Mesazhet e vizitës 4 orëshe të kancelares Merkel në Tiranë

Tirana po bëhet gati të shtrojë tapetin e kuq për kancelaren gjermane Angela Merkel; e para vizitë e këtij niveli pas asaj të ish-kancelarit Gerhard Shroder në vitin 1999. Shqipëria do të jetë stacioni i parë i Merkel në Ballkan, e cila edhe pse gjendet në qendër të ciklonit nga kriza në eurozonë, nuk e shmangu turin e planifikuar prej kohësh.

Pas Tiranës, Merkel do të shkojë në Beograd, ndërsa mëngjesin e së enjtes do të udhëtojë drejt Sarajevës në Bosnje-Hercegovinë, duke konfirmuar rolin aktiv të Gjermanisë në rajonin e trazuar.

Në Tiranë, gruaja e hekurt e Europës pritet me eufori dhe masa të rrepta sigurie. Vizita e saj konsiderohet historike dhe një mbështetje e fortë për kursin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Vetë kancelarja Merkel mendon se vendi ka ende shumë hapa për të bërë në përmbushjen e këtij synimi. Në një video-mesazh të publikuar para vizitës në Ballkan, Merkel tha se “në Shqipëri është bërë progres, por ka ende shumë, shumë probleme të mëdha”.

Një njoftim i kryeministrisë tregon se kancelarja gjermane do të qëndrojë rreth 4 orë në Tiranë. Mesditën e së mërkurës, ajo do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bujar Nishani dhe do të mbajë një fjalim përshëndetës në një konferencë ekonomike me sipërmarrës shqiptarë dhe gjermanë.

Axhenda e integrimit dhe stabiliteti rajonal pritet të dominojnë vizitën e kancelares gjermane në Tiranë. Sa i përket integrimit, rrugëtimi plot dritëhije i Shqipërisë nuk do të mbetet jashtë diskutimeve.

Në takimin me kryeministrin Rama në Berlin, Merkel e ka vënë theksin tek mungesa e shtetit ligjor dhe tek korrupsioni i përhapur gjerësisht në vend. Kritika të ngjashme pritet të shtrohen sërish për diskutim gjatë takimeve të së mërkurës.

Megjithatë, politologë dhe diplomatë të kontaktuar nga BIRN mendojnë se përtej skepticizmit gjerman, vizita e Merkel në Shqipëri është një mbështetje e qartë për vendin.

Bashkim Zeneli, ish-ambasador i Shqipërisë në Gjermani në vitet 2000 e cilëson një inkurajim për Shqipërinë dhe Ballkanin, vizitën e kancelares gjermane. Ai vlerëson gjithashtu edhe kursin e ndjekur nga qeveria “Rama”, i cili ka sjellë një nerv të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Zeneli mendon megjithatë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë përpjekje në përmbushjen e detyrimeve të veta përballë partnerëve ndërkombëtarë.

“Gjermanët kanë një shprehje, që integrimi nuk është rrugë njëkalimëshe. Gjermania po e përmbush më mirë se kushdo tjetër detyrën për të na mbështetur. Mbetet që qeveri e opozitë së bashku të përmbushin detyrat e tyre për të hapur sa më shpejt portën e integrimit në familjen europiane,” tha Zeneli për BIRN.

Analisti Afrim Krasniqi mendon gjithashtu se Gjermania po e mban premtimin për rolin aktiv në Ballkan. Megjithatë, problem sipas tij mbetet ajo ç’ka Shqipëria mund të ofrojë si këmbim.

“Kontrasti i vetëm gjendet në diferencën midis asaj që Gjermania pret prej nesh, – reforma dhe rezultate konkrete për forcimin e shtetit të së drejtës, – dhe asaj çfarë ne mund të ofrojmë, – standarde më të larta për Shqipërinë, por ende standarde të pamjaftueshme për Evropën,” argumenton Krasniqi.

Samiti i Berlinit, i cili u mbajt gushtin e vitit 2014 u frymëzua nga perspektiva e paqes në rajonin e dominuar nga konfliktet. Një vit më pas, shtetet kanë avancuar në këtë drejtim dhe takimet mes Ramës dhe Vuçiç konsiderohen një hap përpara, edhe nën ndikimin e kancelares Merkel.

“ Shqipëria ka dhënë një shembull të stabilitetit dhe të vullnetit të mirë në këtë drejtim. Në raportet me Serbinë ka nisur tanimë një faqe e re,” tha ish-ambasadori Zeneli.

Çështjet e sigurisë rajonale pritet megjithatë të mbeten në tryezën e diskutimeve, ku një vend të rëndësishëm mendohet se do të zërë edhe kërcënimi nga terrorizmi.

Gjermania është një ndër donatorët më të mëdhenj në Shqipëri, e cila ka mbështetur me rreth 1 miliardë euro tranzicionin e vështirë shqiptar. Vizita e kancelares Merkel u parapri me firmosjen e 6 projekteve bujare në vlerën e 118 milionë eurove në dobi të përmirësimit të infrastrukturës. Megjithatë, klima e biznesit pritet të jetë një tjetër çështje serioze në axhendën e bisedimeve, edhe për shkak të problemeve të hasura në të shkuarën nga sipërmarrësit gjermanë.

Problematikat e shumta nuk do të eklipsojnë megjithatë mesazhin kryesor që kancelarja gjermane po përcjell me vizitën e saj në Shqipëri dhe dy vendet e tjera të rajonit.

“Gjermania do të japë mesazhin se Shqipëria nuk ndodhet vetëm, se prespektiva e zgjerimit të BE-së është e garantuar dhe se shpejtësia e integrimit varet para së gjithash nga vullneti dhe rezultati i reformave në Tiranë,” përfundon Afrim Krasniqi.

BIRN

SHKARKO APP