Mesha në kalanë e Rozafës rikthen mosmarrëveshjet katolikë-myslimanë
Një objekt i rrënuar dhe efektivisht i braktisur prej shumë shekujsh në kalanë e Rozafës në Shkodër vijon të shkaktojë përplasje mes përfaqësuesve të dy religjioneve që pretendojnë “pronësinë” mbi të
Nga Elvis Nabolli, BIRN
Duke sfiduar temperaturat e ulëta dhe shiun e dendur, një grup besimtarësh katolikë u ngjitën mëngjesin e 26 dhjetorit 2014 në majë të kështjellës së Shkodrës për të marrë pjesë në një meshë të veçantë. Meshën e ditës së Shën Shtjefnit, shenjtit mbrojtës për katolikët e qytetit të Shkodrës. Por mesha e tyre e përvitshme shkakton zemërim. Një pjesë e besimtarëve myslimanë të Shkodrës besojnë se po përballen me një provokim fetar.
Ajo është një ndërtesë në formë kishe me një minare anash. Çatia e kishës është rrëzuar tashmë prej kohësh që nuk mbahen mend bashkë me pjesën e sipërme të minares, ndërsa muret e saj mbahen në këmbë falë një sistemi kabllosh çeliku të vendosura aty gjatë kohës së komunizmit për të shmangur rrënimin e mëtejshëm të saj.
Ajo njihet nga disa si Kisha Katedrale e Shën Shtjefnit dhe për disa të tjerë si Xhamia e Sulltan Mehmetit të Dytë.
Famullitari Kuklit Dom Nik Ukgjini, i cili mbajti meshën, theksoi se shkaku se pse mesha u zhvillua në kalanë e Rozafës është se pavarësisht përkatësive fetare kjo kala duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët.
Pak orë më vonë, gjatë faljes së të premtes, myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, e cilësoi meshën “një provokim”.
Sipas Sytari në vendin që është mbajtur mesha e krishterë është xhamia shumëshekullore e Sulltan Fatihut. Ai thotë se ka njoftuar komitetin e Kulteve ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të bëjë një mbledhje për të dalë me një deklaratë. Komentet e myftiu janë bërë gjatë predikimit të së premtes te xhamia e Parrucës në Shkodër.
Konflikti për ndërtesën nisi një dekadë më parë, kur Instituti i Monumenteve të Kulturës përgatiti një projekt të në cilin shkruhej se bëhej fjalë për punime rinovuese në “Kishën e Shën Shtjefnit”. Kjo zemëroi myftiun Sytari dhe një pjesë të besimtarëve myslimanë krahas disa çështjeve të tjera që shkaktonin përplasje fetare në Shkodër në atë kohë, si prania e kryqeve të vendosura nëpër maja kodrash apo vendit ku duhej të vendosej shtatorja e Nënë Terezës.
Në fakt kisha e Shën Stefanit, apo kisha-xhami, është një monument kulture, gati e rrënuar, që gjendet në brendësi të kalasë së Rozafës, afërsisht në pozicionin qendror të saj. Është pa çati dhe me fragmente muresh që janë shembur prej kohësh. Tipologjia planimetrike e ndërtesës, është karakteristike e stilit perëndimor që nga shekulli XIII që janë të rralla në Shqipërinë e veriut, por që hasen edhe gjetiu si p.sh kisha e Shëna Premtes, në Çetë.
Si kishë qendrore, ajo u kthye në xhami pasi Perandoria Osmane pushtoi shkodran në fund të shekullit të 15, por besohet se u braktis si objekt kulti tri shekuj më pas për shkak se kalatë humbën funksionet ushtarake.