Mediat angleze: Varufakis, Jul Çezari me xhup lëkure
Kur Aleksis Tsipras emëroi Profesorin e ekonomisë Janis Varufakis si kryenegociator të bisedimeve për të shpëtuar Greqinë nga borxhet, e bëri i bazuar te aftësitë dhe ashpërsia e Ministrit të ri të Financave.
Por pasi kaloi me sukses testin e parë në Francë, ku u takua me Ministrin homologun francez të Financave, Mishel Sapw, në vizitën e tij në Londër, Varufakis u vu përballë një prove të vështirë, asaj të tabloidëve britanikë, të cilët e ironizuan për veshjen aspak zyrtare dhe qëndrimin që mbante përballë Ministrit vendas të Financave, Xhorxh Osbourn.
“Nëse doni të diskutoni seriozisht borxhin grek tani, bëni mirë të mos i shikoni këto pamje. Por nëse doni të merrni këshilla mode nga Ministri grek i Financave, që mbërriti në Downing Street me këmishë ngjyrë blu të ndezur, çizme dhe xhup lëkure dhe model flokësh si Jul Çezari, atëherë jeni të mirëpritur”, shkruan “The Guardian” në artikullin e saj, duke e krahasuar Varufakis me Ministrin britanik të kollarisur.
Disi më mirë është sjellë “Daily Mail”, që u ka kujtuar lexuesve të saj shkollimin britanik të Varufakis, i cili ka edhe pasaportë australiane dhe deri para se të bëhej Ministër jepte mësim në Universitetin e Teksasit në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa “Independent” e ka vlerësuar së tepërmi për faktin që Varufakis nuk po udhëton me bileta të klasit të parë, por ato ekonomikë gjatë turit europian, duke dhënë një shembull pozitiv përballë zgjedhësve grekë dhe zyrtarëve europianë.