Mungon vetëm haremi, shteti është kthyer në “Ramokraturë”

Nga Edmond Tupe

Jam gati i sigurt që lexueset dhe lexuesit e rregullt apo të çrregullt të kësaj rubrike të përjavshme po pandehin, nisur nga titulli i saj, se do të jem frymëzuar nga ndonjë fabul e frëngut La Fonten, mjeshtërisht të shqipëruar nga Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi ose Vedat Kokona, siç më ka ndodhur herë pas here. Mjerisht, sot nuk është kështu, jam frymëzuar vetëm nga realiteti gjithmonë e më i zymtë shqiptar, por vetëm në fund do t’u referohem dy kujtimeve me dele e pula që ruaj nga fëmijëria e largët.

Për gjithë bashkatdhetarët e mi që kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe tru për të arsyetuar, çdo ditë e më tepër një gjë është veçanërisht, kryesisht e pashmangësisht e qartë: në Shqipërinë tonë verbërisht, shurdhërisht e mendërisht të çoroditur është vendosur diktatura e NJËSHIT që nuk i jep llogari askujt, sepse na qenka i pagabueshëm.

Nga demokraci, shteti i zotit Rama, tashmë i kthyer në demokraturë, po merr tiparet e një kriptodiktature me prirje totalitarizuese, të cilën, pa u trembur se gabojmë, mund ta quajmë ramokraturë, një model despotik, satrapik e sulltanesk (mungon vetëm haremi, se ndryshe do të thuhej “sulltanseks”) që ndoshta mund ta gjejmë vetëm në shtetet e tipit demokraturial të Afrikës.

Gjithsesi, duke u mbështetur me të dyja duart (shyqyr që nuk ka tri, katër a më shumë të tilla!) te timoni dhe tepsia me ndihmën (apo nën hyqmin) e mafionarkoligarkëve – të paktën siç thonë e shkruajnë disa analistë ende të ndershëm e objektivë – zoti Kryeministër po e zhvesh popullin e vuajtur, të përvuajtur e të stërvuajtur shqiptar edhe nga ato pak virtyte që nuk arriti t’ia zhvlerësonte as pushtimi anadollak, as sundimi enverak, as tranzicioni demoturak.

Përballë një opozite të hallakatur që rrezikon të kthehet në një shportë karavidhesh, zoti Rama e sheh veten në pushtet edhe për shumë mandate të tjera në stilin më të pastër perandorak falë varfërimit të mëtejshëm ekonomik e shpirtëror të shumicës së shqiptarëve që ëndërrojnë vetëm të largohen një orë e më parë nga atdheu i tyre i mjerë, me çdo kusht e çdo çmim, ose që, për një dorë para, shesin shpirtin duke shitur votën.

Ky nënshtrim i detyruar i shumicës së shqiptarëve ka në themel pasigurinë për jetën, ankthin që ajo ngjall dhe frikën e papërballueshme nga e tashmja dhe e ardhmja e tyre, një frikë gërryese sidomos kur ata mendojnë për të ardhmen e fëmijëve. Kjo frikë trumati zuese më solli në kujtesë pikërisht ato dy kafshë tejet paqësore, emrat e dy prej të cilave i kam vënë si titull të këtij shkrimi.

Sidoqoftë, lexueset e lexuesit e mi mund të pyesin me të drejtë: “Po përse pikërisht këto kafshë që na japin dy nga prodhimet, pa të cilat, të paktën në Shqipërinë e sotme bujqësore e blegtorale, nuk mund të konceptohet të ushqyerit normal?” Përgjigjja ime është e thjeshtë dhe thuajse aspak befasuese: Sepse, siç e shkrova më lart, nga fëmijëria ime e largët ruaj dy kujtime që lidhen me to. Së pari, me delen: Kur kam parë për herë të parë sesi qethnin një dele, e cila përpëlitej me të katër gjymtyrët, ndërkohë që qethësi e zhvishte nga leshi e butë, sesi ajo e vuante, deri edhe me shikimin e saj, atë dhunë të pamerituar, pra, teksa isha i pranishëm në atë skenë, nisa të qaja.

Së dyti, me pulën: Shtëpia ku ishim qiraxhinj, kishte një kopsht me pemë frutore dhe si pronarët, ashtu edhe familja ime, mbanim ca pula.Një ditë pashë sesi e zonja e shtëpisë po vraponte për të kapur një pulë të bardhë; vrapo ajo, vrapo edhe pula, por erdhi një moment kur kjo, duke dihatur e me një shikim ku shquhej vetëm frika, qëndroi në vend dhe shtriu krahët duke i lëshuar deri në tokë; e zonja e shtëpisë e kapi nga krahët me njërën dorë, kurse me tjetrën i fryu te prapanica dhe – një tjetër dhunë – i rrasi atje gishtin tregues: unë, krejt i shtangur, e pyeta përse po vepronte ashtu: “Për të parë nëse do të bëjë vezë sot a nesër”. Më erdhi shumë keq për pulën e përdhunuar asisoj dhe, me siguri, duhet të jem ndier i lumtur që nuk isha pulë.

Sot që i kam kapërcyer të shtatëdhjetat, vërej me dëshpërim të pafund se të shumtë janë ata e ato midis nesh që tulaten e nënshtrohen sepse e kanë të rrënjosur thellë frikën ekzistenciale ngaqë Kryebariu i kopesë dhe njëherazi Kreu i pularisë po i qeth si delet dhe po u fut gishtin si pulave për t’u marrë edhe vezën e fundit.

Oh, nuk e mora vesh se si, në çastin që po i vija pikën përfundimtare këtij shkrimi, m’u kujtuan këto vargje të Çajupit: “Shqipëtar, mos rri, po duku, shqipëtar / Shqipërinë e mori turku, i vu zjarrë!

SHKARKO APP