. Nuk mungojnë edhe qentë, jo vetëm konet e vogla, por më shumë balot e mëdhenj, sa një gomar, që i nxjerrin herë pas here disa zonja a zonjushe për ajrim e për të kryer nevojat personale, duke plehëruar me jashtëqitjet e tyre e vaditur më urinë barin e lulet e lulishteve, pemët dekorative dhe trotuarët. Duhen “lavdëruar” pasi i hapin frontpune pastrim gjelbërimit.

Ja, i shumënderuari kryetari i ri, këto pengesa u bënë gath i fortë e ma mbyllën rrugën për të ardhur tek ju të tregoja hallet e qederet, që na i kanë lanë peshqesh e s’po na ndahen.

Të uroj shëndet dhe punë të mbarë me bereqet.

                                                                         

SHKARKO APP