Mesazhi i “patikave” të Edi Ramës

Nga Enver Robelli

I.

Më 21 shkurt 2008, pak ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë, mijëra serbë e serbe, të ndërsyer nga qeveria nacional-shoviniste e Vojisllav Koshtunicës, dolën në rrugët e Beogradit për të protestuar kundër kësaj «padrejtësie». Bërtitën sa patën zë, pastaj iu vërsulën ambasadave të shteteve që tashmë kishin pranuar pavarësinë e Kosovës. U sulmuan, mes tjerash, ambasada amerikane, turke dhe gjermane. Shumë objekteve iu vu flaka. Pastaj patriotizmi serb u dëshmua në hyrjen e dhunshme nëpër dyqane të artikujve sportivë në kryeqytetin e Serbisë. Tinejxherë e tinejxhere vodhën sa mundën – «patika», domethënë atlete. Më të preferuara ishin atletet e firmave amerikane. Në historinë e lavdishme serbe ky episod mbahet në mend për shkak të motos: «Patike za Kosovo». Në fund të majit të vitit 2008 mediat serbe njoftuan se një gjykatë në Beograd dënoi dy biondina me nga dhjetë muaj burg me kusht për shkak të vjedhjes. Njëra nga vajzat e dënuara tha: «I kërkoj falje të gjithë qytetarëve dhe shtetit që i kam poshtëruar – si dhe familjes sime». Të dyja nënvizuan se «kemi vjedhur si të gjithë të tjerët».

II.

Edi Rama ka sens për humor. Këtë javë ai në Samitin e vendeve kryesore të BE-së me shtetet e Ballkanit në Trieste të Italisë defiloi me «patika». «Provokacija», provokim, mund të kenë gjëmuar e piskatur serbët. «Patikat» e Edi Ramës u kujtonin atyre një njollë nga e kaluara e tyre. Për një palë atlete shumë serbë janë të gatshëm të harrojnë Kosovën, «tokën e shenjtë» të Car Llazarit. Mesazhi i Ramës i drejtohej edhe kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron: «Mos i merrni shumë seriozisht serbët që vajtojnë për gjoja humbjen e Kosovës. Sepse krejt dhimbja e tyre mund të shërohet me një palë atlete në vlerë prej 50 eurosh».

III.

Çfarë deshi të thoshte tjetër Edi Rama me atletet e tij? Ndoshta synoi t’ua bënte me dije serbëve se një kryeministër shqiptar shkon në Trieste me atlete si në plazhin e Durrësit, sepse qyteti verior i Italisë në historinë shqiptare luan një rol të rëndësishëm. Aty më 2 prill 1879 lindi Aleksandër Mojsiu, pinjoll i një familjeje hebraike shqiptare me origjinë nga Durrësi, ku teatri i qytetit edhe sot bart emrin e tij. Në zemër të Triestes një rrugë mban emrin e Karl Gegës, inxhinier me origjinë shqiptare, i lindur më 10 janar 1802 në Venedik. Gega është ndërtuesi i njërës prej hekurudhave më prestigjioze të kohës, e cila lidhi Vjenën me Triesten. Për këtë vepër të madhe arkitektonike ai nga Perandoria Austro-Hungareze u emërua kalorës. Austriakët e quajtën Carl Ritter von Ghega, italianët Carlo Ghega, në Trieste rruga e përmendur mban emrin «Via Carlo Ghega». Aty gjendet hotel «Roma», pastiçeria Zampolli dhe Shkolla e Muzikës «Giuseppe Tartini», një violinist e kompozitor italian. Ndoshta të gjitha këto i kishte ndërmend Edi Rama, kur mori udhën drejt Triestes me atletet e bardhe me vija të kuqe. Ose…

IV.

Ose: kryeministri shqiptar me atletet e tij deshi të përçojë një mesazh krejt tjetër: meqë rruga e integrimeve europiane është bllokuar prej vitesh dhe gjithnjë e më pak njerëz në Ballkan besojnë në pranimin e shteteve të tyre në Bashkimin Europian, atëherë hajde të shkojmë pak në Trieste të bëjmë një gjiro me atlete sa për të treguar se «jemi europianë». Edhe kështu bëhet politikë në Ballkan. Dialogplus.ch

SHKARKO APP