Monumentet e Qemal Stafës dhe Vojo Kushit të kthyera në shitore këpucësh!
Në jo pak herë kundërshtues dhe në më të shumat raste anatemues ndaj Enver Hoxhës. Por, shqetësimi i publikut është një dhe një i vetëm. Ai lidhet me nëpërkëmbjen e monumenteve të Luftës së Dytë Botërore. Kështu, në vendin e vrasjes së Qemal Stafës, shesin këpucë-atletike dhe lapidarin “e mbrojnë” disa të fortë, me argumentin se iu vjedhin modelin e linjës; Mbi vend-vrasjen e tre heronjve të “Kodrës së Kuqe” është bërë një pallat. Lapidarin që përkujton vendin dhe kohën ku janë varur Shyqyri Ishmi dhe Muhamet Gjollesha, e kanë zënë me arkat e peshkut …
Nga Ben Andoni, JAVA
“Çfarë do? Pse fotografon?” Dy burra më afrohen, kurse dy të rinj ia behin sakaq nga pas. “Çfarë do këtu?” Ia bëj me shenjë, se po fotografoj monumentin, që kujton vrasjen e komunistit të ri Qemal Stafa. “Jo, më thotë me ton, një “kompetent”, që ngrihet nga laptopi me duart në një pulovër të pastër. Ti do të na kopjosh modelet e atleteve”. As në fantazinë më të shfrenuar s’më ka shkuar në mënd kjo gjë, që, ma thotë seriozisht. Po këto i ke në internet dhe këto janë fallco, i them. “Si fallco?!”, irritohet. S’janë të markuara, ia pres. Mezi e bëj foton. U kërkoj pak dritë, por jo s’është e mundur. Për dreq, edhe moti është kundër meje.
Monumenti i Qemal Stafës
Monumenti sotëm i Qemal Stafës për të cilin po sherrosemi ndodhet pas ish-uzinës “Dinamo”, disa metra para një qendre tregtare, i mbuluar me një strehë dhe rrethuar me atlete. “E pastruam më 5 Maj, po askush nuk erdhi. Mos na gënje edhe ti tani?!”- ma kthen djali. Më lër rehat, i them, kur më pengon të fotografoj. Shmangem. Monumenti i Qemal Stafës është i zënë në ngërç aty … me kohën, njerëzit dhe gjithë kryetarët e Bashkisë post ’90, që duhet ta kenë zili, këtë të ri që dha jetën për jetën. Dhe të mendosh që ishte vetëm 22 vjeç. Edhe më i ri se ky “kompetenti” që po më zë frymën dhe më kërkon hesap pa fund. Nuk e bëj dot si duhet fotografinë. “Ku duan t’ia dinë këta të ardhurit, dëgjoj një grua, që pret t’i vijë dikush, e që me këtë rast ka ndjekur edhe skenën. Këta janë mos o Zot”. “Mos ec më këtu, më thonë djemtë nga pas. Do na prishësh punë, s’e kupton”. Nuk do vi, kuptohet, vallë kujt ‘i duhet’ Qemal Stafa sot…?!
Ky lapidar i thjeshtë që evokon vendin dhe kohën ku ra një hero që donte një gjë të bukur, pas 72 vitesh nuk tregon më asgjë. U jap të drejtë dhe këtyre mjeranëve… Kujtesa më çon te pulovra e bërë shoshë prej plumbave…
… I internuari në Mat’hausen, Beqir Xhepa, babai i të cilit e kish strehuar në shtëpi djalin e ri, do përcjellë vite më vonë në kujtimet për kolegun Dashor Kaloçi, se Qemali është spiunuar dhe se faji iu la Enverit: “Po menjëherë pasi Kuestura mësoi se ku fshihej Qemal Stafa, ajo bëri rrethimin e shtëpisë, gjë të cilën Qemali me Kristo Themelkon, Drita Kosturin, Marije Lezhjen e Gjystina Satën, e kuptuan vetëm në çastet e fundit kur karabinierët e policët dukeshin nga dritarja e shtëpisë së tyre. Pas kësaj ata tentuan të largoheshin nga shtëpia dhe duke ikur, vetëm Qemali mbeti i vrarë”. “Kur e takoi baba Qazimin, ai i tha: “Trupin e Qemalit nuk ua jap dot ta merrni në shtëpi, sepse kam frikë se na bëjnë ndonjë demostratë Rinia Komuniste, por le të shkojë familja tek morgu dhe aty të bëjë ritet e rastit dhe ceremoninë e varrimit duke e çuar direkt në Varrezat e Bamit”.
