”Momenti 1998” dhe tranzicioni i dytë
Nga Ruel Domi
Që nga nisja e protestave masive në korrik të vitit 2026, të emërtuara nga mediet ndërkombëtare si ‘Revolucioni i Flamengove’, dy ditët e fundit kanë qenë pa dyshim më të dhunshmet të këtyre muajve dhe me gjasa më të dhunshmet që nga 14 Shtatori i vitit 1998. Ajo çfarë i ndan nga 14 Shtatori i vitit 1998 dhe 21 Janari 2011 është kohëzgjatja, tanimë për më shumë se 1 ditë dhe me gjasa për më shumë, si dhe djegia dhe shkatërrimi jo vetëm i institucioneve, por edhe i ndërtesave të banimit, bizneseve, bankave etj.
S’do mend që, siç dhuna terroriste e 14 Shtatorit e rrëzoi qeverinë e kohës për pak orë, për t’ia rritur kohëzgjatjen politike me vite, dhuna barbare e dy ditëve të fundit nuk i jep fund as qeverisë aktuale, as korrupsionit dhe vjedhjes galopante të po asaj qeverie, e as tranzicionit politik. Thjesht zgjat agoninë 35-vjeçare, me ndryshimin e vetëm që i heq Shqipërisë të vetmen mundësi për t’i dhënë fund tranzicionit politik: anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në një artikull tjetër, kam hedhur hijet e dyshimit për protestat, duke parë rrethanat e nisjes, agjenturat që përfitojnë nga kaosi në pikun e sezonit veror dhe nga ndalimi I investimit në Zvërnec, si dhe mendësinë antisistemike që rrallëherë çon në shtetformim, konsolidim të institucioneve dhe më pak korrupsion e vjedhje.
Agravimi parapolitik dhe anti-institucional i këtyre dy ditëve thjesht do të zëvendësojë tranzicionin politik 35-vjeçar me një tjetër periudhë tranzicioni, ndoshta dhe parapolitik, dhe me gjasa shumë më të rrezikshëm, autoritarist dhe reaksionar se ai i pari. Po t’i rikthehemi protestave të Dhjetorit 1990, që më pas çuan në zgjedhjet e para pluraliste të Marsit 1991 dhe ato të parakohshme të Marsit 1992, kujtojmë se pluralizmi e demokracia nga protestat masive e të dhunshme u zëvendësuan shpejt nga një autokraci e re. Iluzioni I demokracise u zhduk shumë shpejt.
Kjo sepse nën autokracinë fashiste Berisha 1992-1996, u shkatërruan uzina, fabrika, u zunë prona, u rrahën e burgosën kundërshtarë politikë, u vodhën zgjedhjet e 26 Majit 1996, deri në përplasjen civile të vitit 1997 dhe 14 Shtatorin e vitit 1998. E gjitha në emër të shfryrjes së dufit popullor ndaj krimeve komuniste. Shumë e ngjashme me shfryrjen aktuale të dufit ndaj tranzicionit politik 35-vjeçar.
Kur sheh mendësinë reaksionare dhe guerilase të ‘Revolucionit të Flamingove’ dhe dhunën lakonike që ajo mendësi ka prodhuar në këto dy ditë, nuk mbërrin në asnjë tjetër konkluzion përveçse në idenë se kjo lloj dhune e fryrë nga urrejtja kolektive e turmave prodhon vetëm shtetshkatërrim, rrënim të institucioneve dhe dekada të tjera të dominuara jo nga rendi ligjor, por nga forca e bandave dhe të fortëve.
Fashizmi gjakatar e pushkatar i kriminelëve ordinerë që përdorin indinjatën e një shoqërie që pret më shumë nga klasa e vet politike, e që premton ‘Shqipëri të Re’ dhe shembje të institucioneve, kurrsesi nuk e mbyll dot tranzicionin politik, por vetëm sa e zgjat atë ose e zëvendëson me figura të reja politikisht shumë më analfabete e injorante se ato të parat.
Kjo sepse demokracia nuk është çështje emrash apo numrash, nuk është as kimi apo matematikë. Është çështje standardi. Është SPAK e GJKKO. Janë zgjedhje të lira e të ndershme. Është shoqëri ku ligji e standardi, jo bërtitja apo forca, e ndajnë se kush ka të drejtë e kush jo. Kur standardi zëvendësohet nga gurët, flakët, plackitjet, ulërimat, dhuna ndaj institucioneve, pronës e bizneseve, do të prodhosh banda të reja, figura të tjera që do ta ruajnë pushtetin me ato banda, si dhe dhunë te re ndaj gazetarëve, analistëve dhe intelektualëve disidentë të revolucionit. I rikthehem dhunës 1992-1996, se mendësia e këtyre ditëve mund të na çojë sërish aty.
Shqipëria shkon drejt demokracisë dhe kushtetutshmërisë me SPAK dhe Bashkim Evropian. Zëvendëson tranzicionin politik me një tjetër tranzicion, tanimë më të egër dhe me injorancë e shtetshkatërrim edhe më të madh, nëse protestat vijojnë me dhunë dhe mentalitet shkatërrimtar ndaj çdo gjëje të arritur e ndërtuar në 35 vite. Momenti 1998 është i rrezikshëm. Mjaft i rrezikshëm. Përplasja civile është tek dera.

