Me mujt me bo, e kishim bo

“Me mujt me bo, e kishim bo”, kjo është shprehja tipike dhe më e saktë për gjithë krijuesit, pra, e thënë ndryshe, të dinim apo të kishim pasur mundësi ta bënim më mirë, do ta kishim bërë…

Regjisori kosovar Genc Berisha përmes titullit të filmit të tij mjaft interesant është shprehur kështu, me thjeshtësi, krejt pa e ditur, në emër të të gjithë kineastëve, pjesëmarrës në TIFF (Tirana International Film Festival).

Edhe pse i mbiquajtur arti i shtatë, kinematografia është një nga artet më të ndjekura, ndonëse tani për tani filmi s’është në ditët e tij më të mira, ndërsa filmi shqiptar duket se ndodhet në vitet e tij më të pakënaqshme teksa të lihet përshtypja se qëndron në pozita të ulëta në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, madje edhe me Kosovën.

Kjo, sigurisht, që shkon përkundër së vërtetës se shikueshmëria gjatë shfaqjes së filmave shqiptarë ishte më e lartë se në çdo ditë tjetër të festivalit. Elementë familjarë dhe shoqërorë ndoqën me interes, detyrim e ndoshta kënaqësi filmin shqiptar, i cili erdhi vetëm me metrazh të shkurtër dhe me një realizim artistik mjaft të dobët përgjithësisht, ndërsa shqiptarët e Kosovës, përveç filmit me metrazh të shkurtër, i cili arrinte të zgjonte vëmendje në nivel të kënaqshëm, u paraqitën me dy filma me metrazh të gjatë, asnjëri prej të cilëve nuk arriti të marrë një çmim dhe kjo jo pa të drejtë, edhe pse kjo e dhënë nuk do të thotë se ndryshimi me filmat e tjerë ishte i ndjeshëm, qoftë edhe me ata që u gëzuan me ndonjë çmim.

Fija lidhëse e filmave ishte aftësia kalitëse e durimit, kur në të vërtetë, arti në përgjithësi apo filmi në veçanti duhet ta mahnitë shikuesin, ta rrëmbejë atë në botën e vet dhe jo t’i krijojë përshtypjen se po kalon më tepër kohë në kinema sesa koha reale që shfrytëzon në të vërtetë aty.

Në tërësinë e krijimeve, njëfarë përjashtimi përbënte filmi i animuar “Rocks in my pockets” i Signe Baumane-s, i cili sillte në një trajtim të këndshëm, por paksa të tejzgjatur, fatin femëror në sfondin dhe problematikën familjare dhe shoqërore.

Filmi filipinez “Termitaria” i Joseph Israel Laban-it ishte një tjetër film i pavënë re, megjithëqë trajtonte një temë socio-psikologjike, që prekte sa familjen, po aq edhe shoqërinë dhe, besoj, në mënyrë vërtetësisht artistike.

Gjithsesi, shikuesi, i cili, ndikuar nga orari (gjatë paradites dhe drekës), nguruar ndoshta nga përcaktimi i një bilete hyrëse në krahasim me vitet e tjera (edhe pse kjo ishte një shifër e papërfillshme), duke paramenduar ndoshta mundësinë e përballjes me një cilësi të dobët filmi, përgjithësisht, parapëlqeu të vijojë shijimin e kafes lokaleve të kryeqytetit.

Në organizime të tilla nuk mund t’u shpëtosh pyetjeve se cili është qëllimi i një filmi dhe më gjerë qëllimi i një festivali e sigurisht për të dhënë përgjigje mund të mbash kënde të ndryshme shikimi e qëndrimi.

Filmi, sa ç’është pasqyrim i realitetit, në këndvështrimin e përgjithshëm nuk mund të ngelet në funksionin zbavitës. Ai ka edhe qëllimin e edukimit estetik, artistik, moral, shpirtëror, njohjes historike etj. dhe nuk dihet se çfarë synon filmi sot me shpërfilljen e ngjarjes, të zhdukjes së dialogut, të shmangies së heroit, të një qëllimi të qartë etj…

Përgjithësisht, para dhe pas filmit me metrazh të gjatë, TIFF-i mundësoi përballjen mes autorit të filmit dhe shikuesve. Nga përvoja e shumëhershme dilet në përfundimin se nga kjo mënyrë trajtimi e këtij intervali kohor nuk përftohet ndonjë gjë e madhe. Autori ndihet si në bankën e të akuzuarit, shpesh, ndikuar nga emocionet, përgjigjet jo në përputhje me pyetjen e bërë dhe rrallë nuk ka shumë për të thënë.

Do të ishte mirë që pyetjet të mos lihen në varësi të rastësisë së ndonjë spektatori inteligjent, pasi e përgjithshmja ishte se këto disktutime ngelën në nivel fillestar dhe aspak profesional. Në këtë pikë do të ishte mirë që diskutimet të jenë më të organizuara dhe të mirëmenduara, gjithnjë nëse filmi meriton vëmendjen e duhur.

 Por, sa e vështirë është që një film të rrëmbejë vëmendjen e dëshiruar, këtë e dinë më mirë se kushdo ata që merren me prodhime filmike. Tek ne vjen vetëm përfundimi dhe koha, më shumë se çdo juri profesionale, bën vlerësimin më të drejtë të mundshëm, pasi, shikuesi, edhe ai më i papërfshiri profesionalisht, më shumë duke ndier sesa duke kuptuar, arrin në mendimin nëse filmi bëhet për famë apo për pasion. E vërtetoi këtë më së miri shfaqja e filmit të restauruar “Tomka dhe shokët e tij” në mbrëmjen e e parë të festivalit. A mund të gjenden të meta, sidomos nga profesionistët, në këtë film të realizuar më 1977-ën? Sigurisht që po. Por a mbetet ai një film me vlera dhe i realizuar artistikisht, edhe pse bëhet fjalë thjesht për një film për fëmijë? Kjo është e padisktueshme.

Edhe duke pasur parasysh vështirësitë e gjithëllojshme, pas 12 vjet rrugëtim tashmë, TIFF-it, për vetë seriozitetin dhe vijueshmërinë që ka krijuar në kohë, duke dëshmuar një numër të lartë prurjesh filmike, me një larmi gjinish brenda kësaj fushe, ku filmi i shkurtër kishte epërsi sasiore dhe cilësore ndaj filmit të gjatë, i duhet të mbrojë vlerën e krijuar në vite dhe të jetë më i kujdesshëm lidhur me cilësinë e filmit të përzgjedhur, si dhe të ruajë me fanatizëm objektivizmin në vlerësim.

 

 

SHKARKO APP