Me prag shpie
Ka qenë ora 18.30 e mbrëmjes, kur një shtëpie në lagjen “Ahmet Haxhia” në Shkodër i ra dera. Në qytet është dimër, bie shi dhe nata vjen herët. Kjo është ora e darkës, ku familja mblidhet rreth tryezës këmben dy fjalë, sheh lajmet dhe fëmijët mbyllin detyrat. Në Shkodër kush ka urdhëruar e di që të presin mirë fort, kurdo që i bie portës, ndaj edhe në këtë rast i zoti i shtëpisë u përball me do të panjohur, por u tha “mirësevjen”. Në fakt, ishin njerëzit e INUK, të cilët kërkuan pa e zgjatur shumë “letrat” e shtëpisë. Atyre u duhen “letrat”, sepse një plan estetik i qeverisë kërkon të prishë 30 banesa, sipërmarrje të vogla e të mesme për të krijuar një vendqëndrimi makinash. Disa prej këtyre banesave e kanë moshën një shekull, ndërsa të tjerat janë ndërtuar në themelet e të vjetrave, kanë tapi e gjithçka duhet. Pronarët e tyre u kanë rezistuar tundimeve të këtyre dy dekadave për të bërë pallate në oborret e tyre. Kanë investuar çdo ditë dhe kanë krijuar mirëqënien e të ardhmen e tyre në atë lagje, pas tribunës qendrore të stadiumit.
Qysh atë ditë nuk ka më paqe për ato shtëpi. Fëmijët janë trembur, të rriturit tymosin pagjumësinë e merakut. Bashkia thotë që nuk i ka treguar kush një plan, ndaj nuk bëzan dhe mendon se është dorëjashtë. Prefekti ka ardhur privatisht në Tiranë dhe ka zbuluar një studio private, e cila po punon për projektin e rindërtimit të stadiumit që përfshin edhe rrënimin e këtyre banesave. Voltana Ademi nuk po lë gur pa lëvizur që të gjejë një zgjidhje, qoftë edhe në sakrificë të interesit politik, ndërsa deputetët e majtë të Shkodrës po mendojnë të bëhen tok që të shkojnë tek kryeministri, sepse pëshpërisin që tek e tek ai nuk ta var.
Tani që po shkruaj këto rradhë banorët e kësaj lagjeje po përleshen me policinë, ndërsa shpresoj që kur Edi Rama të jetë në kinemanë e qytetit t’i presë këta banorë dhe t’u japë zgjidhje, ashtu në këmbë, si bëhen punët rëndom në këtë vend dhe ky shkrim të humbë thelbin e tij, të ngjajë krejt i kotë.
Duke bërë shaka para një dy ditësh, një koleg i imi propozoi maskotën e INUK. Sipas tij, Goxilla, personazh i një filmi fantazie do i shkonte për shtat, sepse INUK të kall datën. Nuk e di në cilin vend europian dhe jo, dikush i bie derës së shtëpisë tënde dhe të kërkon “letrat” në mbrëmje vonë. Pasi të shtin në hall, më pas të lë si hu tek pragu dhe nuk të jep kurrfarë shpjegimi për të ardhmen tënde që ta paska caktuar pa të pyetur shija estetike e dikujt në Tiranë, qoftë ky dhe i pari i vendit. Si ka gjasë që sa hap e mbyll sytë dikush të shkatërron pronën, të thotë një çmim kompesimi fap e fap dhe tretet në terr? Kjo mund të ngjajë vetëm në vendin tonë, ku humori i qeverisë, shija e kreut të saj është themelore për jetën e qytetarit, sigurinë, strehën e tij.
Kush e njeh Shkodrën dhe pikërisht atë zonë të stadiumit e di fort mirë që ka zgjidhje të tjera shumë më të lehta pa kosto, pa futur në lojë fondin rezervë të kompesimeve që na ka tepruar këtë fundviti. Vendqëndrimet e makinave sajohen edhe gjetkë. Ajo që nuk kuptoj është përse duhet me e ngul thikën në asht dhe me çel një konflikt social krejt të panevojshëm, kur boll ka në agjendën e INUK-ut dhe ministrit të tyre të fortë.
Atij që e çuan prej shporretit të kërkonte “letrat” e shtëpisë që ia kish lënë baba, me siguri do i ketë vajtur ndër mend droni i Beogradit. Ju gëzua zemra kur e pa atë lojë që i bëmë shkjaut në Beograd. Ku e dinte i gjori që prej atij droni kanë me i prish avllinë, kopështin dhe shtëpinë nga çatia gjer në themel, në mënyrë që kur të shkoj unë të shoh ndeshjen e kthimit të kem ku ta lë makinën dy orë. Dy orë që blejnë një shekull.