Merkel: “Tek qetësia qendron forca”
Në deklarimet e para pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve kancelarja Angela Merkel u shpreh, se ka besim t’u prezantojë gjermanëve një qeveri të qendrueshme deri në Krishtlindje. Kancelarja Angela Merkel pas fitores, ndonëse me erozion rekord të elektoratit për CDU-në, në zjedhjet parlamentare të së dielës (24.09), u shpreh se e konsideron të mundshme që pavarësisht bisedimeve të vështira të koalicionit, ajo është e sigurtë se deri në Krishtlindje do të mund t’u prezantojë një qeveri të qendreushme gjermanëve. Në raundin televiziv të Berlinit me kryetarët e partive kryesore të Bundestagut zhvilluar nga kanalet televizive publike ARD dhe ZDF,
Merkel shprehimisht nënvizoi: «Unë jam në përgjithësi me besim. E përveç kësaj: prej shumë vitesh unë kam moton, që tek qetësia qendron forca.»
Kryesia e SPD-së deklaroi menjëherë pas shpalljes së rezultateve paraprake dhe humbjes së rëndë të saj, se do të dalë në opozitë. E mundshme mbetet, që koalicioni i ardhshëm qeverisës të përbëhet nga tri parti: CDU/CSU, FDP dhe Të Gjelbërit. Krijimi i një koalicioni të tillë konsiderohet i vështirë për shkak të diferencave të mëdha mes CSU-së dhe ekologjistëve.
Populistët europianë urojnë AfD gjermane për suksesin elektoral
Partitë populiste europiane urojnë për suksesin elektoral partinë aleate gjermane Alternativa për Gjermaninë, AfD, që doli si forca e tretë politike. Për herë parë një parti e djathtë populiste përfaqësohet në Bundestag.
Kryetarja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen, deklaroi në Twitter: “Një bravo për aleatët tanë të AfD-së për këtë rezultat historik.” Ky është “një simbol i ri për zgjimin e popujve europianë”.
Edhe populisti i djathtë holandez Geert Wilders uroi AfD: “Urime Frauke Petry dhe AfD!!”, shkruan Wilders në Twitter.
Sekretari i përgjithshëm i populistëve të djathtë të Austrisë, Herbert Kickl, tek ky rezultat sheh të pasqyrohet dëshira e zgjedhësve për ndryshime në Europë. Kancelarja Angela Merkel përmes politikës së saj “Refugees-Welcome” ka bërë dëm. “Shpërndarja e parave të taksave të fituara me djersë në ndonjë vend të falimentuar dhe vala e paimagjinueshme e migracionit në Europë në vitin 2015” sipas tij, tregon, se europianët mezi presin ndryshime të politikës së deritanishme, deklaroi Kickl, sikurse citon agjencia austriake e lajmeve APA.
Në janar 2017 popuilistët e djathtë europianë u mblodhën në Koblenz në Gjermani në një kongres të përbashkët, ku demonstruan unitet.
Le Pen në zgjedhjet presidenciale në maj në Francë ia doli të konkurojë deri në balotazh, ku edhe humbi ndjeshëm kundrejt socialliberalit Emmanuel Macron.
Wilders me partinë e tij të lirisë, PVV, në zgjedhjet parlamentare në mars në Holandë doli në vendin e dytë. Në Austri populistët e djathtë për pak mund të arrinin të kishin presidentin e vendit nga radhët e tyre. AfD në Gjermani në zgjedhjet e së dielës (24.09) arriti të fitojë me 13% duke dalë forca e tretë në vend e kësisoj ajo do të jetë e përfaqësuar në parlament. Kjo është hera e parë që në parlamentin e Gjermanisë përfaqësohet një parti populiste e djathtë.