“Kodra e Kuqe” sot dhe atëherë
Një basoreliev patetik, por i këndshëm qëndron para një shtëpie tipike tiranase. Në fakt shtëpia ku luftuan heronjtë, është pak më mbrapa. Pikërisht aty ku sot pronarët e vjetër kanë ngritur një pallat të madh. Mundohem të bëj disa foto, por ato nuk tregojnë asgjë. Atë betejë të pabarabartë ku tre heronj komunistë, u përballën deri në vdekje me një trupë të tërë fashiste. Nuk e di sa e vërtetë është, por kohë më vonë, Leonard Veizi një koleg i “Shekullit” e sjell historinë e tyre nga një i katërt që ka qenë atje. Megjithatë, me historinë në kokë, mundohem të ngre diçka me këtë realitet të ri. “E ke kot, më thotë gruaja që më hap derën pas basorelievit. Ka sy të bukur dhe duket shumë interesante. Ku merret vesh këtu. Unë kam qenë jashtë, por ka ardhur me kuç e me maç dhe askush nuk do t’ia dijë. Shyqyr që e kanë lënë edhe këtu”, më thotë enigmatisht. Është e vetmja që denjon të më përgjigjet. Po ato janë të shkurtra: Nuk e di! Jo! Për fat disa shtëpi që janë rreth e rrotull e mbajnë disi fabulën që heronjtë kapërcyen shtëpi më shtëpi dhe mbetën aty. Po, edhe kjo është harruar! Fëmijëve të sotëm u mjafton Batman-i!!!
…
Muharrem Llanaj, i vetmi i gjallë nga lufta tek “Kodra e Kuqe” më 7 tetor të vitit 1942 tregon betejën 6-orëshe të “Heronjve të Popullit” Vojo Kushi, Sadik Stavaleci e Xhorxhi Martini. Rrethimi i të katërve në shtëpinë e Ije Farkës pretendohet se ka ndodhur jo shumë kohë pasi Enver Hoxha ka lënë bazën. Në fakt, Hoxha shkruan më vonë se: i ka ndjekur luftimet nga një bazë tjetër ilegale 600 apo 700 metra larg vatrës ku shkëmbimi i zjarrit nuk kishte të pushuar dhe se i prekur thellë nga vdekja e shokëve, atë ditë shkroi me dorën e e tij traktatin “Tre heronj”.
Llanaj: Xhorxhi Martini kishte 15 ditë që qe plagosur në këmbë dhe mezi lëvizte, kurse Sadiku vuante nga tuberkulozi. “U vendosëm në një gropë gëlqereje, Vojua dhe unë, kurse në një gropë tjetër Xhorxhi dhe Sadiku. Luftuam ndonjë orë aty. Por u zbuluam dhe kishte rrezik të vriteshim! Prandaj Vojua, përmes predhave kaloi mbi një mur që ishte rreth 30 metra larg nesh duke rënë në oborrin e një bahçevani…. Në mes të plumbave çamë rrethimin e u vendosëm në një shtëpi të boshatisur. Përsëri kaluam në një mur e u vendosëm në një shtëpi tjetër, që në atë orë e kishte kaluar kontrollin e milicëve. Matanë nuk po dëgjoheshin më revolverët e shokëve tanë. Xhorxhi dhe Sadiku ishin vrarë. Mbetëm Vojua dhe unë, të rrethuar e me milicët, që na ndiqnin këmba-këmbës. U pozicionuam mirë në një shtëpi tjetër. Kishim vendosur të luftonim, të vrisnim sa më shumë prej tyre e të mos binim të gjallë. Vojua pa një oficer, që jepte komandë dhe u thoshte shokëve: “Mos kini frikë, mos u tërhiqni…” E qëlloi me automatik. E ai thirri: “Më vranë…” Nga që s’kishim rrugëdalje Vojua iu vërtit mbi shpinë një tanku, donte që me të të çante rrethimin. Por një tank tjetër e qëlloi e ngeli për një çast i ngrirë atje, mbi tank. Unë hodha njërën nga 2 bombat që më kishin mbetur. Bombën tjetër e mbajtja për vetëvrasje, por ajo nuk ndezi. Shtëpia nga e cila luftova u rrëzua nga tanket, ku mora edhe plagë të tjera në kokë e mbeta pa ndjenja poshtë mureve të rrëzuar…”.
