Më të varfër dhe me tryezën bosh, kthim te talloni ushqimor?

Nga: Edmond Panariti

Anketimi i Komisionit Evropian, ku shqiptarët mjerisht zënë vendin e parë në Evropë për ushqyerje të pamjaftueshme dhe kequshqyerje për të kursyer sa më shumë nga të ardhurat e tyre të pakta familjare. Shumë të distancuar jemi ne edhe nga fqinjët, pale nga mesatarja Evropiane! Plot 46 përqind e qytetarëve, deklarojnë se kanë blerë më pak ushqime nga sa kanë realisht nevojë. Përputhje e plotë edhe me statistikat e UNICEF, sipas të cilave 45% e familjeve te ne, nuk i plotësojnë nevojat e tyre për ushqim.

Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse me ato pensione mjerane dhe flakjen jashtë të mbështetjes sociale të mijëra familjeve të varfëra, veçse uria mund ti shtohet skamjes dhe mjerimit! Po çfarë thotë një statistikë tjetër e cila na rendit sërish kampionë të Evropës në fushën e ushqimit dhe ushqyerjes! Kesaj here sipas Bankes Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetit, Shqipëria është në vend të parë në Evropë për keqformim fizik dhe mendor të popullatës, veçanërisht të fëmijëve, si rrjedhoje e pamjaftueshmerise dhe kequshqyerjes. Ndërkohë, vazhdon flakja në kanal e prodhimeve bujqesore, për mungese shitje dhe tregu. Por ndërkaq e blejmë një kg domate 1,3 euro në pikun e prodhimit dhe të stinës.

Konkluzioni: Sa nuk është vonë! Të konsiderohet përparësi dhe urgjencë kombëtare, ushqimi i plotë dhe i balancuar i popullatës. Perndryshe veç braktisjes masive të vendit, do të përballemi edhe me keqrritje, deformim fizik dhe mendor të popullates së mbetur. Kjo nuk është hamendje por realitet i hidhur! Do të na duhet të kthehemi te koha e tallonave, sepse nuk ka rrugëdalje tjetër të shpejtë.

Propozoj që familjeve të varfëra, pensionisteve, të pamundurëve, tu shpërndahen falas, tallona me shportën bazë ushqimore. E bën këtë edhe Amerika me “food stamps”, për familje me të ardhura të pakta por që për nga niveli as që nuk kanë të krahasuar me varfërinë tonë. Mos ta lëmë “sadakane” dhe bamirësinë vetëm për Bajram e Pashkë, apo me pjata supe, mencash elektorale… Duhet vepruar! Menjeherë!

SHKARKO APP