Muhabet privat

Nga Sokol Shameti/Të mos i vajtojmë paratë e rrëmbyera në Rinas. Të mos na vijë keq, sepse pikë së pari, “nuk ishin edhe aq shumë”.

Kronika na ofron detaje tepër interesante. Trauma fillestare e ngjarjes nuk jepte mjaftueshëm kohë për të menaxhuar hollësira si – fjala vjen – relativizimi i vlerës së parave të grabitura. Në momentet e para u fol për një shumë të grabitur prej rreth 10 milionë eurosh.

Disa orë më vonë, plaga nisi të dhimbte më pak sepse personat e ngarkuar me raportimin, e zbritën shumën në 3,5 milionë. Hapni televizorët sot. E gjithë “plaçka” është reduktuar në 1 milion të cilat janë shumë pak për të justifikuar jehonën mediatike dhe gjuetinë policore që është organizuar me këtë rast.

E gjithë kjo është e kuptueshme. Banka paratë e së cilës u grabitën, aeroporti ku ndodhi grabitja, sekjuritia që u zu gafil. Të gjithë kanë një reputacion për të mbrojtur.

Por prapë, kushdo qoftë grabitësi i atyre parave, ka të drejtë madje, që aty nga resorti luksoz ku po shijon frytin e “punës” së vet, të ndjehet edhe pak i ofenduar me këtë zhvlerësim.

Por kjo është vetëm gjysma e historisë. Pingpongu marramendës i përgjegjësisë ka nisur nga aeroporti tek kompania e sigurimit, tek shërbimi i ruajtjes në aeroport, tek policia e shtetit. Të gjithë kërkojnë përgjegjësinë e shtetit në këtë skandal, sepse si rregull, shteti duhet të ketë gjithmonë gisht në çdo prapësi.

Opozita e djathtë menjëherë u hodh në sulm kundër qeverisë dhe paaftësisë së saj për të mbrojtur qarkullimin e lirë të kapitalit në këtë situatë ku shteti e ka dhënë me dashje prej 12 vjetësh sigurinë e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit, me koncesion.

Ministri i brendshëm dukshëm në siklet e hoqi përgjegjësinë nga vetja, kur la të kuptohet se policia e tij, është shtrënguar me anë të një marrëveshjeje të nënshkruar qysh më 2004, të mos mbajë përgjegjësi për çfarë ndodh jashtë në pistën e aeroportit. “Kontrata duhet rishikuar”, u përtyp ministri i cili për shkak se nuk ka qejf që të quhet fajtor për pasigurinë në aeroport, u detyrua të pranojë se edhe siguria e deritanishme atje nuk ka qenë meritë e tij.

Në një vështrim më përgjithësues, ai nuk është se ka edhe aq faj. Jetojmë në neoliberalizëm. Nëse nuk është privatizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë e gjithë policia, është gjetur me kohë marifeti për ta reduktuar fushën e veprimtarisë së saj në një minimum të parrezikshëm për fitimet e tregut.

Shikoni policitë private që lëvizin ditë e natë rrugëve në mbrojtje të parave të bankave, në mbrojtje të objekteve, në mbrojtje të individëve, kantiereve të ndërtimit, kopshteve e shkollave. Të gjitha këto bëjnë punën që realisht duhej ta bënte policia e shtetit, ajo publikja.

Praktikisht, çfarë i ka mbetur “të ruajë” policia e shtetit në këtë shtet që quhet Shqipëri, janë vetëm eskortat e ministrave dhe rrëzat e shkurreve nëpër autostrada me shpresë për të kapur në gabim ndonjë qytetar që ka harruar të lidhë rripin.

Dhe mos kujtoni se dikush atje në qeveri shqetësohet për këtë. Mos mendoni se dikush shfryn përballë kësaj padrejtësie duke thirrur: mjaft, është koha që kjo njësi publike të cilën qytetarët e paguajnë për të garantuar rend e qetësi, të marrë në dorë punën që i takon.

Jo! Sipas ministrit, thjesht “kontrata duhet rishikuar”. Gjë që nuk do të thotë aspak që policia e shtetit të marrë përsipër këtë detyrë shtetërore. Kjo do të thotë vetëm që privati të cilit i është dhënë kjo copë e majme, të ulet për të rinegociuar fitimin e përmuajshëm.

Për t’iu kthyer grabitjes spektakolare në aeroport, nëse ka një element ku shteti ka gisht, kjo nuk është grabitja. Të paktën, jo kjo spektakolarja si në filma që u pa në Rinas.

Përgjegjësia e shtetit është tek dorëheqja e qëllimshme nga çdo detyrim karshi qytetarëve të cilët votojnë dhe paguajnë taksa për t’u qeverisur nga qeveria dhe jo që qeveria ta bëjë pushim dhe të paguajë ndonjë të panjohur për të bërë punën e saj. Në një formë tjetër, edhe kjo është grabitje.

Përgjegjësia e qeverive nga 1990 e tëhu është dorëzimi i çelësave të sigurisë, shëndetit, edukimit, transportit, etj etj, në përgjegjësinë e lloj dordolecëve privatë të cilët as janë votuar e as kanë ndonjë detyrim karshi qytetarëve.

Vetë shqiptarët, viktimat e vetme të kësaj skeme mashtruese, detyrohen  me marifet të paguajnë dy herë: edhe me taksa për policinë e sabotuar, edhe me para shtesë në çmimet e shërbimeve, ku një pjesë shkon për të paguar policitë private që janë kosto mbi kosto.

Privatizuesit e mëdhenj të çdo pasurie dhe shërbimi publik dhe mirëmbajtësit e avantazhit të privates në Shqipëri, tani le të bëjnë moral mbi lirinë e tregut. Le të flasin teksa shohin sesi siguria jonë ndaj terrorizmit ndërkombëtar, apo lëvizja e sigurt e njerëzve dhe kapitalit, ka mbetur në dorë të kujt e fiton kontratën me ryshfet dhe që dështon në mënyrë spektakolare edhe në “prova teknike” si kjo e grabitjes së parave në mes të ditës.

Në fund kjo histori nuk u përket fare qytetarëve. Banka së cilës iu vodhën milionat është private. Aeroporti ku u vodhën milionat është privat. Policia që duhej ta ruante aeroportin është gjithashtu private.

Të vetmit që janë deridiku mbrojtës të interesit publik në këtë ngjarje, janë vetë grabitësit. Falë tyre, një lumë parash që do të dilnin jashtë Shqipërisë ndonëse u gjeneruan në Shqipëri e prej punës së shqiptarëve, mbetën përsëri në Shqipëri.

Prandaj, të paktën për hir të këtij fakti, të mos i vajtojmë paratë e grabitura në Rinas. Syri.net

SHKARKO APP