Motra e Mbretit në bankën e të akuzuarve

Princesha spanjolle Kristina duhet të dalë para gjykatës për akuzën e evazionit fiskal. Një proces i drejtë mund të kthente besimin tek familja mbretërore.

Që prej së hënës shumë spanjollë presin me padurim Krishtlindjet: ata janë kuriozë për fjalimin tradicional të Mbretit të tyre. Jo vetëm se është i pari i monarkut të ri, por duan edhe të dinë, nëse Filipi i VI do të flasë për skandalin e korrupsionit, që ka përfshirë motrën e tij Kristina dhe ish bashkëshortin e saj.

Princesha spanjollle Kristina duhet të mbajë përgjegjësi para gjykatës për ndihmë në evazion fiskal. Dukesha 49 vjeçare e Palmës ishte në dijeni të aktiviteteve ilegale të bashkëshortit të saj Iñaki Urdangarín: Lojtari i kombëtares së handbollit është një nga të akuzuarit kryesorë në një proces korrupsioni, ku nën akuzë janë rreth 20 persona. Ata mendohet se kanë përvetësuar katër milionë euro nga një fondacion, që Urdangarín e drejtoi nga 2004 deri në 2006.

Në fillim u mendua se ajo do të qendronte jashtë procesit, por autoriteti antikorrupsion dhe ai financiar ngritën akuzë edhe ndaj saj, sepse gjatë kohës, që kanë rrjedhur paratë, ajo ishte në këshillin drejtues të fondacionit. Sipas akuzës ajo duhet të ketë pasur dijeni për veprimet e paligjshme të ish burrit të saj. Akuza ka kërkuar 19, 5 vite burg për Urdangarín dhe tetë vjet për Princeshën Kristina.

Krizë besimi në Spanjë

Procesi kundër Kristinës zhvillohet në një kohë të vështirë. Spanja nuk është duke vuajtur vetëm nga ana ekonomike. Pjesa më e madhe e spanjollëve janë të bindur se e gjithë klasa politike pasurohet në kurriz të popullit. Deri tani në gjithë vendin janë duke u shqyrtuar 1700 raste korrupsioni.

Mbi të gjitha të prekura janë dy partitë e mëdha të vendit, socialdemokratët e PSOE dhe konservatorët e PP. Sipas sondazheve ato humbasin pikë çdo javë. Në këtë situatë del e fituar partia e majtë Podemos, drejtuesi i së cilës, Pablo Iglesias, sulmon dy partitë e mëdha, sa herë që i jepet mundësia. Me sukes të madh: Partia është themeluar pothuajse një vit më parë, por në sondazhe arrin të marrë një të katërtën e votave.

Mbreti luftë kundër korrupsionit

Në fillim Monarkia shihej si një fuqi e re demokratike në Spanjë, sepse babai i Filipit, Mbreti Huan Karlos I, udhëhoqi Spanjën në demokraci pas diktaturës së Frankos. Pas një puçi shtetëror më 1983, Monarkia luajti një rol pozitiv. Spanjollët më pas e mbështetën gjithnjë e më shumë atë.

Më qershor 2014 Huan Karlos i dorëzoi fronin djalit të tij. Që prej atëherë Filipi përpiqet të luftojë korrupsionin dhe të rifitojë besimin e humbur tek Monarkia. Mbi të gjitha ai mbështetet tek transparenca: si fillim ai ka ndaluar që pjestarë të familjes mbretërore të marrin dhurata të shtrenjta për Krishtlindje. Tani pritet me shumë kuriozitet, se si do të pozicionohet ndaj akuzave për të motrën.

SHKARKO APP