Ministri grek iku, problemi çam mbeti

 

Nga Dashamir Tahiri

Ministri i Jashtëm grek e përfundoi vizitën e tij në Shqipëri. Sipas të dhënave u arritën tri marrëveshje: Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Bujqësisë dhe Energjisë, Plani i Përbashkët i veprimit ndërmjet Ministrive të Zhvillimit Ekonomik të të dy vendeve dhe Memorandumi i Bashkëpunimit midis të dy Ministrive të Jashtme për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Tonet në bisedat që zhvilloi ministri grek ishin të qeta dhe dukej që kërkohej mirëkuptim nga të dy palët edhe pse probleme të pazgjidhura ka ende. Interesi i një fqinjësie të mirë është i përbashkët duke pasur parasysh bashkëpunimin në shumë fusha, duke përfshirë në radhë të parë atë ekonomik. Edhe qëndrimi i qeverisë grekë në lidhje me qindra mijë emigrantë shqiptarë që vazhdojnë të jetojnë e punojnë në Greqi ka mjaft përmirësim lidhur me të drejtat e tyre. Por pavarësisht nga tonet e ulura dhe përpjekjet serioze për bashkëpunim, kuptohet që pas ikjes së Kotzias-it sërish mbeten ende tre probleme madhore për t’u zgjidhur: Heqja e ligjit të luftës, Përcaktimi Kufiri Detar dhe Çështja çame.

Lidhur me Çështjen çame, Kotzias deklaroi qetësisht: Çdo qytetar shqiptar mund të shkojë në gjykatat greke dhe i mbështetur mbi të drejtën të pretendojë kërkesën e tij. Si deputet çam dhe përfaqësues i këtij komuniteti që më ka dhënë votat, e quaj të mangët dhe jo të sinqertë deklaratën e ministrit grek. Si diplomat ai e di mirë që ekzistenca e Ligjit të Luftës nuk lejon dhe u heq të drejtën çamëve të zhvillojnë procese gjyqësore edhe kur zotërojnë dokumente të rregullta pronësie. Sidoqoftë nuk pamë ndonjë reagim në bisedime nga pala shqiptare pas kësaj thënie të tij. U la që të tri çështjet e mësipërme të diskutohen në një kohë tjetër.

Në axhendën e takimeve të Ministrit të Jashtëm grek ishte dhe ajo me Kryetarin e Kuvendit Popullor, Ilir Meta. Në takim merrnin pjesë Gramoz Ruçi, Arta Dade, Anastas Angjeli dhe Vangjel Dule. Binte në sy mungesa e zv/ Kryetarit të Kuvendit Popullor i emëruar rishtazi në detyrë Shpëtim Idrizi. Ishte një rast i artë ku ai të shtronte problemin çam (greku e pranoi që ekziston si problem) ose edhe sikur të mos e shtronte të ishte prezent. Po tash që Ministri i Jashtëm grek iku Idrizi deklaron: Jam thellësisht i zhgënjyer për deklaratat e papërgjegjshme të ministrit të jashtëm grek. Më tej ai fyen mikun grek duke e quajtur qëndrimin e tij folklorik, provincial ballkanik në kontrast me qëndrimin e Presidentit të PE-së Shulz e tj, etj, duke i treguar historinë a thua greku nuk e di. Nëse flasim për qëndrim folklorik ky i Idrizit është 100% i tillë. Kryetari i PDIU-së bëri aleancë më PS-së dhe mori kolltukun e zv/Kryetarit të Kuvendit për të qenë prezent dhe afër “majave” në favor të problemit çam. Nuk pamë ndonjë kërkesë publike ose të fshehtë të tij ndaj z. Meta për të qenë prezent në bisedime, gjë që na bën të mendojmë se atë pozicion e ka marrë për të heshtur e jo për të folur. Në takim ai mund të kërkonte dhe t’i shpjegonte ministrit grek pa folklor, pa ofeza dhe parulla super-entuziaste: Të kërkonte falje për masakrën kundër çamëve, se pa hequr ligjin e luftës nuk mund të shkohet në gjykata greke, të kërkonte ringritjen e një komisioni të përhershëm në lidhje me modalitetet për kthimin e pronave çamëve, dhe po qe e mundur të mos i kthejnë më në kufi çamët që e kanë të shkruar në pasaportë Lindur në Çamëri. Toneve të larta të Idrizit, përdorimit të epiteteve fyese, e kërcënimeve boshe u ka ikur koha. Ato mund të sugjestionojnë e shumta ndonjë anëtar të komunitet çam që nuk lexon gazetat. Historinë e dhimbshme të çamëve dhe të Çamërisë Kotzias-i e di fare mirë, por ka shumë rëndësi t’i thuhet në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Daullet pas dasme dhe fjalimet pas kuvendit thotë populli janë balona dhe tullumbace.

Me sa u pa edhe në këtë rast ky problem madhor ashtu si në gjithë këta 25 vjet është në vend numëro. Ndoshta në takimin tjetër do të kemi një përfaqësues çam në bisedat me homologët grekë ku të paktën tu thuhet ballas, çfarë përfaqësojnë dhe çfarë kërkojnë, duke respektuar të drejtat ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

SHKARKO APP