FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

“Më preke në dinjitet”, letra e hapur e Edmond Spahos ndaj Mentor Kikias për akuzat për drejtuesit e PD-së

Shkrim nga Edmond Spaho

Zoti Mentor Kikia,

Për shkak të asaj njohjeje që kemi, mund edhe të më kishe marrë një mendim para se të shkruaje me mllef. Por ky është sporti që ne luajmë më mirë, prandaj nuk po ta vë re.

Swiss Digital Desktop Reklama

Meqenëse ti ke marrë përsipër të bësh zëdhënësin e PD-së dhe të Sali Berishës, dhe meqenëse më ke prekur pa të drejtë në dinjitet, do të përgjigjem duke bërë të ditur disa fakte, të cilat janë midis meje dhe atyre që kanë qenë pjesë e bisedave dhe debateve me mua, për qëndrimet që kam mbajtur të paktën gjatë 4-5 viteve të fundit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deri më sot, as Syri i Partisë dhe as Sali Berisha apo ndonjë nga njerëzit e tij nuk më kanë sulmuar për qëndrimet që kam mbajtur ndaj PD-së dhe vetë Doktorit, sepse janë të mbytur kokë e këmbë, si parimisht ashtu edhe personalisht, me mua.

Sikurse ti dhe shumë të tjerë, e dini që e kam mbështetur PD-në përgjatë gjithë jetës sime politike. Akoma më shumë në opozitë dhe akoma më shumë pas shtatorit 2021, kur Sali Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar. Kam qenë nga deputetët e parë që i kam dalë në krah. Madje, që më 19 maj 2021, kur u shpall Non Grata.

Në një takim që kam pasur me z. Berisha në fund të shtatorit 2021, e kam pyetur nëse e kishte seriozisht lëvizjen që nisi dhe i kam sugjeruar që të mos sulmonte amerikanët. Më garantoi se e kishte seriozisht.

Koha tregoi se lëvizja e Rithemelimit doli një farsë, ndërsa betejën me amerikanët dhe dëmet që i solli PD-së i ke ndjekur vetë.

Rithemelimi, midis të tjerash, premtoi që pushteti i vendimmarrjes në PD do t’i kalonte anëtarësisë dhe jo kryetarit apo organizmave të saj. Primaret dhe kontributi i secilit do të përcaktonin pozicionin e çdonjërit në listat për deputetë dhe në zgjedhjet vendore.

Po kështu, premtuam që kryetari që humbet zgjedhjet e përgjithshme nuk ka të drejtë të rikandidojë për drejtimin e partisë, pasi konsiderohet automatikisht i dorëhequr.

Asnjë nga këto premtime, që përbënin bazën e Rithemelimit, nuk është mbajtur. Përse atëherë, i dashur Mentor, unë qenkam gabim që ngre zërin? Po kërkoj qiqra në hell apo zbatimin e asaj që vendosëm të gjithë bashkërisht në PD? Ku qëndron tradhtia këtu, Mentor?

Në nivel personal, sikurse e di mirë ti, Mentor, për shkak të mbështetjes së plotë që i dhashë Sali Berishës, në tetor 2021 u përjashtuan nga PD-ja Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Luan Baçi dhe Edmond Spaho. Të gjithë hynë në listat e mbyllura dhe sot janë deputetë, me përjashtim të Edmond Spahos.

Po kështu, gjatë katër viteve të fundit në Parlament, për shkak të qëndrimeve që kam mbajtur në mbështetje të Rithemelimit dhe Sali Berishës, jam përjashtuar nga Kuvendi plot 50 ditë pune, si shumë pak të tjerë në grupin parlamentar të PD-së.

Në primaret për listat e deputetëve, ti, Mentor, ndoshta nuk e di, por kam dalë i dyti në të gjithë grupin parlamentar me 789 vota. Sikurse edhe për disa kolegë të tjerë, kjo nuk vlejti, megjithëse premtimi ishte se primaret do të përcaktonin vendin në listë.

Në shtator 2024 u zhvillua një mbledhje e Kryesisë së PD-së. Aty, pa më njoftuar paraprakisht dhe pa m’u argumentuar arsyeja, u shkarkova nga detyra e drejtuesit politik të qarkut të Korçës. Duke lënë mënjanë modestinë, kontributi im në ngritjen e gjashtë degëve të PD-së në qarkun e Korçës është njohur nga vetë z. Sali Berisha dhe nga organizmat e partisë. Sot më vjen të qesh kur kujtoj se si Flamur Noka, pa qenë unë i pranishëm, ngrinte shëndete për mua në Devoll dhe theksonte kontributin tim të madh për Rithemelimin.

Për shkarkimin tim isha përgatitur, sepse kisha dëgjuar për betimin e Flamur Nokës nëpër tavolina se do të më nxirrte nga loja politike, pasi kisha shfaqur rezerva për mënyrën se si u bë bashkimi i dy fraksioneve të PD-së, ku njëra palë mori gjithçka deshi, ndërsa rithemeluesit morën çelësat e kashtës.

Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, në shtator 2024, kam debatuar hapur dhe ashpër me Flamur Nokën. Të njëjtën gjë kam bërë edhe dy ditë më pas, në një takim privat në zyrën e tij.

Nisur nga sa më sipër, i kërkova takim z. Sali Berisha. Më priti pas rreth një muaji në shtëpinë e tij.

I kërkova të dija përse më shkarkuan si drejtues politik të qarkut të Korçës. Kisha pasur dobësi në punë apo çfarë?

M’u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë:

“Jo, nuk je lëvizur sepse nuk ke punuar. Ti do të jesh pjesë e parlamentit të ardhshëm, sepse e meriton dhe unë, për këtë, do të përdor të gjithë mekanizmat që kam në dorë.”

Pas ketij takimi vazhdova punen si gjithmone.

Detyren qe na vuri kryetari i partise qe cdo deputet te evidentonte 300 emigrante, me adresa dhe konfirmimin qe do votonin PD, e plotesova si pakkush duke dorezuar ne organizimin e PD 400 emra me te gjithe te dhenat e kerkuara.

Nje nate para se te beheshin publike listat per deputete te PD me telefonon Flamur Noka dhe me informon qe do te jem ne liste te hapur.

Duke qene se ky vendim shperfillte te gjithe kontributet e mia sepaku te 4 viteve te fundit, i kerkova takim Sali Berishes. Me priti te nesermen paradite. Ne dreke do zhvillohej mbledhja e kryesise per te njoftuar publikisht listat per kandidate per deputete.

I shpjegova z. Berisha qe jam i pakenaqur me cfare me komunikoi Flamur Noka sepse hedh poshte te gjitha kontributet e mia gjate periudhes se Rithemelimit. Per me teper i thashe, kemi zhvilluar sebashku nje takim ne Tetor 2024 dhe ju me keni garantuar qe do te jem ne liste te mbyllur per shkak te kontributit dhe meritave dhe jo si privilegj.

Mu pergjigj: Ti mund te kesh te drejte per te gjitha sa thua por ne keshtu vendosem.

E falenderova dhe u largova.

Mendova te terhiqesha nga gara por disa kolege me keshilluan qe ne kete menyre do hedhesh poshte mbeshtetjen e atyre qe te kane ndjekur gjate kater viteve te fundit.

Pranova te jem ne liste te hapur por i kisha bere llogarite pa hanxhine.

Flamur Noka me veglen e tij, drejtuesin politik te qarkut Korce kishin projektuar AM si fitues ne listat e hapura.

Me Ivi Kason kam pasur perplasje te ashpra gjate fushates te vitit 2025 pasi merrte perdore kandidatin e preferuar te Flamurit dhe e shetiste ne zonen time elektorale e bashkite e tjera dhe ju kerkonte strukturave te PD qe te votonin ate. Ivi Kaso ne se desheron le te publikoje mesazhet qe i kam derguar gjate kesaj periudhe.

Paturpesia vazhdoi me Flamur Noken, i cili erdhi nje jave ne qarkun e Korces dhe beri fushate per AM. Kaq e vertete eshte kjo sa kur i kerkoi deputetes se Korces, Sorina Koti te bente fushate per AM, ajo ju pergjigj: Flamur une me mire bej fushate per Niko Peleshin pasi ata te dy jane bashke.

Pas zgjedhjeve të majit 2025, kam qenë i vetmi drejtues në PD që kam marrë përsipër përgjegjësinë e humbjes së thellë që pësoi PD-ja dhe kam dhënë dorëheqjen nga Kryesia e PD-së, Këshilli Kombëtar dhe detyra e Sekretarit për Integrimin Europian.

