Me sytë nga Parisi
Nga Artur Zheji
Në 48 orët që pasuan vrasjet e frikshme në satiriken “Charlie Hebdo”, shitjet e së cilës për paradoks, sipas proverbit “vdis pa të dua”, kanë shkuar në kulme të padëgjuara asnjëherë, të tjera vrasje kanë ndodhur dhe të tjera akoma janë paralajmëruar nga ISIS, që mori autorësinë e këtij atentati.
Tronditja është e madhe sepse atentatet drejtohen kundër civilëve dhe nga qytetarë me shtetësi franceze, por kombësi dhe fe tjetër. Pra, si të thuash, janë atentate të nënshtetasve kundër shtetit të tyre, në emër të fesë së ndryshme, kulturës, prejardhjes dhe racës. Dhe të mendosh që Franca, së paku në këto dy shekujt e fundit, ka qenë një nga vendet, kulturalisht në pararojë të rrafshimit të këtyre diferencave.
Të rrafshimit në favorin e të ardhurve, në favor të të paragjykuarve, në emër të hapjes dhe të një barazie raciale, fetare dhe kulturore të të gjithëve. Dhe padyshim me një faturë financiare të kripur nga taksapaguesit francezë.
Gjithsesi, reagimi për të çminuar minën apo minat terroriste, nuk bëhet vetëm me policë dhe specialët antiterror. Domosdoshmëria e një analize bëhet gjithsesi edhe më urgjente.
Se pse dhe se si motivohen moralisht këto sulme, të cilat janë më së shumti vetëvrasëse. Vëllezërit Koachi, atentatorët që masakruan gazetarë dhe rojet në “Charlie Hebdo”, u vranë sepse nuk donin të dorëzoheshin. Të paktën ky është varianti zyrtar. Jeta e tyre, ashtu si edhe jeta e viktimave të tyre, nuk kthehet më.
Në shumicën e atentateve terroriste të këtyre përmasave, vetëvrasja apo vetëflijimi i atentatorit apo atentatorëve është tashmë një protokoll apo një procedurë. Kjo e bën atentatin të paparashikueshëm, të tmerrshëm dhe jashtëzakonisht efektiv. Atentatori, njeriu atentator pra, nënshkruan një kontratë me jetën e tij, ose më saktë me vdekjen e tij, dhe shndërrohet, ai dhe bomba apo arma, në një superbombë apo në një superarmë, vrasëse sa më s’ka.
Mirëpo që të ndërhysh kaq thellë në psikikën e një njeriu, që ta bindësh atë të vrasë, duke e llogaritur edhe veten të vdekur sakaq, apo pak më vonë, në emër të martirizimit, do të thotë të bësh “një kirurgji” mendore fatale.
Vendimtare. Komanduese. Bindëse pra në trajtën më ekstreme. Të ngjashme simbas reagimit të dëshpëruar të pilotëve japonezë në epilogun tragjik të Luftës së Dytë Botërore. Të pagëzuar me emërtesën dramatikisht të famshme, Kamikazë.
Nëse nuk zgjidhet dhe nëse nuk fitohet beteja filozofike dhe mendore në fushën e territorizmit, kundër motiveve false, por tragjikisht bindëse, që armatosin Trurin e këtyre djemve dhe vajzave, që vrasin dhe vriten, personalisht mendoj se kjo betejë do të jetë shumë më e rëndë se sa parashikohet.
Sepse të kesh guximin të japësh Jetën, do të thotë të kesh guximin të japësh gjithçka. Dhe në këtë Botë, ku Jeta dhe ku në emër të Jetës mirëkuptohet çdo mëkat dhe çdo dobësi njerëzore, është një avantazh i pallogaritshëm.
Dhe reagimi parizian dhe francez, duket se ka filluar me këmbën e mbarë, përjashto ekstremistët.
Respekt i thellë për Fenë Islame. Diferencim i plotë të terroristit me besimtarin.
Me gjithë këto plagë të thella, Franca ia del të japë sërish leksione. Të mira për shumëkënd. Përfshi edhe besimtarët myslimanë.
Vëllezër dhe njerëz. Si të gjithë.
"MAPO"