Mungesa e Berishës në aleancat parazgjedhore

Nga Mero Baze

Opozita po përjeton mungesën e një prej aftësive më të mira që ka pasur ish-lideri i tyre Sali Berisha, në ndërtimin e koalicioneve parazgjedhore. Në historinë politike 24 vjeçare, Berisha dëshmoi një aftësi për të qenë tolerantë me aleatët, gjë që binte në kundërshtim me autoritetin e tij brenda partisë. Ai që sundon PD-në me grusht të hekurt dhe që ende vazhdon ta mbajë nën kontroll, ishte një tjetër politikan kur bisedonte me kundërshtarët dhe bënte marrëveshje politike me ta.

Qysh në vitin 1991, kur PD-ja dukej e qartë që do të fitonte zgjedhjet e 22 Marsit, ai këmbënguli për një koalicion që shumëkush e quante formal, por ai e quante jetik. Ishte koalicioni me Partinë Socialdemokrate të sapo formuar të Gjinushit dhe republikanët e Sabri Godos. Pas zgjedhjeve, PD-ja mori vet gati dy të tretat e Kuvendit, por ai vazhdoi të mbështetej tek ai koalicion.

E njëta gjë u përsërit në zgjedhjet e panevojshme të 26 Majit, të cilat u destabilizuan dhe në vetminë e tij të madhe në vitin 1997, kur futi në listën e ngushtuar të PD-së, tre kryetarë partish krejt të padobishëm, si Selfon, Ndreun dhe Durollarin.

Të njëjtën gjë bëri në vitin 2001, me Rroqin Mediun dhe Selfon dhe e çoi në 2005-ën në një koalicion tejet të zgjeruar, duke dhuruar deri në 3 depuetë të sigurtë për Pollon, në listën e PD-së.

Kulmi i fuqisë së tij politike për të ndërtuar koalicion ishte viti 2009, kur ndërtoi një tren të gjatë me 17 parti të parëndësishme, por që në finale e shpëtuan atë nga humbja dhe pas zgjedhjeve i shtriu dorën LSI-së në një koalicion historik mes së majtës dhe së djathtës, të cilin e respektoi deri më 1 Prill 2013.

Në vitin 2011, në betejën e tij jetike për të marrë pas tre humbjesh Bashkinë e Tiranës, ai hyri në koalicion me Hysni Milloshin, kryetarin legjendar të komunistëve shqiptarë, me votat e të cilit arriti të mbulojë vjedhjen e mandatit në Bashki nga Basha.

Fuqia e Berishës në negociata kishte një shpjegim. Ai ishte i plotëpushteshëm brenda PD-së dhe askush nuk ia vinte në dyshim fuqinë që kishte për të qenë tolerantë me kundërshtarët. Fuqia e një lideri si negociator bazohet tek fakti sesa fuqi ka ai në shtëpinë e vet.

Është pikërisht kjo që po shaktërron sot opozitën. Lulzim Basha perceptohet si një kukull e Sali Berishës dhe nuk ka asnjë fuqi politike për të vendosur në negaociata me aleatët. Çdo gjë që ai bën në darkë, Berisha ia përmbysë në mëngjes dhe këtu merr fund gjithçka. Ai humbi nga koalicioni partinë çame, për shkak të pavendosmërisë për tu bërë atyre një ofertë serioze. Partia, e cila ka pesë deputetë iu bashkua koalicionit qeverisës, duke qenë një tampon i mirë për mos rrjedhje votash në disa bashki perfierike.

Basha po humbet po ashtu raportet me Partinë Republikane, për shkak të pafuqisë së tij për të vendosur vet se çfarë do të bëj me Agron Dukën në Durrës. Ai ka gjashtë muaj që i jep fjalën Dukës në darkë dhe ia hedh poshtë Berisha në mëngjes. E njëta gjë po i ndodh më tej dhe me grupet rivale brenda PD-së. Sapo ai mbështetet tek një kandidat, si përshembul rasti i Kavajës, ku është favorit Ëngjëll Cara, Berisha ia rrëzon për shkak të problemve të tij dhe atij i bie autoriteti. E njëta gjë mund t’i ndodh me Lushnjën, Shkodrën, Beratin, Gjirokastrën etj.

Për këtë shkak, opozita sot po vuan më shumë se kurrë krizën e koalicionit opozitar dhe krizën e ndarjes brenda PD-së, pikërisht se i mungon një lider autoritar, që ta mbajë të bashkuar opozitën. Problemi i Bashës është problemi i njeriut që nuk i beson dhe vet PD-ja. Të gjithë i kanë sytë tek Basha dhe veshët tek Berisha dhe këtu prishet gjithçka.

Sot opozita nuk shqipton dot asnjë kandiat në asnjë qytet, pasi askush nuk e di çfarë mendon Basha dhe çfarë Berisha. Për të udhëhequr një koalicion opozitar, duhet të jesh super tolerant me tekat e aleatëve, pasi nuk ke çfarë humbet veç të ndenjurit në opozitë. Por nga ana tjetër, duhet të dëshmosh se je i aftë të marrësh vendime dhe tu qëndrosh fjalëve për të cilat bisedon me aleatët. Basha nuk e bën dot as të parën, as të dytën. Ndaj dhe sot është kaq dëshpëruese të shikosh një shumicë që fryhet artificialisht nga paaftësia e opozitës dhe një opozitë që dobësohet artificialisht nga mungesa e një udhëheqësi.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP