Mos i fyeni studentët
Nga Astrit Patozi –
Ata që u thonë protestuesve të mos shkojnë të flasin me Ramën, sepse do ta pësojnë si Luli më 17-18 maj, i fyejnë shumë keq studentët. Sepse nuk ka asgjë të përbashkët mes dy rasteve.
Dhe është shumë e thjeshtë, Luli për pazar vajti dhe pazar mori. Nga ajo marrëveshje Edi Rama nuk përfitoi ngaqë ai ishte i fortë, por ngaqë Luli ishte i dobët.
Dhe këtë nuk e përcaktoi fakti që u takuan dhe folën e aq më pak koha apo vendi i takimit.
Por kjo nuk ka asnjë lidhje me studentët, të cilët sot po kërkojnë të kundërtën.
Parimin pra, dhe jo pazarin.
Dhe për objektivin e tyre ata janë në të drejtën e Zotit që ta vendosin vetë nëse do të shkojnë të flasin apo jo me qeverinë.
Por kurrë duke u trembur se mund të dalin rruar e qethur, ashtu si Luli pas zgjedhjeve të 2017-ës.
Sepse, sido që ta ndajnë, dialog ose jo, ata janë në rolin e të fortit, kurse Edi Rama në atë të dobëtit.
Me dy fjalë, ata janë fitues gjenetikë, po aq sa Luli është humbës i lindur.
Ndaj mos krahasoni të pakrahasueshmet dhe lërini studentët ta gjejnë vetë rrugën e fitores në betejën e tyre.
Rama nuk ua hedh dot në të dyja versionet.