Mesazhi kryesor i Merkelit për biznesin

 

Nga Zef Shtjefni

Po ndiqja me vëmendje mesazhet e Kancelares Merkel gjatë vizitës në Shqipëri. Në fund të fundit, Ajo për ato mesazhe kishte ardhur. Çdo të bënte më tepër në ato katër orë, ku as për të ngrënë bukën e shqiptarëve nuk i doli kohë. Një nga mesazhet kryesore që zonja Merkel dha, krahas luftës kundër korrupsionit e sjelljes në binar të drejtësisë së shpërfytyruar që kemi, të cilët janë kthyer në plagët më të mëdha të vendit tonë, qe dhe thirrja për hapjen dhe garantimin e rrugës ndaj biznesit gjerman e atij vendas. Biznesi për gjermanët dhe gjithë europianët është motori kryesor i zhvillimit ekonomik. Unë mrekullohesha kur dëgjoja disa spiker televizivë që e transformonin mesazhin e Merkelit për t’i hapur rrugë biznesit, për ti garantuar atij drejtësi dhe zbatim rigoroz të ligjeve, në hapje rruge për donatorët. Është një mentalitet i deformuar deri në media ky, merreni me mend vetë si mund të jetë në opinionin e gjerë. Biznesi shihet si donator, si plaçkë për t’u zhvatur, si njerëz që duhet vetëm të japin, të falin dhe të rripen.             

Duke qenë se jetoj e punoj tash 18 vite në zemër të Gjermanisë dhe njëkohësisht edhe në Shqipëri, kam mundësi t’i kuptoj e perceptoj më mirë fjalët e Kancelares nga shumë të tjerë, që na thonë: “A sa bukur foli Merkeli…!” Por të nesërmen e harrojnë çfarë tha dhe u sulen bizneseve si bisha për t’i penguar me një mijë burokraci. Po jap vetëm pak shembuj nga shumë që kam: Kemi rihapur këto kohë hotelet në bregdet. Cilido biznes serioz mund të bëjë mrekulli brenda pronës së tij, mund të kesh standardin 4 e 5 yje. Po çfarë e do!? Të del tjetri më kioskë përpara e të bën gropën septike mu në mes të rërës së plazhit. Më të fortët akoma mbulojnë plazhin me çakull e zhavorre, që ta bëjnë parkim e të fitojnë 2000 lekësha qyl mbi pronat publike. Të tjerat akoma, kanë më shumë kurajë e ngulin tabela nëpër shtylla në mes të rërës, ku shkruajnë se këtu është prona e “Nua Rrokit”. Kjo ndodh sot nëpër Shqipëri nga Velipoja në Shëngjin, Shënpjetër, Durrës, Vlorë e gjithë bregun e Sarandës. Policia dhe kontrollet e shumta të shtetit, sillen si tufa hijenash, shpesh të veshur si halabakë, të cilët atyre që janë në rregull vijnë dhe u kërkojnë jo më pak se 12 licenca për dy muaj punë. Atyre që nuk janë me asgjë në rregull, apo të fortëve, u kalojnë anash. I numëroja një ditë në Shëngjin, erdhën 7 kontrolle brenda ditës. Edhe ato pak turistë që kanë ardhur shastisën kur i shohin, se mendojnë çfarë po ndodh e se mos ndonjëri po nxjerr kallashin. Kanë mbërritur deri tek licencat për të drejtat e autorit, për këngët që dëgjojmë në radio apo CD! Pjesa më e madhe e kontrollorëve të shtetit tonë, si dje në kohën e Saliut, por edhe sot në kohën e Ramës, vazhdojnë avazin e vjetër jo dhe aq me merakun për të disiplinuar bizneset e zbatuar ligjet e shtetit, por për të kapur ndonjë thelë për vete.

Në Gjermaninë e Merkëllit nuk ka kaq shumë licenca, kaq shumë ligje e burokraci për biznesin. Atje gjërat janë shumë më të thjeshta, më të qarta e më të lehta për tu zbatuar nga sipërmarrësit e tatimpaguesit. Askush nuk të thotë hajde në Berlin, në Ministri dhe pajisu me licencë për të dëgjuar muzikë në radio etj. Maksimumi të dërgojnë një faturë apo një kopje kontrate të gatshme me email apo me postë. Bile në disa vende europiane nuk kanë as kasë fiskale fare. Kur ua them tatimorëve tanë këtë, më thonë se po gënjej. Nuk kanë faj, pasi ne kemi mbërritur kulmin me kasa fiskale me GSM dhe online me tatimet. Pra kemi bërë maksimumin për të zhvatur ç’mundemi nga biznesi. Por, siç ndodhë në përgjithësi me gjithë shtetet biznesit nuk i sigurojnë asnjë kusht për punë normale dhe nga ana tjetër kërkojnë t’u zhvatin gjithçka bëjnë. Këta shtete kanë gjithmonë edhe evazionin fiskal më të madh. Njerëzit do të pëlcasin në një anë për të mbijetuar. Në cilin vend mund të ndodh që kontrollet të vijnë tri herë për drekë qyl në lokal dhe pas drekës së tretë të dërgojnë edhe fletën e gjobës!? Më ka ndodhur mua. U ka ndodhur kolegëve të mi dhe ndodh thuajse çdo ditë rëndomë kudo tek ne.                                       

Klima ndaj biznesit në Shqipëri nuk është aspak miqësore. Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak as me Ramën e as me Berishën. Është një mentalitet i shëmtuar që vjen nga kultura komuniste dhe që me shumë vështirësi mund të ndryshohet. Por ka shumë plagë që vijnë edhe nga e kaluara më e largët e kulturës turkomane, si dhe nga risitë e tranzicionit anarkist të këtyre 25 viteve post komuniste. Si mund ta konceptojë një biznes gjerman, se për të blerë truallin e një fabrikë, duhet të trajtosh me gjithë burrat që krekosën si pronar të vjetër dhe ata që kanë ca letra me 7501-ish, si pronarë të rinj të tokës! Kjo ndodh masivisht në Shqipëri dhe kush thotë jo, nuk ka sy në ballë. Si mund ta konceptojë një biznesmen gjerman, se një fabrikë që shteti e shet në ankand për të bërë tulla apo çimento, të nesërmen i heqin të drejtën e kavos së lëndës së parë, argjilës apo guroren, ose i ndërpresin edhe rrugëkalimin e automjeteve dhe e lënë shakull në diell të vrasë veten me muret e makineritë e fabrikës rrënojë, që i kanë lënë në derë. Kjo ka ndodhur e ndodh tek ne edhe sot e kësaj dite.

Politika jonë është gjithnjë e zënë me punët e karrigeve të saj nëpër fushatat e pafund elektorale dhe askush nuk e ka mendjen tek biznesi dhe ekonomia. E pra, janë ata që vendosin fatin e çdo vendi, mirëqenien e çdo familje, buxhetin e çdo Bashkie dhe Qeverie. Në Gjermani çdo biznesi që konsumon energji natën, shteti ua ka ulur tarifat deri me 50%. Madje atyre që prodhojnë energji bio vetë, ua blenë me shtrenjtë se ua shet. Dhe e fundit, si mund ta konceptojë një biznes gjerman se duhet blerë me para çdo vendim gjyqësor!? Ndaj, mendoj se thirrja e Merkelit që politika të kthejë sytë e t’i hapë rrugë dhe t’i garantojë ligje e siguri biznesit, është jetike për Shqipërinë, sot më shumë se kurrë.

 

SHKARKO APP