MES RASTIT LILI GRUBER DHE RASTIT SOKOL BALLA
Nga Anila Basha
Ne jemi të çuditshëm. Kur them ne, e kam fjalën për shoqërinë, për gazetarinë, për perversitetin dhe “eksitimin” që kemi, sapo na bie një gjë në dorë, që duam ta nxjerrim publikisht dhe nuk e nxjerrim dot.Që nga e diela, për Sokol Ballën, kanë qenë ditë të vështira. E vështirë, sepse u dhunua në jetën e tij private. Sa herë na ka ndodhur që në jetët tona private të cënohemi; shumë herë njerëzit kanë fërkuar duart nga gëzimi. E kam dëgjuar dhe unë kur kolegë të medias nëpër tavolina thoshin “sa mirë ia bënë asaj”, pa pasur njeri guximin të ma thotë në sy diçka të tillë.
Pastaj, kur vjen puna te etika, lind pyetja: sa private, është jeta private, e një personazhi publik? Profesorët kur na e sqaronin këtë gjë në fakultet, nuk harronin të na thoshin: Nëse je personazh publik, jeta jote private, prek publiken. Nëse do të qëndrosh një personazh me jetën tënde private, zgjidh një pune që ka kontaktin larg publikes.
Debati mes privates dhe publikes, është i lashtë sa vetë debati për median.
Kështu, dekadën e kaluar, dy gazetat më të mëdha në Itali, ''Corriere della Sera'', e “La Stampa”, publikuan fotot nudo të gazetares Lili Gruber, duke marrë rreze dielli në shtëpinë e saj private. Një fotograf, i bëri disa poza në fshehtësi gazetares së famshme italiane, dhe më pas, upsss…gjithçka u bë publike.
Lili Gruber, si gazetare e famshme në televizionet italiane, hodhi në gjyq dy gazetat me argumentin: Në asnjë rast në shkrimet e tyre nuk përmendën faktin se “ishte në pronën e saj private”. Thënë kështu, Gjykata e Milanos dënoi gazetat me shumën e 100 milionë liretave gjobë për shkeljen e privatësisë. Argumenti më pas u rimor nga gazetat duke thënë se nëse Lili Gruber do të kishte dalë nudo në një plazh publik, ajo kishte zgjedhur po vetë të ngatërronte privaten me publiken, përsa kohë ishte personazh publik. Por në momentin që Gruber ishte në pishinën e shtëpisë së saj, kjo nuk u jepte të drejtë gazetarëve të publikonin fotot e saj, të marra, sigurisht, pa lejen e gazetares.
“Fatkeqësia” e kolegut Sokol Balla në rastin konkret, qëndron jo tek vjedhja e një video private të tijën, por tek hacker-imi që iu bë Instagramit të tij, aty ku dhe u publikuan videot. Në momentin e parë që u panë ato video, nuk është se u vodhën dhe qarkulluan nëpër celularët e njerëzve. Ato u publikuan në instagram, në një faqe të hapur enkas për Sokolin, duke lënë kështu të kuptohet se ishin publikuar nga ai. Ky ishte efekti i parë, derisa u bëmë të gjithë koshientë që ai nuk administronte dot më llogarinë e vet personale.
Siç ndodh rëndom në raste të tilla, askush nuk merr përsipër publikimin. Duhet të kesh inat të madh me dikë, aq më tepër, familjar, baba, ç’rëndësi ka me një jetë të trazuar ose jo private, të bësh publik këtë fakt. Edhe në kohën e publikimit të fotove nudo të Edi Ramës në një plazh nudistësh, nuk u mor në Shqipëri askush. Madje as RD-ja. Por u gjet një gazetë jashtë kufijve të Shqipërisë për të publikuar fotot, që erdhën nëpërmjet medias së huaj, edhe në Shqipëri.
Tani, vëmendja nuk është më te Sokol Balla, apo jeta private e Sokolit. Vëmendja përqëndrohet te gjyqi publik, që është më i rëndë sesa ai ligjor e për më tepër, te vendimi i Bordit të Aksionerëve të një prej televizioneve më të mëdha në vend, për largimin e tij nga ky televizion.
Thënë ndryshe, Sokol Balla ka një jetë që e ka shpenzuar në redaksinë e atij televizioni. Nuk dua të mendoj se bordi i aksionerëve të atij televizioni të jetë prekur aq shumë nga “privatësia” e jetës së Sokol Ballës. Vitet e punës së Sokolit aty, janë shumë më shumë sesa sekondat e ndonjë pamjeje pornografike që kanë parë njerëzit në celularët e tyre.
Nëse flasim për imazhin që mund të mendojnë aksionerët, se i prishet atij televizioni, mendoj se ky do të ishte rasti më absurd për të hedhur poshtë punën e një gazetari, që ka përsipër vite e vite eksperiencë, ashtu sikurse ka dhe një jetë personale.
Përfundimisht, njerëzit nesër do të kenë sytë nga Top Channel. A do të jetë Sokol Balla për të drejtuar Top Story-n e lajmëruar me Edi Ramën. Vendimi i zgjuar do të ishte që “po”, Sokoli të vazhdojë programin e tij, përsa kohë që nuk ka thyer asnjë ligj të shtetit shqiptar; nuk ka rekorde ngacmimi seksual në punën e tij, dhe me ligjet e shtetit shqiptar është në rregull.
Personalisht mendoj se PO, Sokol Balla duhet të rregjistrojë bisedën me kryeministrin e Shqipërisë. Jam e sigurt se do të dijë më së miri të mbrojë veten, dhe ekranin ku ka shpenzuar kohën më të gjatë të punës së tij si gazetar. Dhe duke qenë bordi i aksionerëve me një qëndrim për rastin “Balla”, qytetarët, do dinë të seleksionojnë vetë, çfarë duan të shohin nga publikja, apo privatja e njerëzve në Shqipëri.
Sa për valën e komenteve dhe ushtrisë së piranjave, eh, jam marrë njëherë me këtë çështje. S’është e nevojshme të flasim kohë pas kohe.