Shtëpia e Partisë
Jo shumë larg vendit ku u vra Qemal Stafa ndodhet një rrugice tipike tiranase, që të përcjell tek ish-shtëpia e Partisë. Tashmë një derë e madhe hekuri të pengon të hedhësh sytë brenda saj. Aty më 8 Nëntor të vitit 1941, një grup komunistësh nga të gjitha forcat kryesore të vendit që përfaqësonin realitetin e asaj kohe, themeluan Partinë Komuniste. E anatemuar prej të gjithëve, por më shumë me një kompleks faji të madh të të gjithë neo-komunistëve shqiptarë që e kanë kapur sot pushtetin, ajo u shkatërrua. Fillimisht iu hoq statusi i shtëpisë-muze. Në listën e zezë të asaj kohe ishin edhe objekte të tjera, që lidheshin me luftën. Në fakt, problemi i shtëpisë lidhet me të gjithë zonën që sot mban statusin e zonës muzeale. Që do të thotë se shtëpia u prish, por për ironi, mu në kohën e Ramës kryebashkiak është dhënë një leje për ndërtim, kundër vendimit për rikthimin e zonës të ish-Shtëpisë e Partisë, si zonë muzeale. “Oh, e ke kot nuk ke çfarë fotografon, më thotë një grua në moshë. Ky kolonjari na e futi. Tashmë po e vuajmë të gjithë atë që ky vend është i paprekshëm. Unë dua të prishet ky vend. Kam tre djem në shtëpi dhe duan shtëpi jo muze…”. Kolonjari i bie të jetë pronari i ri i shtëpisë, që u ngrit mbi shtëpinë e komunistëve. Gruaja më lë, ndërsa unë fotografoj, një mjedis filmik. Rrugica e paqtë, nuk ka këmbë njeriu përveçse një rom që tërheq një karrocë të madhe. Vendimi i marrë në tetor të vitit 2013 nga Ministria e Kulturës i privon qytetarët e kësaj zone, numri i të cilëve është rreth 5 mijë banorë, të transformojnë shtëpitë dhe të shfrytëzojnë pronën e trashëguar brez pas brezi prej më shumë se 100-200 vitesh. Por, ama, për Shtëpinë e komunistëve leja është dhënë prej kohësh!!!
Pazar, atje ku i varnin komunistët
Gati 800 metra larg Lapidarit, në mes të pazarit të ri, aty ku janë varur Shyqyr Ishmi dhe Muhamet Gjollesha vendi është zënë me arka peshku. Pas është një klub dhe këmbët e pijetarëve zgjaten nga poshtë lapidarit. Lloj-lloj këpucësh shprehin me lëvizje të ngadalshme rehatinë. Krejt ndryshe nga këmbët e atyre djemve të rinj, që vareshin pa jetë, këtyre të sotmëve i shtrijnë deri poshtë lapidarit dhe bëjnë madje edhe hoka. “T’ia q…t’ia fusin me tritol. Çfarë mutin e fotografon. Këta na morën në qafë”. Duhet të jetë 30 vjeçar, djali që po shkon në klub dhe s’ia kuptoj mllefin, që e thotë buzagas. Lapidari, ku janë varur dy komunistët është i zënë me arkat prej bukë-peshku deri ku mbulohen emrat. “Ej, prit më thotë një djalë tezgash. I largon dhe zbulon emrat. Fotografo rehat!” Më ka ndjekur, që kur për të shkuar aty, kam çarë në mes tezgat dhe kam fotografuar. Mund ta bëja edhe më tutje, por në këtë kohë mundësia është më e vogël. Të gjithë janë mbledhur rreth lapidarit dhe shesin gjithçka që të shkon ndërmend. Duhan, bulmet, vogëlina, antikuarë etj. Janë shumë kureshtarë dhe qesëndisës. Në zakonin tiranas hedhin romuze nga larg, që nuk ua ushqej. Më i qeti është njëri që shet duhan. Ka qenë në Itali dhe më pyet direkt se përse fotografoj. I them arsyen. “Varja këtyre. Këta janë t’vdek. E pe atë kurvën Bleonën. Na fëlliqi fare. Thonë shqiptarët lakuriq dhe si ishte vesh…”. Mua më pëlqeu, ia pres me kokën nga lapidari duke fotografuar. Është e re ka jetën e vet. S’ka më bukur se rinia, ia pres patetik. “Ej qenke shoku i vet”, më thotë….
“Rinia shqiptare i ngjan barit të livadhit që, i kositur, bëhet më i gjallërueshëm, një bie – një ngrihet. Poshtë fashizmi”! Këto janë fjalët e fundit të Shyqyri Ishmit, 1922-1942, “Hero i Popullit”, që u dënua me varje më 22 tetor 1942 mu në këtë vend. Gati dy vjet më vonë fashistët do të varnin një tjetër të ri. Muhamet Gjollesha do të vdiste nga torturat dhe do varej i vdekur në Pazarin e Ri për t’i frikësuar të gjithë.
***
Dita është me shi, por kujtesa e bashkëqytetarëve të mi dhe të vjetër ka humbur dhe duket më e zymtë se kjo ditë. E shikoj nga mënyra sesi shohin teksa fotografojmë dhe nderimi për këta martirë të pagojë të luftës. Ishin aq të rinj dhe me ideal mbi një jetë tjetër, që nuk e bënë dot. Edhe bashkëmoshatarët e tyre njësoj ëndërrojnë sot, por duke ua nëpërkëmbur dhe këto objekte ku kanë mbetur, një vragë e idealit… Fundnëntor. Po vjen dimri i viteve 2014-2015.