Mund të më thuash ti, Mentor, ku qëndron mosmirënjohja ime, përdredhja për interesa të pamerituara apo paburrëria?

Jam unë mosmirënjohës, gënjeshtar e i paburrë, apo të tjerët që u sollën kështu me mua? Po të vepronin me ty kështu si vepruan me mua, ti, Mentor, çfarë do të bëje?

Mos më thuaj se ti, për ideologjinë dhe partinë, do të jepje edhe djalin dhe do të vazhdoje të shërbeje si raja. Unë jo, Mentor. Unë dinjitetin personal dhe respektin i vendos mbi partinë dhe ideologjinë, kushdo qofshin ato. Kështu kam qenë dhe kështu do të mbetem.

Nuk është në natyrën time të bëj publike biseda me njerëz të tretë, por ti, Mentor, më detyrove, pasi u talle publikisht jo vetëm me dinjitetin tim, por edhe me atë kontribut, sado modest, që kam dhënë në këtë forcë përgjatë 35 viteve, duke qenë nga ata që numërohen me gishtat e dorës e që nuk i janë ndarë asaj edhe në ditët më të vështira. Nuk kam ndërruar ndonjëherë parti, unë, Mentor. PD-ja dhe Sali Berisha e dinë që unë nuk u kam asnjë borxh. Ata më kanë mua.

Tani të vijmë te protesta dhe mjedisi, partizan i flaktë i të cilave ti je dhe për të cilat e ke shkruar atë koment.

Është e drejta jote e padiskutueshme të jesh në rreshtin e parë të protestës, të luftosh për flamingot dhe të bërtasësh vetëm: “Rama në burg!”

Është e drejta ime e pamohueshme të jem kundër protestës, ta konsideroj atë të manipuluar nga qarqe jashtë vendit për të përzënë një investim shumë të madh për përmasat e Shqipërisë, si dhe për të sabotuar integrimin europian të saj, i cili ndodhet në fazën e tij kulmore dhe më të rëndësishme. Ne për këtë demokraci dhe pluralizëm mendimi kemi luftuar në vitin 1990, Mentor.

Unë i tillë kam qenë në raport me protestën që në ditën e parë të saj. Por ty, Mentor, pavarësisht se hiqesh parimor, të pëlqejnë ata që përdredhen, ata që atë që thanë kundër saj ditën e parë e mohuan ditën e pestë. Për cilën PD të punoj unë, Mentor? Për atë të ditës së parë apo për atë të ditës së pestë?

Duke shkuar më tej, për mua, si shqiptar, ka rëndësi të integrohemi në BE, pavarësisht se cila forcë apo cili kryeministër është në krye të vendit.

Në dallim nga ti, Mentor, unë nuk kërkoj qeveri me short, me mandat 12-mujor, sepse kjo mender-qeveri të vetmen arritje do të kishte sabotimin e integrimit europian të vendit.

Pastaj, përse duhet të harxhojmë kaq shumë energji në protesta për qeveri me short, me letër me vrimë, kur e kemi gati qeverinë e madhërishme mbarëkombëtare të zotit Pilinxhi?

Kjo protestë, pjesë e së cilës je edhe ti, Mentor, ma nguliti edhe më shumë në mendje se aradha e analistëve, që dalin çdo natë në TV për të gjitha problemet që ka bota, janë spekulativë, të vdekur për protagonizëm, të aftë për të denigruar me slogane, parulla dhe pa asnjë argument, madje me egërsi, si kanibalë, çështje dhe individë që nuk mendojnë si ata.

Ka një ndryshim të madh midis nesh të dyve. Ndërsa ti je përfaqësues i organizatave mjedisore që marrin fonde nga ambasadat, unë jam i lirë, i pavarur nga PD-ja, PS-ja dhe çdo ambasadë. I bindem vetëm mendjes sime, sepse jetoj me pensionin që e kam fituar me punë e djersë.

U zgjata pak, Mentor, por këtu po e mbyll këtë debat dhe nuk do t’i përgjigjem më as ty, as ndonjë zëri tjetër në Facebook apo në ndonjë portal partie.

Faleminderit!

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?