“Merkel u bë vepër arti në Shqipëri”
Ka me qindra shkrime në mediat gjermane për vizitën e kancelares Angela Merkel në Shqipëri. Shumë prej tyre theksojnë simbolikën e vizitës në një kohë të trazuar për Greqinë dhe BE-në. Shumë media thonë se ky ishte një sinjal për Rusinë. Ndër shkrimet më interesante është ky i gazetës së njohur “Welt”
Nga Robin Alexander, Welt
Thomas Demand qëndron i ulur në Tiranë përpara një gote me ujë, në pritje të Angela Merkelit. Kjo fjali mund të duket e çuditshme. Kjo për shkak se Demand është një artist, që punon në Los Angeles dhe ndonjëherë në Berlin. Atje e njohin shumë, kur në vitin 2009 ekspozoi punimet e tij në Galerinë Kombëtare. Puna e tij është e tillë: fotot nga media ai i rindërton si skulptura dhe më pas i fotografon sërish. Merkel është kancelarja gjermane, e cila këto ditë është duke u përpjekur që të pengojë rënien e Greqisë nga Euro. Tirana megjithatë është kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe këtu takohen të dy në të vërtetë.
Si është e mundur? Udhëtimi i Merkelit në Tiranë mund të shpjegohet më lehtë, edhe pse sërish duket befasues. Në fakt ka shumë punë për të bërë në Berlin dhe Bruksel. Por kancelarja ka vendosur të bëjë një tërheqje nga kriza greke, e cila përshkallëzohet këtë javë. Në mënyrë demonstrative ajo po bën punën si zakonisht (business as usual). Në mënyrë që të mos shkaktohet panik në tregje. Por edhe për t’i treguar Athinës: Ju nuk jeni qendra e botës, edhe pse silleni si të tillë. Prandaj ka fluturuar në Ballkan.
Po Demandi? Si ka mundësi që artisti nga Kalifornia ka ardhur në këtë cep të largët të Europës Juglindore? Edhe ai ka ardhur me nxitim, një ditë më parë mbërriti këtu. Por rruga e tij për në Tiranë nis nga Bienalja e Venecias. Përpara 15 vitesh atje u njoh me Anri Salan, një artist shqiptar. Ai është i njohur për videot e tij. Ai jeton në Berlin, në Ishullin e Muzeut, ku ndodhet edhe banesa private e Merkel: ndoshta janë ndeshur ndonjëherë në supermarketin e lagjes. Por takimi i çuditshëm në Tiranë është mundësuar nga një artist i tretë, Edi Rama. Piktori i njohur ndërkombëtarisht, dhjetë vjet më parë ndryshoi profesionin: Rama u bë politikan, tani është kryeministër i Shqipërisë.
“Kjo përshtatet si një grusht mes syve”
Burri i madh me kokën e rruar, i befason jo vetëm bashkëatdhetarët e tij: Rama ka vendosur që katin e poshtëm të rezidencës së madhe të kryeministrit ta kthejë në një qendër për hapjen dhe demokracinë. Ndërkohë që më sipër ai qeveris, poshtë mbahen seminare dhe ekspozohen vepra arti. Të parat janë veprat e Thomas Demand.
Rama nuk ia ka treguar punimet Merkelit, jo, ai e ka vendosur atë përpara tyre- e ka bërë në këtë mënyrë pjesë të veprës së artit. Merkel e jep konferencën e saj në Tiranë përpara punimit “Sign”. Ajo jep deklaratën e saj dhe u përgjigjet pyetjeve të saj përpara një fotoje të madhe, që është krijuar në atelienë e Demand. Ai ka rikrijuar një foto, që ishte ekspozuar në Nju Jork në vitin 1939. Dy duart të shtrënguara, ku në origjinal lexohej “Consumer Cooperation” (bashkëpunimi i konsumatorit). Demand e ka hequr mbishkrimin, por mesazhi është i qartë: Liri, shkëmbim, bashkëpunim, prosperitet. “Motivi i premtimit të kapitalizmit”, thotë Demand. Ëndrra e Perëndimit. Këtu në Tiranë në situatë boshe. Që Rama, i cili do të çojë vendin e tij në BE, e ka vendosur Merkelin, që simbolizon BE-në, pikërisht përpara këtij imazhi, për Demandin është e përshtatshme si një “grusht mes syve”*.
Ndërkohë që Demand pret përpara një gote me ujë, përpara punimit të tij jepen lajme: Kryeministri përshkruan rrugën nga diktatura gri në demokracinë europiane. Ai kërkon në vjeshtë një datë për negociatat për anëtarësim në BE, një anëtarësim ndoshta i largët, por për të cilin po punon vendi i tij. Kancelarja refuzon të japë data. Rama premton pajtim me ish-armikun, Serbinë, sipas modelit gjermano-francez.
Në mbrëmje fluturon Merkel për në Beograd. Të dy bien dakord se shqiptarët nuk mund të marrin azil në Gjermani. “Ky është një gabim, që nuk do funksionojë,” paralajmëron Merkel. Edhe Rama thotë se Shqipëria duhet të klasifikohet si vend i sigurt i origjinës. Por thelbin e historisë së udhëtimit të Merkel në Shqipëri e tregon punimi i Thomas Demand, të cilit i përket tani edhe Merkel. Ka akoma një ëndërr për Perëndimin. Quhet akoma Europë. Ëndërrohet akoma për të. Edhe në Shqipëri.
Më pas vjen takimi mes Merkel dhe artistit. Shkëmbehen disa fjali. Nuk ka rëndësi, vepra ka folur.
*”Përshtatet si një grusht mes syve” është një shprehje në gjermanisht, e cila merret në dy kuptimet e kundërta, ose nuk përshtatet fare, ose përshtatet në mënyrë shumë të mirë, në kontekst të shprehjes
MAPO