Merkel risjell vëmendjen gjermane
Nga Mero Baze
Kancelarja gjermane Angela Merkel, nis të mëkurën vizitën zyrtare në Shqipëri, Serbi dhe më pas në Bosnjë Hercegovinë, në një udhëtim që është i pari i një kancelari gjerman, që tregon vëmendje ndaj këtyre tri vende që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Europian. Prej vitit 1992, kur Gjermania i dha fund Jugosllavisë duke njohur e para pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë, ky është aksioni politik më i rëndësishëm i Gjermanisë, për të parë pjesën tjetër të Ballkanit, si zonë me interes për të.
Por vizita të tilla të rëndësishme në Ballkan, lexohen ndryshe nga interesi real gjerman për rajonin, duke krijuar kulte miqsh të mëdhenjë dhe duke u përpjekur t’i përdorin ato politikisht.
Për Gjermaninë dhe kancelaren e saj, interesat në tri vendet që do të vizitojë, kanë të bëjnë me vëmendjen gjermane ndaj rajonit, me një mesazh të fortë për stabilitet dhe me një përpjekje normale për të frenuar ndikimin rus, sidomos në Serbi dhe Bosnjë, ndikim i cili është ende burim i destabilitetit politik.
Për Shqipërinë, vizita është një vëmendje domethënëse e Gjermanisë, e cila kërkon tu japë mesazh investitorëve gjermanë, të jenë prezent në këtë vend dhe tu kërkojë udhëheqësve politikë në Shqipëri, të forcojnë shtetin ligjor dhe demokracinë si garanci për stabilitet dhe zhvillim ekonomik, si dhe të frenojnë retorikat nacionaliste. Në këtë aspekt, pritet që Merkel të flasë në Tiranë dhe për frenimin e valës së emigrantëve ekonomik nga Shqipëria drejtë Gjermanisë, duke kujtuar se shanset për azil politik janë zero.
Për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, vizita është një fat historic, por dhe një sukses politik. Ai ka mundur të mos e zhgënjejë iniciativën e kancelares Merkel një vit më parë për të forcuar bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shkëmbyer vizita me kryeministrin e Serbisë dhe duke reaguar me maturi ndaj retorikës nacionaliste. Vizita e Ramës në Beograd dhe Vuçiçit në Tiranë, është një sukses personal i kancelares Merkel, me të cilën ajo ka me çfarë të krenohet, me dy “nxënësit e bindur” të saj. Suksesi ka të bëjë me fundin e liderëve autoritarë në Ballkan të rracës Millosheviç, Berisha, Tugjhman dhe Izetbegoviç dhe me një diferencim që Merkel po u bën atyre që duan t’i imitojnë ata, siç është rasti i Gruevskit. Rama dhe Vuçiç, po vizatohen përditë e më shumë si lider pragmatist, që janë të gatshëm të përdorin autorietin e Gjermanisë për një histori të re në rajon dhe për një biografi të re politike të tyre.
Në planin e brendshëm, Edi Rama ka fatin ta ketë vizitën e Merkelit në favor të tij, pasi Shqipëria është një vend gjermanofil dhe e shikon prezencën e Gjermanisë këtu, si fat. Ndryshe nga fqinji jugor, ku Merkelit nuk ia zënë në gojë emrin Angela, por e shikojnë si djall, në Shqipëri shikohet si një grua e fortë gjermane, e cila nuk zemëron askënd. Edhe pse raportet e saj me Berishën ishin të ftohta, për shkak të korrupsionit të qeverisë së tij dhe imazhit negativ që ai prodhoi sidomos në Samitin e Berlinit, injorimi i saj për liderin e opozitës, është më shumë çështje protokollare për të theksuar thelbin e një vizite shtetërore dhe jo politike.
Në Serbi, Vuçiç, nuk e ka kaq pozitive klimën, pasi rrënjët nacionaliste të partisë së tij si dhe idoktrinimi i vazhduar i shoqërisë serbe, e shikon Gjermaninë si burim i një fatkeqësie për ëndrrën e vjetër të Serbisë së Madhe. Por Merkel kërkon të ndajë opinionin mes asaj Serbie, që kërkon Perëndimin dhe asaj që e refuzon atë. Ndikimi i Rusisë në Serbi është ende i fortë dhe një pjesë e klasës politike të saj janë të orientuar nga Moska. Veriu i Kosovës po qëndron ende formalisht me Kosovën, falë prezencës gjermane, ndërsa Bosnja po vazhdon të mbahet e destabilzuar në një pjesë të saj prej ndikimit që rusët kanë ende mbi nacionalizmin serb.
Prezenca e Merkelit në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë, është një mesazh i qartë i kufirit gjerman në Ballkan. Kjo vëmendje gjermane, nuk duhet marrë vetëm si fat, por dhe si përgjgjësi për të mos e shpërdoruar. Historia ka shembuj të hidhur për këtë.
Gazeta "Tema"