Më ngadalë me fjalën “burg”!

Ka një retorikë të shtuar të kryeministrit, por edhe të disa ministrave, që në kuadrin e masave represive për vendosjen e autoritetit të shtetit po përmendin përditë e më shumë fjalën burg. Po e përdorin këtë për personat që kapin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për ndërtimet pa leje etj… Sot u kalua më në ekstrem, kur kryeministri përmendi si mundësi burgosjen për detyrime tatimore edhe të punëtorëve të pasiguruar.

Që shteti tregon dhëmbët për të mbledhur detyrimet e tij bën mirë. Mirë bën edhe që po u jep fund teorive të amnistive dhe fillimit nga viti zero për detyrimet e vjetra. Por, është tjetër gjë të flasim për detyrimet ligjore që kanë shtetasit ndaj qeverisë dhe tjetër gjë për projektet e reja ligjore që ka qeveria kundër shtetasve të saj. Kjo e dyta duhet ndarë nga e para, nëse ka ndërmend të bëhet vërtetë.
E them këtë, sidomos kur dëgjoj kryeministrin të flas për burgosje lidhur me detyrimet tatimore apo punonjësit e pasiguruar. Ky nuk është një detyrim i sotëm ligjor i shtetit shqiptar, pasi veprimtaria tatimore dhe raportet punëdhënës- punëmarrës janë të rregulluara me Akte Administrative dhe jo me Kodin Penal. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është shprehur se asnjë ligj i zakonshëm shqiptar nuk mund të parashikojë dispozita penale dhe si pasojë askush nuk mund të ngarkohet penalisht për shkelje të një dispozite administrative.

Por, e thënë nga kryeministri kjo është një çështje serioze. Dhe e vetmja mënyrë, që ta kuptojmë si kërcënim real, është që të mendojmë se qeveria do ta përfshijë në Kodin Penal këtë ndëshkim. Nëse e bën atëherë kemi një ndryshim rrënjësor të raporteve të biznesit me shtetin.

E para, nëse detyrimi tatimor përfshihet në Kodin Penal, nuk duhet të ketë parapagim detyrimesh që t’i ngarkon administrata tatimore gjatë kontrolleve, pasi njeriu prezumohet që është i pafajshëm deri ditën e gjykimit kur ngarkohet me faj nga Gjykata. Ky element dëmton rëndë efiçencën e administratës tatimore, e cila siguron të ardhura të konsiderueshme nga këto praktika të parapagimit të gjobave dhe pastaj ankimimit të tyre.

Së dyti, konvertimi në ditë burgu i detyrimeve tatimore (p.sh një ditë burgu për 10 mijë lekë), mund të mbush burgjet me biznesmenë, por nuk mbush arkën e shtetit me lekë, pasi rriten kostot e burgjeve dhe shteti humbet dyfish. Praktikat më të mira perëndimore, janë ato të sekuestrimit të mallrave dhe të pasurive të biznesit debitor, nëse ai nuk ka shpresë për ringritje.

Së treti, duhet të shfuqizohet i gjithë kapitulli për ligjin tatimor. Nëse e konverton në vepër penale, duhet të ikin gjithë procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve dhe këtu është sërish problemi i sekuestrimeve dhe nxjerrja e tyre në ankand për të mbushur arkën e shtetit. Pra, dhe ky prioritet që kanë tatimet, bie.

Së katërti, kemi precedentin e shpalljes si të pafajshëm të personit që akuzohet si debitor dhe atëherë shteti duhet t’i kompesojë atij ditët e burgut, të cilat nga ana e tyre si dëmshpërblim janë të patatueshme dhe jemi përsëri në një gropë fiskale të shtetit.

Së pesti, vet doktrina penale në Shqipëri nuk të lejon që të ketë dënime penale për akte të nxjerra nga administrata tatimore apo policia, pasi ashtu i bie që Drejtoria e Tatimeve dhe ajo e Policisë, të zëvendësojnë Prokurorinë. Taksat në bazë kanë aktin administrative, i cili aktualisht goditet në gjykatë. Këtu, problemi lind se kur duhet arrestuar “dikush” para ankimimit apo pas ankimimit.

I gjithë ky mishmash ligjor që prodhohet nga deklarata të tilla, në vend që ta forcojnë shtetin, kam frikë se e çorodisin më shumë. Dhe shkojnë në të kundërt të efektit që kanë vet masat fsikale dhe forcimi i administratës tatimore apo administratave të tjera, si ajo ndërtimore, elektrike pyjore, inspektoriati i punës etj.

Nuk është burgu ai që trembë biznesin, por është biznesi, ai nga i cili duhet të trembet një shtet kapitalist. Biznesi është i vetmi motorr që mban gjallë shoqërinë dhe në Shqipëri edhe për kushtet specifike të saj, ata janë të vetmit njerëz që punojnë 20 orë në ditë. Punëdhënësit shqiptarë, ata që janë të mbytur në kredi dhe njëmijë telashe me recesionin ekonomik, është shpëtim tu thuash se do i çosh në burg, pasi u japin fund telasheve të tyre. Por shoqëria dhe sidomos ekonomia ka nevojë për nota optimiste dhe një qasje pozitive ndaj atyre që duan të investojnë në këtë vend. Ata që ofrojnë mundësi punësimi apo që investojnë parat e tyre me biznes në këtë vend, janë të vetmit patriot të këtij vendi. Të vetmit, që bëjnë diçka për këtë shtet, të cilit partitë ia kalojnë njëra pas tjetrës stafetën e batakçinjëve të administratës, që e rrjepin dhe e bëjnë gjithnjë e më të dobët.

Më ngadalë kur ngrini zërin dhe tregoni me gisht nga ata njerëz për burg. Dhe mbi të gjitha më ngadalë, për të mos u dukur që s’keni shumë haber nga shteti dhe ligjet, kur mendoni se po përmende fjalën burg, i ke trembur vërtetë. Njerëzit e ditur e dinë nga se kanë frikë, pasi i dinë ligjet . Ata mund të tremben vetëm nëse kuptojnë se deklarata të tilla janë serioze. Dhe nëse janë serioze deklarata të tilla, nuk është serioz shteti. Nëse nuk janë serioze deklarata të tilla, është serioze tallja më qytetarët dhe fjalën “burg”.

"Tema"

SHKARKO APP