Mediu dhe Basha, bashkëjetesa që kriset për t’u grisur

Nga Lorenc Vangjeli

Një dosje gjyqësore italiane e botuar në gazetën TemA tejkalon subjektin për të cilin bëhet fjalë. Që është një nga shumë shqiptarët e tjerë të akuzuar për vepra të ndryshme penale në atë dosje. Diferenca e tij me bashkëkombasit e tjerë është se Fatmir Mediu është një personazh i njohur i politikës shqiptare.

Kryetar partie dhe ish-ministër, problemet e tij me ligjin në vendin fqinjë janë shumë herë më të vogla, banale, ordinere dhe të parëndësishme në krahasim me akuzat reale e dramatike me të cilat ai është ndeshur në Shqipëri. Si ish-ministrër i mbrojtjes ai ka shpëtuar vetëm me procedurë dhe imunitet nga hetimi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit në të cilën humbën jetën 26 fëmijë, gra e burra, u plagosën qindra të tjerë, u shkaktuan miliona dollarë dëme dhe shumë fate njerëzore u ndryshuan përfundimisht.

Botimi i procesverbaleve të dy mbledhjeve të njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare në shkurt dhe mars 2007, të cilat i hapën rrugë procesit të demontimit të armëve në Gërdec, e kanë nxjerrë ish-ministrin në një dritë qesharake dhe po kështu, edhe vetë kryeministrin Berisha, si një nga përgjegjësit e asaj që do të ndodhte më vonë. Madje më shumë se kaq, ato procesverbale dëshmonin një nivel komunikimi për të vënë kujën  mes ministrash dhe eprorit të tyre kryeministër.

Eshtë pranuar gjerësisht se ai shpërthim apokaliptik i marsit 2008 e ka ndarë qeverisjen e Berishës me thikë në dy pjesë; deri atëherë rikthimi i tij ishte pak a shumë normal dhe ish-kryeministri po tentonte që të zinte vendin e një burri të mirë në histori. Mbas atij shpërthimi, tentativat kryeministrore për të mbuluar përgjegjësit zyrtarë e moralë të tragjedisë, e futën atë në kursin e përplasjes me pushtetet e tjera në vend duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme ekuilibrat e brishtë mes tyre. Ish-ministri që deri më atëherë vetëm qeshte, u bë serioz dhe bashkë me syzet e shtuara në rekuizitën personale, “meritoi” bindjen pothuaj të përgjithshme, nga e majta dhe e djathta se ishte “çun i mirë, por pa fat”.

Situata sot ka ndryshuar. Politika shqiptare ka efektin e kameleonin dhe ngjyrat e diferencat mes palëve nuk para kanë shumë rëndësi sa kohë shumëkush nxiton të përshtatet në çast me kohën dhe vendin sipas interesit të çastit. Pothuaj në opozitë në mandatin e dytë të Doktorit, pothuaj në opozitë edhe tani në mandatin e parë të së majtës, Mediu është (për aq sa mund të jetë formalisht), bashkëdrejtues i opozitës shqiptare bashkë me Lulzim Bashën. Por më shumë se përkatësia e të dyve si të djathtë, ata i bën bashkë e njëjta gjë: akuzat shumë të rënda që kanë pasur në shpinë dhe nga të cilat kanë shpëtuar së paku përkohësisht me procedurë. Njëri la imunitetin me vullnet dhe nuk e tradhëtoi asnjë çast vullneti për të mos dalë në gjyq, kurse tjetri rifitoi imunitetin si mburojë që nuk e linte të dilte në gjyq.

Tani që në vallën e politikës po hedh hapa njëra pas tjetrës nevoja për dekriminalizim, pyetja që shtrohet është edhe se çfarë fati mund të ketë kjo dyshe përballë ligjit. Për shembull, më shumë se një dyzinë ushtarakësh dhe civilësh të gjetur fajtorë për tragjedinë e Gërdecit nuk mund të bëhet dot deputetë. Po kështu edhe miku i zotit Mediu, G. M. nga Berati, i dënuar në të njëjtin proces me të, gjithashtu nuk mund të bëhet deputet për shkak të dënimit penal. Po Fatmiri vetë pse duhet të ketë fat të ndryshëm nga fati i keq i tyre. A mjafton vetëm të jesh “çun i mirë”? Njëlloj si Lulzim Basha që tashmë është bërë edhe serioz, pavarësisht se ka mbi shpinë shumë kusure?

Ndoshta është një i tretë që i ndan fatet e tyre. Ndoshta tamam tani ka ardhur koha që bashkëjetesa e tyre, në të mirë e në të keq, të kriset sepse nuk thonë kot që kjo është botë e çuditshme dhe e padrejtë shumë shpesh. Duket që pikërisht në këtë moment, Fatmir Mediu është duke dëgjuar në heshtje se fati i mirë ka pushuar së brohorituri emrin e tij. Njëlloj si ky rikthim i të shkuarës së tij kur gjyqtarët italianë e konsideronin si njeri që nuk meritonte të merrte rrethana të përgjithshme lehtësuese deri në apel për ta pafajësuar në gjykatën e lartë në pas. Kurse Basha është duke luajtur sërish me fatin dhe për një fat më të mirë në politikë, mund ta pranojë dhe këtë krisje të rradhës me Fatmirin republikan./ Javanews

SHKARKO APP