Ministri imagjinar në detyrë
Nga Kastriot Dervishaj –
Më 29.12.2020, në rrjete sociale, zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Caka, njoftoi paraqitjen e dorëheqjes te kryeministri nga detyra imagjinare e “ministrit në detyrë”. Ministër është vetëm ai që ka një dekret të Presidentit të Republikës, i cili merr miratimin e Kuvendit. Kaq! Askush tjetër nuk quhet ministër, as nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit. Po të ishte punë qejfi, secili shpik nga një fjali dhe prezantohet me të kudo që vete.
Të gjithë ministrat janë në detyrë. Nuk janë në detyrë kur shkarkohen dhe quhen ish ministra. Genc Caka dorëheqjen nuk duhet t’ia paraqiste kryeministrit, por Këshillit të Ministrave sepse është emëruar nga kjo strukturë. Për dijeni, meqë ka marrë funksione të deleguara, duhet të njoftojë edhe ministrin e vet.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, detyrën e tij e delegoi me dy akte administrative: urdhrin nr. 67, datë 23.1.2019, “Për delegim kompetence zëvendësministrit Gent Caka” (botuar me shumë vonesë në numrin 50, datë 15.4.2019 të “Fletores Zyrtare”) dhe urdhrin nr.69, datë 30.1.2019 “Për delegimin e kompetencave sekretarit të përgjithshëm”. Pra funksioni i ministrit ishte ndarë për dy persona, jo vetëm për njërin që shpiku fjalinë “ministri në detyrë”. Çudia është se për Cakën thuhet “delegim kompetence”, ndërsa për sekretarin e përgjithshëm “delegimin e kompetencave”.
Pra, nëse pranojnë shpikjen e “ministrit në detyrë”, i tillë është edhe sekretari i përgjithshëm. Mediatikisht them se juridikisht “ministri në detyrë” nuk ekziston, është vetëm në botën e çudirave.