Ministrja Denaj: Arsimi profesional, në mbështetje të sektorit të turizmit

Nga Anila Denaj (Fjala e ministers së Financave dhe të Ekonomisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizimit)

Promovimi i bukurive natyrore të Shqipërisë, zhvillimet pozitive të treguesve finaciarë të industrisë së turizmit dhe numri në rritje i turistëve në vendin tonë nuk mund të konceptohet pa zhvillimin e burimeve njerëzore.

Qasja proaktive ndaj ndërtimit të një sistemi arsimor profesional modern dhe bashkëkohor ka nisur dhe po zhvillohet çdo vit. Sot Arsimi Profesional ofrohet në 35 shkolla publike të arsimit profesional dhe 10 qëndra publike të formimit profesional. Numri total i nxënësve që ndjekin shkollat profesionale arrin në mbi 19.300 nxënës, nga të cilët 3.102 janë femra.

Vetëm për vitin shkollor 2018-2019, u regjistruan në vitet e para të shkollave profesionale 5.612, nga të cilët nga të cilët 1149 janë regjistruar në degën hoteleri turizëm.

Drejtimet më të preferuara përpos hoteleri turizëm janë teknologji informacioni dhe komunikimi, ekonomi biznes, elektronikë, teknologji ushqimore.  Ndërkohë që Qeveria shqiptare, gjatë viteve të fundit, me fonde të buxhetit të shtetit por edhe me financime të donatorëve, ka investuar për ndërtimin dhe rikonstruksionin e mbi 20 shkollave profesionale si dhe bazave të tyre prodhuese.

Ndërgjegjësimi se shkolla profesionale dhe degë të veçanta si hoteleri turizëm janë drejtimet kryesore të zhvillimit drejt integrimit të vendeve të punës po ndodh çdo ditë e më shumë.

Arsimi dhe formimi profesional ka vijuar të jetë një nga mundësitë më të mira për punësim duke synuar plotësimin e nevojave të vazhdueshme të tregut të punës për punonjës të kualifikuar.

Të dhënat INSTAT-it tregojnë se shkalla e punësimit për personat e arsimit të mesëm profesional është 64.6%, ndërkohë që për individët me arsim të përgjithshëm është 52%. Kjo tregon se punësimi për të diplomuarit që vinë nga shkollat e arsimit të mesëm profesional është 12.6% më i lartë në krahasim me ata që mbarojnë shkollat e Mesme të përgjithshme.

Për vitin 2018, janë deklaruar në Zyrat e Punësimit rreth 4900 vende të lira pune në fushën e turizmit. Pjesa më e madhe i përket rajonit të Durrësit, 780 vende të lira, Korçë 504 vende të lira, Vlora me 1230 vende të lira pune e më pas Lezha, Shkodra, dhe Tirana, etj.

Janë plotësuar nëpërmjet Zyrave të Punësimit 3040 vende të lira pune, kryesisht në rajonet Durrës me, Vlorë, dhe Lezhë. Niveli më i lartë i plotësimit të vendeve të lira të punës në fushën e turizmit është në rajonin e Durrësit dhe këtu ndikon dhe plotësimi i nevojave nëpërmjet shkollave të arsimit profesional të rajonit apo qendrës së formimit profesional. Ndërkohë, në Vlorë është plotësuar vetëm 50 për qind e vendeve të lira të punës së deklaruara.

Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) dhe mbështetjen e donatorëve ka filluar dhe vijon trainimi i stafit drejtues dhe mësimdhënës të shkollave profesionale, kurrikulave dhe programeve.  Shkollat profesionale janë mbështetur dhe mbështeten fuqishëm nga donatorë. Aktivë në këtë drejtim janë Bashkimi Evropian, Gjermania, Zvicra, Austria, Italia, etj.  Ministria e Financave dhe Ekonomisë punon për koordinimin e projekteve të financuara nga donatorët, për të shmangur mbivendosjet dhe paralelizmat.

Gjithashtu, bashkëpunimi me komunitetin e biznesit është shumë i rëndësishëm për fushën e arsimit dhe formimit profesional. Për këtë ne kemi inicuar një sërë bashkëpunimesh, duke mundësuar praktika dhe punësim, por dhe kualifikime që adresojnë nevojat e tregut në përputhshmëri me kualifkimin e burimeve njerëzore.

Investimi në Arsimin dhe Formimin Profesional është investimi më eficent me impakt të sigurtë dhe të drejtpërdrejtë në zhvillimin e biznesit dhe rritjen ekonomike të vendit pasi i përgjigjet mungesave për punonjës të kualifikuar, nxit produktivitetin dhe fitimet e kompanive, rigjallëron sektorët ekonomikë në rënie për shkak të mungesave në aftësi dhe nxit investimet e huaja në vend.

Së fundmi por jo më pak i rëndësishëm, si politikë zhvilluese që ndihmon zhvillimin e turizmit dhe biznesin e vogël e të mesëm në vend janë politikat fiskale.

Më lejoni të përmend paketat incentivuese të ndërmarra në vitet e fundit dhe veçanërisht për sektorin e turizimit.

  • Qeveria shqiptare ka çuar TVSH 6% për furnizimin e shërbimeve të hotelerisë në gjithë hotelet pavarësisht yjeve.
  • Përjashtim nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10 vjeçare për “Hotel me 4 dhe 5 yje-Status Special”.
  • TVSH 6% për furnizimin e shërbimeve në strukturat akomoduese me 5 yje.
  • Përjashtim nga taksa e ndikimit ne infrastrukturë për hotelet me 5 yje – Status Special.

Ndërkohë që kemi ofruar paketa incentivuese për biznesin e licensuar në fushën e agroturizmit, që vihet gjithashtu në funksion të industrisë së turizmit duke mundësuar:

  • Reduktim të normës së tatimit mbi fitimin nga 15 % në 5 %.
  • Reduktim të normës së TVSH-së nga 20 % ne 6 % për shërbimet akomodim, ushqim, argëtim etj (përjashtohen pijet).
  • Përjashtim nga “taksa e ndikimit në infrastrukturë” për ndërtimet me destinacion agroturizmin.

Përveç lehtësive fiskale specifike, sektori i turizmit përfiton edhe nga lehtësitë që zbatohen për gjithë bizneset, siç mund të përmendim:

  • Tatimi mbi dividentin të cilën e ulëm nga 15 % që ishte në 8 %.
  • Rritje e kufirit të taksimit të pagës së punonjësve me 23 %: nga 130 mijë në 150 mijë lekë.

Por nuk mund të lë pa përmendur dhe incentivën për biznesin e vogël të cilët përbëjnë një grup të madh interesi, ku qeveria mundësoi:

  • ZERO taksë biznesi vogël me xhiro vjetore deri 5 milion Lekë, dhe
  • 5 % taksë biznesi me xhiro vjetore 5-14 milion Lekë, nga 15% që ishte.

Në përfundim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur këtë sektor vital të ekonomisë.

Faleminderit dhe punë të mbarë me sezonin e ri turistik!

SHKARKO APP