Meta & Rama, më mirë bashkë apo veç e veç?!
Nga Artur Zheji
Le ta themi shkoqur, në Shqipërinë politike dhe jo vetëm, argumenti kryesor që flitet e përflitet, është Kriza Rama-Meta. Askush nuk dyshon më për qenësinë e kësaj Krize, të gjithë pyesin vetëm se, sa e thellë se sa e ndreqshme apo e pandreqshme ajo është.
Situata e sotme ndërmjet tyre, cilado qoftë ajo, është produkt i një historie tashmë shumëvjeçare, bashkëpunimi dhe lufte politike.
Në marrëveshjen e tyre, që parapriu zgjedhjet e 23 qershorit 2013, edhe PS edhe LSI, kishin jo pak probleme. LSI vuante trajektoren në rënie të popullaritetit të qeverisjes ‘Berisha 2’ dhe sulmin e përshkallëzuar mediatik mbas 21 Janarit 2011.
Në një analizë të qartë, Meta, që në vitin 2012, kur dhe u zgjodh pa konsensus edhe Presidenti i ri i Republikës, kuptoi që e ardhmja e tij politike me PD-në do të ishte një bashkëjetesë gjithmonë e më e vështirë. Disa konfidentë të Metës e dinin se që mbas “krizës” dhe “çarjes” së thellë për Presidentin, Meta e kishte marrë në heshtje vendimin e tij. Që përjashtonte një aleancë të re me Berishën, i cili luajti “bukur” me kartën konsensuale deri në çastin e raundeve të parafundit, kur mund të shkohej në zgjedhje të parakohshme dhe nxori sakaq një kartë të re, Bujar Nishanin. Që ashtu si u nënkuptua, saktë ose jo, ishte “karta” e tij e parë dhe e “fshehtë”.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste dhe kryetari i saj, që nga viti 2005 në një opozitë të mundimshme, mundohej nga ankthi i ligjshëm se, nëse qoftë edhe për një grusht votash, nuk fitoheshin edhe këto zgjedhje, atëherë Ramës do t’i duhej të përballej me një konflikt të brendshëm jo të vogël, por edhe partia ndoshta do të agonizonte në një opozitarizëm kaq të gjatë. E pra, Ramës dhe PS, i duhej garancia e plotë e fitores mbi Berishën, në 2013, garanci të cilën mund ta jepte vetëm koalicioni zgjedhor me LSI dhe me Ilir Metën.
Dhe ashtu u bë. Faktet provuan që Rama kishte të drejtë. Rezultati i qershorit 2013 ishte i fortë dhe bërtitës. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim funksionuan elektoralisht në mënyrë të përsosur.
Dhe fitorja e thellë e së Majtës së bashkuar erdhi e plotë.
Nga ana tjetër, u vërtetua sërish se LSI, edhe në 2013, ashtu si edhe në 2009 apo edhe në 2005, ishte dhe mbeti një “king maker”, duke kurorëzuar këtë radhë kryeministër, Edi Ramën. Edhe LSI, si parti dhe si strukturë, nxori padyshim edhe ajo përfitimet e veta politike. Aspak modeste. Duke mbetur në pushtet dhe duke rritur në mënyrë impresionuese numrat e deputetëve përfaqësues në Kuvend.
Fitorja e dytë, e qershorit 2015, e koalicionit dyvjeçar dhe ndoshta “pa dashuri” por efikas, Rama-Meta e çon këtë Shumicë, që të rrëshqasë si në gjalpë, deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017.
Por çfarë ka ndodhur ndërkohë?
LSI vijon t’i përmirësoje dukshëm parametrat e saj elektorale, duke u bërë një parti me një shtrirje “kërcënuese”.
Me këto numra elektoralë, qoftë edhe plus minus 3-4 %, Meta e ka shndërruar politikën shqiptare në një strukturë 3-polare. Nëse rezultatin e vitit 2005 dikush e quajti një aksident, apo rezultatin e vitit 2009, një vullnet të lëvdueshëm për mbijetesë, por vetëm kaq, në 2013 dhe në 2015, LSI nuk është një pemë pa rrënjë, si edhe shumëkush nga ata që nuk e duan, e etiketojnë bollshëm.
Shqipëria po hyn kështu me 20 vite vonesë, në strukturimin politik të ngjashëm me Italinë, Greqinë apo dhe vende të tjera.
Ku koalicionet janë të forta, ndërsa forca e kryeministrit është një hap pas forcës së Koalicionit. Italia apo Greqia e rrëfen këtë model bollshëm dhe qartë.
Kjo nuk përjashton faktin që shumë ëndërrimtarë të oborrit, që sot zëvendësojnë astrologët apo parashikonjësit e dikurshëm të kërkojnë një Zgjidhje të Re.
Duke zgjidhur këtë Koalicion.
Me “parashikimin” se “Yjet” janë në pozicion të favorshëm, për të hyrë në zgjedhje të parakohshme dhe për të korrur kësisoj një Fitore Historike të Partisë së Re Socialiste. Dhe mundësisht rikthimin de facto të politikës shqiptare në trajtën e vjetër 2-polare, apo thjesht 2 partiake.
Mirëpo risku që ky ekuacion të fshehë të panjohura elektorale është i lartë. Kjo do të përmbyste të gjitha argumentet që para dy vitesh, bashkuan Metën dhe Ramën nën çatinë e të njëjtit Koalicion. Për faturën ekonomike dhe qeverisëse dhe të stabilitetit të Vendit, është më mirë të mos flasim.
Mirëpo mesa duket, makineria e ëndërrimtarëve është vënë në një lëvizje serioze. Në mënyrë trasversale dhe që në të vërtetë synon zhbërjen e 3 polaritetit të politikës shqiptare.
Që koincidon me zhbërjen e LSI-së.
Etiketat moralizuese nga njëra anë, akuzat morale nga ana tjetër, janë vetëm fjalë, për të justifikuar akte të mëpastajme.
Meta u akuzua fort në pranverë si “vrasës” dhe si atentatbërës.
Tani akuza më e fundit. Simbas variantit më the- të thashë, dhe simbas meje kjo punë qëndron kështu, ose ashtu. E deri më tash, si edhe për “vrasjen” me pagesë, “0” prova. Ndërsa qëllimi politik është i qartë.
Por turbulenca morale dhe moralizuese ka si objektiv opinionin publik shqiptar dhe më gjerë.
Të gjithë e dinë që në politikën shqiptare kanë munguar shenjtorët. Gjithmonë.
Çështja që duhet zgjidhur është: Rama dhe Meta, kanë tashmë më shumë arsye për të qenë bashkë, apo veç e veç?!
MAPO