Mosbesimi, ende e vetmja rrugë e mbetur
“Nuk kemi prova që ta themi, paraja e madhe shumëmilionshe në euro, qarkullon në korridoret e veta misterioze, ku Tatimet rrinë larg apo nuk kanë as sy dhe as veshë. Ndonëse, njoftohet gjithashtu, se janë shtuar dhe po shtohen gjobat e krimit, ndaj ca bizneseve, ku dihet që qarkullon fitim dhe akumulohet paraja”…
Nga Artur Zheji
Shumëkush do të donte të besonte, që dëshira apo vullneti për të bërë Shtet, është një nga objektivat kryesore të kësaj qeverie. Dje, në vigjilje të Përvjetorit të Largimit nga kjo jetë të babait tim, Petro Zheji, pashë ndoshta një nga episodet më të habitshme të këtij “rezultati”. Një grua pothuajse mjerane dhe e stolisur te Gabi, tregtonte në varrezat e Tufinës, me një kasë fiskale të lëvizshme në dorë, lule dhe qirinj me pakicë. Gruaja, ironizonte, shpotiste me mençuri dhe priste kupona, që “ushqejnë” financat e Shtetit tonë të dashur. Pamja, me sfond varrezat, ishte kafkiane dhe përtej çdo fantazie të krisur shkrimtari.
Ndërkohë, nga burime gazetareske,kam të dhëna për transaksione të mëdha parash, të shitblerjeve me shumicë, që bëhen ende në të zezë, sidomos në fushën e pasurive të patundshme, të materialeve të ndërtimit, të karburanteve dhe të tregtisë kontrabandë të mallrave të ashtuquajtura me akcizë, sidomos cigare dhe alkool. Këto transaksione, urdhërohen nga zyra ku druri i arrës, lëkura e kolltukëve dhe wiski single malt, janë harmonizuar me shandanë Swarovski, me porcelanë Bohemie, me lëkura kafshësh afrikane dhe ku paradhomave baresin sekretare gjoksmëdha, këmbëdrejta dhe këmbëzbuluara me art, dhe rreptësisht nën të 30-tat. Këto janë pra dy pamje të së njëjtës tablo, me një kontrast të thekshëm me njëra me tjetrën.
Nga njëra anë pra, pedantizëm, trysni dhe gati asfiksim fiskal tek të vegjlit dhe nga ana tjetër, nuk dihet si dhe nuk dihet pse, ose edhe dihet, por nuk kemi prova që ta themi, paraja e madhe shumëmilionshe në euro, qarkullon në korridoret e veta misterioze, ku Tatimet rrinë larg apo nuk kanë as sy dhe as veshë. Ndonëse, njoftohet gjithashtu, se janë shtuar dhe po shtohen gjobat e krimit, ndaj ca bizneseve, ku dihet që qarkullon fitim dhe akumulohet paraja.
Çështja shtrohet, të besojmë se këto “të këqijat” e mëdha, janë episode të këtij qytetërimi që jetojmë, mbështetur te pushteti absolut i parasë, apo nën to, ka ndonjë marrëveshje okulte, që përmes alibisë së shtetformimit, kërkon të fshehë, përparimin e Antishtetit dhe akumulimit çmendurak të parasë së paligjshme?!
Personalisht nuk do të doja dhe nuk do të doja të besoja që të ishte kështu. Përkundrazi,do të doja të besoja që është pikërisht e kundërta, e pra, që këto që rendita janë aksidente të natyrshme të një sistemi në përmirësim e sipër dhe jo një rregull i fshehtë, që përmbys çdo pritshmëri popullore, për ditë më të mira. Sepse këto episode të arrogancës shpërfillëse të financës së lartë, ndodhin kudo në botë, nga New Yorku, në Moskë dhe në Pekin. Kronika na rrëfen për to, mbas herët a vonë, ata kapen dhe shkojnë përpara ligjit.
Gjykuar nga karrierat e personazheve që na drejtojnë dhe na qeverisin karrierat vezulluese pra, dhe cilësinë e lartë të jetës së tyre personale, duke filluar nga dietat e ushqyeshme, nga përkëdhelja e lartë e sedrës përmes servilizmave që i rrethojnë, e deri nga sasia e lartë e adrenalinës me të cilën ushqehen në të përditshmen e tyre, kur marrin vendime me një telefon në dorë, e në të cilat luhet fati njerëzor i shumë individëve, e të tjera si këto, do të ishte e udhës pra, që të mendonim se është gjithsesi në të mirën e bilancit të tyre global, që përpjekja shtetformuese, të ishte realisht një objektiv dhe jo një alibi në favor të Antishtetit. Mirëpo kur disa, që kalojnë me semafor të kuq, kapen dhe gjobiten, dhe disa të tjerë, mbi kurrizin e të cilëve rëndojnë vrasje apo trafikime të qenësishme, jetojnë “paqësisht” dhe si të “pakapshëm”, në të njëjtin diell dhe nën të njëjtin shi, me ata që me të drejtë gjobiten për një semafor, ngrihet një pikëpyetje e madhe.
Shteti, ky instrument, ligjformues dhe ligjruajtës, ky instrument i pranuar dhune në emër të ligjit, që autorizon ligjërisht pra, edhe vrasjen e keqbërësit në flagrancë, a duhet të jetë i barabartë për të gjithë?! Sepse dihet dhe është e pranuar, që shteti ka armë me leje, për ti mbajtur në brez dhe për ti nxjerrë nga brezi. Për të mos folur për burgosjen apo shpërndarjen me forcë të tubimeve “të paligjshme”.
Ky shtet pra, që po mban zap me sukses trafikun e rrugës dhe tregtarët e vegjël të pakicës, kur mendon të fillojë seriozisht e të luftojë trafikimet e mëdha, të drogës, të evazionit fiskal, të gjobëvënësve profesionistë të bandave të rrezikshme dhe të paprekshme, që kontrollojnë pjesë të mëdha të territorit dhe të financave shqiptare?
Kjo pra dhe është kriza e vërtetë e Besimit dhe Mosbesimit. Dhe këtu, nuk besoj se e kemi fajin ne gazetarët, që shpotitemi dhe ironizohemi nga të gjithë. Nga politika kur zihet ngushtë në gënjeshtër apo në kontradiktat e veta hipokrite. Nga kolegët, që janë ndarë në fise, klane dhe vetëadhurohen rregullisht përpara pasqyrës. Nga komentuesit anonimë, që shkarkojnë komplekset e tyre, duke u fshehur si kërmilli mbas një pseudonimi dhe nxjerrin mbi ne, vrerin e dështimeve apo të pafuqisë së tyre publike.
Personalisht prirem të besoj në një qeverisje gjithmonë e më të mirë, për të ushqyer optimizmin e një jete më të mirë, për vete dhe për të gjithë. Por nuk është faji im, që të Mos besosh, mbetet ende një rrugë më e arsyeshme dhe më afër të vërtetës dhe të rezultateve të deritashme. (Opinion.al)