Më shumë raste vdekjesh nga ndryshimi i klimës

 

Thatësira, shirat dhe valët e të nxehtit po shtohen. Ato u krijojnë njerëzve probleme të mëdha shëndetësore. Meteorologët presin rryma të nxehtit më të zgjatur dhe më intensiv.

 

40,3 Grad ishte temperatura para dhjetë ditësh në Kitzingen të Bavarisë. Rekord vape. Madje në rajonet alpine 1000 meter mbi nivelin e detit termometri tregonte më shumë se 30 gradë. Për këtë fundjavë meteorologët e Shërbimit Meteorologjik gjerman presin temperaturara deri në 38 gradë.

Temperatura të tilla të larta, valë nxehtësie dhe ndryshime ekstreme të temperaturës brenda një kohë të shkurtër në Gjermani përbëjnë gjithnjë e më shumë rrezik për shëndetin. Kjo rezulton nga një studim i Shërbimit Meteorologjik gjerman (DWD) me porosi të Agjencisë Federale për Mjedisin (UBA). Pasojat e kësaj vere të nxehtë nuk gjejnjë pasqyrim në të.

Sidomos njerëzit me probleme kardiake janë të rrezikuar

Kështu vdekshmëria për shkak të sëmundjeve koronare të zemrës është rritur ndërmjet viteve 2000 dhe 2010 mesatarisht dhjetë deri 15 përqind. "Në të ardhmen për shkak të transformimit të klimës ne presim periudha edhe më të gjata dhe më intensive të të nxehtit në Gjermani", thotë Paul Becker, nënkryetar i Shërbimit Meteorologjik Gjerman. "Nëse ne nuk do të mund të përshtatemi, deri në fund të shekullit kjo mund të çojë në një shumëfishim të vdekshmërisë nga vapa për shkak të sëmundjeve koronare të zemrës."

Të moshuarit dhe të sëmurët kronikë duhet të kenë kujdes

Periudhat e gjata dhe intensive të vapës ngarkojnë sistemin kardiovaskular. Sipas studimit valët e të nxehtit, që kanë qenë më të gjata dhe më të nxehta se mesatarisht, kanë si pasojë vdekshmëri më të lartë.

Të prekur veçanërisht janë të moshuarit apo njerëzit, që vuajnë nga sëmundje të caktuara kronike. "Ditët me ndryshime të shpejta të temperaturës në krahasim me një ditë më parë, apo luhatjet ekstreme të temperaturës në të njëjtën ditë, janë ngarkesë për shëndetin", vë në dukje Maria Krautzberger, presidente e Agjencisë Federale të Mjedisit (UBA)." Ditë të tilla do të ndodhin më shpesh në klimën e së ardhmes. Prandaj është e rëndësishme, që të përshtatemi me ndryshimin e klimës, në mënyrë që t'i kemi sa më të reduktuara pasojat e saj për shëndetin."

Maria Krautzberger

Maria Krautzberger, presidente e Agjencisë Federale të Mjedisit (UBA)

UBA dhe DWD llogarisin që dëmet për shëndetin do të jenë më të dukshme në zonat tashmë shumë të ngrohta në Gjermaninë jugore dhe perëndimore. Aktualisht ka mënyra të ndryshme për t'iu përshtatur valëve të të nxehtit: Me anë të sistemit të paralajmërimit të nxehtësisë, nëpërmjet DWD (Internet dhe app për motin) popullsia mund të përgatitet për periudha më të gjata me ditë të nxehta. E rëndësishme është jo vetëm përshtatja me motin jashtëzakonisht të nxehtë, por edhe në rritjen e ndryshueshmërisë të motit, porosisin DWD dhe UBA.

Strategjitë e përshtatjes me ndryshimin e klimës

Si profilaksi, për të përballuar më mirë pasojat shëndetësore të ndryshimeve klimatike, autoritetet këshillojnë ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar, si dhe shumë lëvizje, por jo gjatë periudhave akute të nxehtësisë. Edhe kufizimi i konsumit të alkoolit dhe mospirja e duhanit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut dhe për të përballuar më mirë vapën.

Përveç kësaj janë të dobishme masat thjesht parandaluese, për shembull me reduktimin e ngrohtësisë së qyteteve, apo përgatitjen më të mirë të sistemit shëndetësor.

Studimi i ri është pjesë e analizave gjithëpërfshirëse mbi ndikimet e ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut, mjedisin dhe fusha të tjera të veprimtarisë. Studimi është bërë me porosi të qeverisë gjemane. Në kuadër të strategjisë gjermane të pështatjes (DAS) qeveria synon të zhvillojë një plan veprimi për të përballuar pasojat e ndryshimit të klimës në raste urgjente.

Në bazë të literaturës studimore, një sondazhi dhe testeve të kryera veçanërisht për këtë studim, është mundur të tregohet deri tani se situata të caktuara të motit shoqërohen me një rritje të shqetësimeve në shëndetin e njeriut, deri në rritjen e numrit të vdekjeve – shumica e këtyre gjendjeve të motit do të përsëriten ndoshta më shpesh në të ardhmen.

SHKARKO APP